Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Aktuale

Përfundon dita e parë e gjykimit e ish-pjestarëve të UÇK-së

Më: 3 prill 2023 Në ora: 07:51 Përditësuar në ora: 10:12 më 03.04.2023
Hagë, 3 prill 2023.

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm

Gjykatësi ka kërkuar nga të pandehurit që të deklarohen sërish për aktakuzën e plotësuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Hashim Thaçi tha se "jam plotësisht i pafajshëm".

Veseli u deklarua "tërësisht i pafajshëm".

Selimi u shpreh se "jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës".

Ndërkaq, Krasniqi tha se nuk ka "asnjë lidhje me pikat e aktakuzës".

"Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza", theksoi ai.

Prokuroria: Të pandehurit kanë personalisht përgjegjësi penale për krimet

Prokuroria e Specializuar ka nisur deklaratën hyrëse. Prokurori po lexon pikën 176 dhe 177 të aktakuzës së plotësuar që flet për përgjegjësinë e tyre të dyshuar penale për pikat e aktakuzës.

Paraprakisht, mbrojtja dhe Prokuroria janë pajtuar që në këtë seancë të mos lexohet e gjithë aktakuza, por vetëm disa pjesë të saj.

Prokuroria pretendon katër ish-krerët e UÇK-së dhe ish-pjesëtarë të tjerë, kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale".

Prokuroria tha se të pandehurit kanë “personalisht përgjegjësi penale” për dhjetë pikat e aktakuzë.

Nisin deklaratat hyrëse në Hagë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Prokurori i Specializuar do të ketë maksimum pesë orë kohë për të mbrojtur rastin

Shikoni drejtpërdrejt seancën e Gjykatës Speciale:

Hapja e gjykimit kundër krerëve të UÇK’së, çfarë pritet të ndodhë sot në Speciale

Sot do të hapet gjykimi kundër krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Specialja dje ka njoftuar se deklaratat hyrëse do të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill duke filluar nga ora 09:00.

Specialja njofton se secili prej të akuzuarve “është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”.

Ndërkaq, trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

“140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.”

Njoftimi i plotë:

HAPJA E GJYKIMIT TË HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, REXHEP SELIMIT DHE JAKUP KRASNIQIT NË DHOMAT E SPECIALIZUARA TË KOSOVËS

Më 3 prill 2023, në Dhomat e Specializuara të Kosovës do të hapet gjykimi kundër zotit Hashim Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë (DHSK). Është planifikuar që deklaratat hyrëse të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit. Seancat gjyqësore mund të përcillen në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte përmes funksionit të transmetimit në faqen e DHSK-së në internet, me një vonesë 45-minutëshe.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është aktualisht aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

KOMUNIKATË PËR SHTYP

Nr.5/2023 Hagë, 31/03/2023

Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill.

140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

Datat dhe oraret e të gjitha seancave publike të planifikuara mund të shihen në kalendarin e gjykatës në faqen e DHSK-së. Gjithashtu, në kanalin e DHSK-së në YouTube do të jetë incizimi i deklaratave hyrëse.

Qytetarë para Gjykatës Speciale në Hagë

Para nisjes së gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë të Holandës, disa qytetarë janë parë para ndërtesës së Gjykatës Speciale.

Në 09:45 pritet të nisë dita e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Kujtojmë se që prej nëntorit të vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së fillon të vijë në Gjykatën Speciale

Mbrojtja e të akuzuarve ka filluar të vijë në Gjykatën Speciale.

Deri tani është parë të kenë arritur avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe si dhe ai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Ben Emmerson.

Po ashtu, aty ka arritur edhe kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekaterina Trendafilova.

Në Gjykatën Speciale fillon sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se kanë kryer krime lufte.

Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.

Ndërsa në mbështetje të tyre, në prag të fillimit të gjykimit, në Prishtinë është mbajtur një marsh.

Ndërkaq sot në Hagë, në afërsi të objektit të Gjykatës Speciale, shqiptarë të diasporës do të mblidhen në një protestë paqësore për të treguar mbështetjen e tyre për të akuzuarit si dhe luftën e UÇK-së.

Sot nis gjykimi ndaj ish-pjestarëve të UÇK-së

Sot, nis gjykimi ndaj katër ish-pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për vrasje, torturë dhe zhvendosje me forcë, akuza që lidhen për periudhën e luftës së fundit në Kosovë, gjatë vitit 1998/99.

“Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022.

Gjykata Speciale ka njoftuar se 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

“Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.

Përveç ish-pjestarëve akuza për krime lufte janë ngritur edhe ndaj dy komandantëve Salih Mustafës e Pjetër Shalës. Mustafa në gjykimin e parë të përfunduar është dënuar më 26 vjet burgim, derisa gjykimi i Shalës ka filluar këtë vit. Ndërsa, dy pjesëtarët e tjerë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, më parë janë dënuar për pengim administrativ të drejtësisë me 4 vite e tre muaj burgim.

Dje, në kryeqytet është mbajtur “Marshi për Drejtësi”, i organizuar në përkrahje të ish-pjestarëve të UÇK-së, të cilët gjenden në Hagë. Marshi, i organizuar nga platforma “Liria ka emër”, nisi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat