Përplasje të ashpra në Kuvend, Kurti lëshon seancën për dialogun- thotë se mund të vazhdojë debatin nga ora 22:00

Aktuale

Përplasje të ashpra në Kuvend, Kurti lëshon seancën për dialogun- thotë se mund të vazhdojë debatin nga ora 22:00

Nga: Bota sot Më: 2 mars 2023 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 14:43 më 02.03.2023
Albin Kurti

Kurti: Nuk kam dhënë asgjë, ajo që kam pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se nga pikëpamja e tij, Asociacioni me Shumicë Serbe, si marrëveshje e trashëguar nga 2013–2015, është në nenin 10, në nenin 7 flitet për komunitetin serb, i cili përmendet mbi 10 herë në Kushtetutën e Kosovës.

Para deputetëve në Kuvend ai vlerësoi se nuk ka dhënë asgjë, dhe se ajo që ka pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të kushtetutës.

Sipas Kurtit, komuniteti serb nuk janë Komunat me Shumice Serbe, kategorikisht janë dy gjëra të ndryshme, dhe se komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisaarit.

“Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet garantuar në përputhje me konventat e Këshillit të Evropës. E vetmja konventë e Këshillit të Evropës që rregullon aspektet e të drejtave të komuniteteve joshumicë është konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave, e cila tashmë është pjesë e kushtetutës së Kosovës neni 22. Nuk ka konventë tjetër!”

“Pra, maksimumi që do të mund të nënkuptonte një vetmenaxhim i tillë është ajo që tashmë kushtetuta e parasheh në nenin 22 të saj”, deklaroi Kurti.

I pari i ekzekutivit po ashtu shtoi se propozimi kryesor s’ka asnjë reference specifike se çfarë do të nënkuptojë një vetmenaxhim i tillë, përderisa tavani i lartë është konventa kornizë e Këshillit të Evropës.

“Kjo nënkupton që rezultati duhet të jetë një format i respektit për te drejtat individuale jo territoriale të pakicave, që bazohet në individin me të drejta edhe sipas përkatësisë, e jo në institucionet a monopolin territorializues të tyre”.

“Pra, këtu nuk kam dhënë asgjë. Ajo që kam premtuar e pranuar është që komuniteti serb në Kosovë të trajtohet sipas nenit 22 të kushtetutës, e cila e ka pjesë të saj konventën kornizë. Kushdo që thotë që kjo është një përbërës shtesë, apo që nënkupton diçka shtesë, e ka gabim, ose kështu rezonojnë në fqinjin tonë verior, armik”.

“Një komunitet siç është ai serb,e komuniteti serb është komunitet që njihet në kushtetutën e Republikës së Kosovës, nënkupton një dimension social joterritorial jo institucional dhe jo politik te një tëresie të individëve. Nuk ka komunitet pa individë. Po individët mund të bëjnë komunitet”.

“Konventa kornizë ka subjekt individët që janë pjesë e grupeve minoritare, dhe ashtu është kuptimi edhe i nenit 7 të marrëveshjes bazike. Pra nuk ka asgjë më shumë sesa që tashmë ekziston. D.m.th neni 22 i kushtetutës dhe e gjithë ajo që është pjesë e nenit 22 të kushtetutës është reference për të drejtat individuale të pjesëtarëve të të gjitha komuniteteve, e njëri prej tyre është natyrisht edhe ai serb. D.m.th njohje të të drejtave te njeriut që janë të natyrshme në një demokraci liberale, siç është e drejta në gjuhë, në arsim në gjuhën e tij/saj, e drejta për t’u punësuar pa diskriminim, etj. për anëtarët e komunitetit serb, gjë që është tashme garancion kushtetues e ligjor ne shtetin tonë”, përfundoi Kurti gjatë raportimit të tij në Kuvend.

Krasniqi e kritikon Kurtin për marrëveshjen: Nëse do të varej nga ti, nënshkrimi i saj do të ishte çështje ditësh

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur sot në seancën e Kuvendit, në lidhje me takimin që kishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me datë 27 shkurt të këtij viti.

Ai ka thënë nëse do të varej nga kryeministri Kurti, nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ishte çështje ditësh.

“Ne të kemi ftuar sot për të diskutuar pa paragjykuar, në interesin tonë dhe të qytetarëve të vendit, për një çështje që po e preokupon çdo qytetarë. Kjo marrëveshje u pranuar me vullnet nga kryeministri Kurti dhe duket që nëse do të varej prej tij, është çështje ditësh edhe nënshkrimi i saj”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se nëse lexohet teksti i këtij dokumenti shihet se Kurti është pajtuar që të kapërcej trashëgimin e së kaluarës.

“Mjafton të analizohet teksti i këtij dokumenti, nëse analizohet preambula e kësaj marrëveshje, me të cilën Kurti është pajtuar që të kapërcejë të kaluarën e që është shumë e dhimbshme, i bije që ne po e kapërcejmë pa e trajtuar siç kemi kërkuar disa nga këto aspekte. Adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, dëmshpërblimet e luftës, dëmet materiale, kthimin e të mirave materiale të pensioneve të qytetarëve dhe po ashtu të pronës së uzurpuara të tyre… Unë se kuptoj si mund të ketë pajtueshmëri për të kaluar trashëgiminë e së kaluarës pa i zgjedhur këto çështje fondamentale. E rëndë është edhe fjalia e tretë, ku nga njëra anë përmendet historia, në anën tjetër, palët pajtohen. Statusi i Kosovës është për ne i rëndësishëm”, ka thënë ndër të tjera ai.

Vuçiqi në Bruksel tha se “më falni që nuk kuptoj shqip”, Kusari-Lila këtë e sheh si transformimi të dialogut

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka folur për takimin e Brukselit më 27 shkurt ku u takua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Teksa elaboronte marrëveshjen, Kusari-Lila tha se Qeveria e Albin Kurtit ka arritur të bëjë transformim  të procesit të dialogut.

E një nga simbolikat për këtë e mori edhe atë që presidenti serb Vuçiq iu ka kërkuar falje gazetarëve që nuk kupton shqip.

“Deklaratat e Vuçiqit: Kurti nuk e njohu Zajednicën, nuk e pranoi Zajednicën, më falni shqiptar që nuk flas shqip”, ka thënë Kusari-Lila teksa para kësaj tha se Vuçiqi e kishte pyetur Avdullah Hotin në mënyrë poshtëruese “a kupton serbisht”.

Kurti për asociacionin: Gabimet politike e historike të qeverive të kaluara, nuk do përsëriten asnjëherë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në raportimin e tij para deputetëve mbi çështjen e dialogut, ka thënë se nuk do t’i tolerojë gabimet politike, e historike, të qeverive të kaluara.

Një gjë e tillë duke iu referuar marrëveshjeve paraprake të ish-presidentit Hashim Thaçi e ish-kryeministrit Isa Mustafa, për disa pika në raport me Serbinë, kryesisht për asociacionin.

”Nuk do të lejoja të negocioja asgjë që nuk është në përputhje me kushtetutën, asnjë nga kjo, asnjëherë”.

”Gabimet politike, historike të qeverive të kaluara nuk do të përsëriten asnjëherë. Do të bëjë maskimalen që ato gabime t’i eliminojë apo së paku t’i reduktoj”.

”Shumë detaje s’mund t’i them por mendja e shëndoshë e ka të lehtë t’i kuptojë ato çka kam pranuar”.

Kurti: Asnjëherë nuk do të diskutoje për diçka jokushtetuese – refuzmi i Serbisë tregon se s’janë pajtuar me përmbajtjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës është duke raportuar për takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Unë i ofrova Bashkimin Evropian nënshkrimin zyrtar si kryeministër i Republikës për marrëveshjen bazike”, ka thënë Kurti në hyrje të fjalimit.

Ai ka shtuar se presidenti serb Vuçiq e ka refuzuar marrëveshjen.

“Propozimin tim e refuzoj menjëherë presidenti i Serbisë që tregon se nuk është pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes”, ka thënë Kurti.

Ka shtuar se edhe pse është pajtuar që të nënshruajë, marrëveshja nuk është e pranuar ende, meqë s’ka nënshkrim.

“Takimi i radhës do të jetë në Ohër ku ka edhe një marrëveshjeje paqeje sipas standardeve të BE-së”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit kosovar ndër tjerash tha se nuk do të diskutonte asgjë jokushtetuese.

“Premisa e parë bazë  e imja si kryeministër nuk do të lejoja të diskutoja asgjë që është në kundërshtim me frymën kushtetuese”, ka thënë ndër tjerash Kurti.

Sipas tij, qeveritë e kaluara kanë bërë gabime në dialogun me Serbinë.

“Gabimet e qeverive të kalaura do të mundohem që t’i eleminojë ose t’i demantojë për ta ruajtur shtetin utilitar”, ka thënë Kurti.

Abdixhiku: Kurti nuk e ka nënshkruar Zajednicën, por ka sjellur diçka tjetër më të keqe

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar mocionin e tij për raportimin e kryministrit, Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës për takimin e tij më 27 shkurt me Vuçiqin në Bruksel dhe darkodimin e tij me planin e BE-së.

Abdixhiku ka përsëritur pikat shqetësuese nga marrëveshja që Kurti është dakorduar e që sipas tij, është parathënia e marrëveshjes dhe neni 7 dhe 10 i propozimit të BE-së.

“Frika e mazhorancës nga fjala jonë është dëshimi e të vertësë sonë për të trajtuar një temë jetike si çështja e dialogut. Ne kërkojmë të trajtojmë gjithë marrëveshjen e arritur më 27 shkurt në Bruksel e të paprezantuar në Bruksel. Dhe të flasim për parathënien e marrëveshjes të mbajtur fshehtë nga kryeministri i Kosovës në seancën e fundit të cilën e la në gjysmë.” – ka thënë ai.

"Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara. Ai ka pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve përfshirë edhe Asociaiconi.” – ka thënë ai.

Më tej, Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk mund të akuzohet për marrëveshjet paraprake në të cilat përfshihet edhe Asociacioni, por sipas tij, Kurti ka sjellur diçka më të keqe se këto.

“Askush nuk mund ta akuzojë atë për një marrëveshje paraprake...” – ka thënë ai.

Nis seanca, pritet raportimi i Kurtit për dialogun

Kryeministri Albin Kurti, pritet të raportojë për takimin e tij të fundit në Bruksel, specifikisht për propozimin evropian, marrëveshje e cila verbalisht u tha se u miratua mes Kosovës dhe Serbisë.

Seanca raportuese për dialogun erdhi papritur, pas kërkesës urgjente të opozitës që Kurti të tregoi transparencë mbi marrëveshjen në Bruksel.

Miratohet mocioni i LDK-së, Kurti raporton për dialogun në Kuvend nga ora 13:00

Është miratuar mocioni i LDK-së që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të raportojë për dialogun.

Kryekuvendari Konjufca tha se 92 deputetë ishin prezent në Kuvend, shumica votuan pro, ndërsa tre deputetë abstenuan.

Paraprakisht shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari- Lila, njoftoi se kryeministri Kurti është ‘i disponueshëm’ nga ora 13:00 deri në orën 16:00.

“Ashtu siç deklaruam që në fillim, kryeministri është i gatshëm të jtë në seancë, të debatojë me deputetët. Disponueshmëria e tij kohore është nga ora 13:00 deri në 16:00, kur mund të debatojmë bashkërisht rreth kësaj çështje”, tha Kusari-Lila.

Abdixhiku: Kurti me nenin 7 ka hapur dritare të re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se në dakordimin në Bruksel, më 27 shkurt, vendosi të tejaloi trashëgimin e të kalaurën me një copë letre, duke përfshirë siç thotë ai, krimet e masakrat që ka kryer Serbia.

Abdixhiku u shpreh se parathënia e marrëveshje ishte mbajtur fshehtë nga kryeministri Kurti.

Sipas tij, dakordimi i 27 shkurtit në Bruksel, vërtetoi të gjitha brengat e tyre që kanë ngritur në Kuvendin e Kosovës dhe se kjo marrëveshje nuk përmban njohje të ndërsjell në qendër.

Abdixhiku: Palët vendosën të tejkalojnë të trashëgimin e të kaluarës me një copë letër

Parathënia e saj e cila ishte mbajtur fshehtë, tërësisht fshehtë nga kryeministri i Kosovës në raportimin e fundit të bërë në këtë seancë të lënë në gjysmë dhe arsyen e mbajtjes së fshehtë të kësaj parathënie të preambulës e gjenë në dy formulime skandaloze të rënda me dëme historike për Kosovën. Dhe ky formulim mban dakordimin e kryeministrit të Kosovës. i pari ka të bëjë me tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës i dyti ndërsa pa paragjykim të palëve mbi çështjen e statusit. Këto dy formulime tejkalohet e kaluara në mes Kosovës dhe Serbisë me dakordim të palëve përfshirë krimet, masakrat madje edhe pikëpamjet interpretuese mbi këto krime, sepse palët kanë vendosur tejkalojnë trashëgimin e të kaluarës me një copë letre. Në vend të ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën në preambulë si vlerë kryeministri i Kosovës dakordohet për tejkalim të trashëgimisë të të kaluarës. Dhe jo vetëm kaq në një rast të pa precedent Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vetë politik. Pra barazon mos njohjen e Serbisë me vetë aktin e deklarimit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. ky formulim në preambulë neutral ndaj Republikës së Kosovës është lëshimi më i madh ndonjëherë në procesin e dialogut nga një kryeministër i Kosovës .Neutralitetin mbi statusin është dëm historik për Kosovën madje edhe në marrëveshjet paraprake që kishin ambiguitet si ajo e fusnotës kishte referencë mbi vendimin e GJND mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës”, tha ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh po ashtu se marrëveshje Kurti-Vuçiq sjell neutralitetin ndaj statusit politik.

Abdixhiku: Marrëveshja Kurti-Vuçiq sjell neutralitetin ndaj statusit politik

“Marrëveshja Kurti Vuçiq përveç se tejkaloj trashëgiminë e të shkuarës në një anë sjell neutralitetin ndaj statusit politik në preambulë dhe atë si vlerë jep bazë të re të trajtimit të çështjes së Kosovës në stade të paimagjinuara ndonjëherë. Pra, marrëveshje jo vetëm që nuk ka njohje në qendër të saj por ka neutralitet ndaj statusit si pjesë veriore mu në hyrje të saj...Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese”, tha ai.

Sa i takon nenit 7 të kësaj të dakordimit në Bruksel, Abdixhiku u shpreh se Kurti ka hapur dritare të re me këtë nen.

Abdixhiku: Kurti me nenin 7 ka hapur dritare të re

“Në nenin 7 një nga pranimet e bëra është ajo e Asociacionit jo etnik sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pozicion i ynë tash e sa kohë. Tjetër punë se si kryeministri i Kosovës do të arsyetoj këtë pranim para bazës së vetë, por ajo që nuk dihet se që është pranuar janë defininuara në nenin 7 aty kryeministri Kurti ka hapur një dritare të re, fillimisht nëpërmjet pajtimit për të siguruar një nivel të duhur vetëmexhimi për komunitetin serb në Kosovë më pas duke siguruar ndërlidhje të drejtpërdrejtë financiare me Serbinë e më pas duke zyrtarizuar statusin e Kishës Serbe Ortodokse për të ofruar nivel të mbrojtjes në përputhje me modelet evropiane”, tha ai.

E derisa kreu i LDK-së bëri propozimin për mocion që të raportoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deputetët e mazhorancës bënin zhurmë.

E karshi këtij reagimi, Abdixhiku u shpreh se zhurma dhe frika e deputetëve të pushtetit është e paarsyeshme. Sipas tij, numri i deputetëve të pushtetit është i madh, por me pak guxim.

Abdixhiku: Zhurma dhe frika e deputetëve të pushtetit është e paarsyeshme jeni shumë në numër jeni pak në guxim

“Propozoj mocion procedural që së pikë e parë e rendit të ditës në seancën e Kuvendit të Kosovës të ndodh raportimi kryeministrit të Kosovës pas procesit dialogut konform rezultateve paraprake të nxjerra në Kuvend..Zhurma dhe frika e deptutëve të pushtetit është e paarsyeshme jeni shumë në numër jeni pak në guxim”, u shpreh ai.

“Jemi në terr informativ”, edhe AAK kërkon që Kurti të raportojë për procesin e dialogut

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se sa i përket procesit të dialogut, Kuvendi i Kosovës është në terr informativ, për shkak të mostransparancës së Qeverisë.

Ai tha se AAK- e mbështet kërkesën e LDK-së lidhur me raportimin e Kryeministrit Kurti në Kuvend për propozimin e BE-së.

”Jemi në terr informativ për dialog. Nuk është luftë partiake. Ne jemi ata që përfaqësojmë popullin. Kjo qasje tregon shumë për këtë kuvend. E mbështes kërkesën e Abdixhikut. E di që shumë prej jush që nuk pajtohemi edhe me qëndrimin tonë që e kemi pasë. Por është koha që të marrim një vendim e mos të humbim si vend”.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku propozoj mocion procedural që si pikë e rendit të ditës të jetë raportimi i Kryeministrit në Kuvend.

“Propozoj mocion procedural që si pikë e parë e rendit në seancën e sotme të kuvendit, të ndodhë raportimi i kryeministrit të Kosovës pas procesit dialogues konform rezolutave dhe konform kohës”, tha Abdixhiku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat