Në kuadër të vizitës që po bëjnë në Kosovë oficerët e “Kursit të Lartë të Oficerëve” nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë i Republikës së Shqipërisë, sot kanë vizituar Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe janë pritur nga Shefi i Stafit të SHP-së, gjeneral brigade Ilir Qeriqi dhe stafin e Shtabit.
Në një njoftim për media nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) thuhet se oficerët u njoftuan me të arriturat e FSK-së, sfidat dhe objektivat për të ardhmen, bashkëpunimin me partnerët e në mënyrë të veçantë Republikën e Shqipërisë për kontributin dhe ndihmën që ka dhënë dhe po jep në ndihmë FSK-së, në ngritjen profesionale oficerëve e nënoficerëve të FSK-së.
Në njoftim thuhet se gjeneral Qeriqi falënderoi oficerët në emër të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, për të siguruar një ndërveprueshmëri trupash e vizionesh të përbashkëta për të kontribuar për paqen dhe sigurinë në rajon dhe në botë.
“Për të pranishmit shefi i operacioneve dhe trajnimeve në shtabin e përgjithshëm kolonel Astrit Haliti ka brifuar informacione me interes për oficerët rreth operacioneve dhe trajnimeve të FSK-së”, thuhet në njoftimin nga FSK-ja.
Tuje bëhet e ditur në njoftim se oficerët e lartë gjatë vizitës në Kosovës do të vizitojnë edhe njësit e FSK-së, për të parë nga afër kapacitetet e FSK-së, organizimin, strukturën, pajisjet e që do jenë një material i mirë për çështjet studimore të oficerëve nga Kolegji i Mbrojtjes dhe Sigurisë së Republikës së Shqipërisë.