Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Aktuale

Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Më: 3 prill 2023 Në ora: 07:51 Përditësuar në ora: 12:42 më 03.04.2023
Hagë, 3 prill 2023.

ZPS: Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë ngatërroheshin nga UÇK-ja

Kryetari i hetuesve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, tha se qëllimi kryesor i të akuzuarve, që ai i quajti “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë dhe kolaboracionistë”.

Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin. Personat e etiketuar kështu ndaloheshin në mënyrë arbirtrare dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme Katër të akuzuarit keqpërdoruan postin e Shtabit të Përgjithshëm”, tha ai.

Ai vazhdoi të paraqiste komunikatat e lëshuara nga UÇK-ja, dhe theksoi se komunikata e parë është lëshuar në nëntor të vitit 1994.

Sipas tij, përmes komunikatave, UÇK-ja tregonte për sulmet, por edhe paralajmëronte ata që i konsideronte “tradhtarë” dhe “kolaboracionistë” dhe bënte thirrje për “vdekje tradhtarëve”.

Ka rinisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori i specializuar, Matthew Halling, tha se Hashim Thaçi, përmes një komunikate në mars të vitit 1999 njoftoi për themelimin e Qeverisë së Përkohshme, në të cilën ishte kryeministër. Sipas organogramit të paraqitur nga Prokuroria, Veseli ishte drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Selimi ministër i Rendit dhe Krasniqi zëdhënës.

Sipas Prokurorisë, Qeveria vazhdoi të njoftonte Shtabin e Përgjithshëm për veprimtaritë e kundërzbulimit dhe se SHIK kishte vazhduar punën kundër kolaboracionistëve.

Prokuroria po ashtu u ndal në marrëveshjen për çmilitarizim mes NATO-s dhe ish-Jugosllavisë, që mundësoi tërheqjen e trupave serbe nga Kosova.

Halling tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kishin hetuar krimet e pretenduara të luftës, por edhe shkeljet e marrëveshjes së çmilitarizimit.

Pas dy orësh, seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në pauzë.

Më poshtë iu sjellim të përmbledhura pikat kyçe të kësaj seance:

Në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit

Prokuroria nisi deklaratën hyrëse, që pritet të jetë në kohëzgjatje prej maksimumi pesorësh, duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë

Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve

Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit

Sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë

Prokuroria tha se katër të akuzuarit ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm

Sipas Prokurorisë, gjatë luftës Thaçi kishte drejtuar drejtorinë politike, Veseli atë të zbulimit, Selimi kishte qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi kishte qenë zëdhënës

Detyrat, sipas Prokurorisë, janë konfirmuar nga Selimi gjatë intervistës dhënë para prokurorëve të specializuar në Hagë, por edhe nga një libër i Krasniqit, ku përmendej hierarkia e UÇK-së

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave

Prokuroria publikon intervistën me Rexhep Selimin ku flet për Sokol Bashotën, Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin

Prokuroria e Specializuar në Hagë ka publikuar një pjesë të intervistës që Rexhep Selimi, kishte dhënë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë intervistë të Selimit me ZPS-në, ai flet për komunikatat e shkruara dhe gjithashtu emërimin e Jakup Krasniqit si zëdhënës.

“Sokol Bashota është marrë me komunikatat. Në prill 1998 kemi emëruar zëdhënës që është marrë me komunikatat dhe me konferencat. Ka qenë Jakup Krasniqi. Në ndërkohë i suportuar nga Hashim Thaçi që ka pasur detyrë të komunikimit me opinionin”, thuhet në këtë video.

Gjithashtu janë publikuar edhe intervista të ndryshme të Fatmir Limajt e Sahit Jasharit në kohën e luftës, ku ata flasin për strukturën e UÇK-së.

ZPS: Selimi konfirmoi detyrat që kishin të katër të pandehurit

Prokurori Matthew Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.

Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.

Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998 kishte marrë drejtimin e drejtorisë politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës drejtorinë e zbulimit, Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte zëdhënës, pra “i ngarkuar për t’iu dhënë zë” politikave të këtij organizimi.

Prokuroria: Të akuzuarit krijuan Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së

Prokuroria e Specializuar tha se përmes provave do të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe se të katër të akuzuarit kishin autoritet në Shtabin e Përgjitshëm.

Prokurori Alex Whiting, tha se Hashim Thaçi gjatë marrjes në pyetje në Hagë ka dëshmuar se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë “jofunksional” dhe vetëm "në letër". Megjithatë, ai tha se këto pretendime do të hidhen poshtë gjatë gjykimit.

Ndërkaq, prokurori i specializuar Matthew Halling, ka nisur dha një historik se si u krijua UÇK-ja. Ai tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte LDK-ja, që ishte rezistencë paqësore.

Ai po ashtu përmendi disa prej deklaratave të bëra nga të pandehurit më herët në media, lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe vetë UÇK-në, duke prezantuar edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme.

Thaçi, Veseli dhe Selimi, sipas prokurorisë, themeluan “Shtabin e Përgjithshëm dhe e nisën këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe Krasniqi ishte anëtar i drejtorisë politike.

Mbrojtja e të pandehurve më herët ka thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim.

Prokuroria: Nuk po gjykohet UÇK-ja

Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta, e jo me gjithë UÇK-në.

Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve.

Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.

Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

Whiting: Fitimi i pushtetit, motivi i kryerjes së krimeve

Whiting po vazhdon të paraqesë rastin e Prokurorisë.

Ai tha se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.

“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.

Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.

Prokuroria thotë se shumica e viktimave ishin shqiptarë

Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka nisur deklarimin e tij. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm.

Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë "mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë", por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.

"Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata", theksoi Whiting.

"Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve", shtoi ai.

Protestë në Hagë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së

Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin Laan van Reagan en Gorbatsjov në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës ku më 3 prill ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat