Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Aktuale

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Nga: Bota sot Më: 20 prill 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 12:33 më 20.04.2023
Kuvendi i Kosovës

Tahiri i bën thirrje Kurtit që ta shkarkojë bordin e KEK-ut dhe kryeshefin ekzekutiv

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që sot ta mbledhë urgjentisht Qeverinë, për të shkarkuar tërë bordin e KEK-ut dhe kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqin, pasi që ky i fundit u bastis dhe u arrestua dje, nën akuzat për keqpërdorim të detyrës.

“Po e shohim se po ekziston një siklet i madh tek ju dhe tek grupi parlamentar.

Unë po ta përkujtoj që gjënë e parë që duhet ta bëni sot ju si kryeministër është që ta mblidhni urgjentisht Qeverinë, ta shkarkoni bordin e KEK-ut dhe ta lironi nga detyra kryeshefin i cili po mbahet tash në burg. Ai po mbahet në detyrë edhe nga Martin Berishaj, edhe nga Albin Kurti”, tha Tahiri.

“Sot më e pakta që mund t’i bëni për t’i hapur rrugë hetimeve është shkarkimi i komplet bordit të cilët janë njerëz të juaj që i kanë shërbyer prokurorëve specialë dhe tani ju shërbejnë juve”, deklaroi ai.

Murati përplaset me opozitën për Projektligjin për Tatimin në Pronë

Miratimi në Komisionin për Buxhet i Projektligjit për Tatimin në Pronë, ku qytetarëve do t’u falen 100 euro nga faturat, ka nxitur përplasje në Kuvendin e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri kërkoi nga kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati që të tregojnë se pse e kanë marrë këtë vendim.

“A ka mundësi me na tregu pse po doni mi bankrotua komunat me ligjin për faljen e Tatimit në Pronë, 40% të buxhetit të vitit të ardhshëm për të hyra vetanake po dëshironi me ua humb. Po ju duket qesharake është turp që po qeshni, a është synim politik me i bankrotua komunat apo çka. Nëse doni me fal tatimin në pronë subvencione”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se “nëse është vendim politik ne do ti përdorim të gjitha mekanizmat për ti ndalë këto”.

Pas kësaj është përgjigjur ministri Hekuran Murati. Murati ka thënë se Projektligji për Tatimin në Pronë ka ardhur si rezultat i kërkesës nga ky paralamet.

“Ka qenë pikërisht opozita që ka kërku të lehtësohet barra e qytetarëve sa i përket Tatimit në Pronë. Pas diskutimeve që kemi pas në Komisionin për Buxhet ka ardh ky Projektligj. Kërkesa dhe propozimi për faljen deri në 100 euro të faturave të secilit qytetar ka rrjedhë pas diskutimeve që janë ngrit nga deputetët opozitarë”, tha Murati.

Ministri shtoi se nuk është synimi që të bankrotojnë komunat, përkundrazi për vitin e ardhshëm parashihet rritje e buxhetit për komunat.

“Sa i përket të hyrave vetanake ajo çështje është rregulluar me nenin dhe me amendamentin që ka propozu LDK. A e kanë bërë mirë apo gabim mund ta vlerësoni edhe ju, nëse nuk kanë ditë me shkru qysh duhet le t’na tregojnë dhe e shqyrtojmë gabimin”, tha Murati.

​Bajrami: Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flasim për energji

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se arrestimi i djeshëm i kryeshefit të KEK-ut është “maja e Ajsbergut” Sipas saj, ambasadori Martin Berishaj është “elefanti në dhomë” sa herë flitet për energji.

Sipas saj, deputetët e pushtetit kanë frikë sa herë që organet e drejtësisë tentojnë të hetojnë skandalet e korrupsionit.

“Jemi që dy vite me masa emergjente për furnizim të energjisë elektrike, gjë që shkon në funksion të importit dhe gjë që shkon në funksion të negocimit të drejtpërdrejt të tenderëve. Martin Berishaj është ‘elefanti në dhomë’ sa herë flasim për energji. Profesori që pa verifikim të AKI-së për 24 orë pajisjet me pasaportë dhe emërohet ambasador. Njeriu i cili ka organizuar pritjen dhe ndeja private për udhëheqës të LVV-së dhe deputetë të Listës Guxo. Martin Berishaj po hetohet për një mega-skandal 4 milionë euro transaksione, të gjitha këto të dhëna të njësisë së inteligjencës financiare, të cilat as ai vet nuk i ka kontestuar asnjëherë”, ka thënë ajo.

Më tej, ka përmendur edhe tenderin për të cilin akuzohet kryeshefi Nagip Krasniqi, ku shtoi se i njëjti është negociuar për gjashtë ditë.

Bajrami: Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut

“Arrestimi i drejtorit të KEK-ut dje është maja e Ajsbergut, e cila tregon se cilat janë politikat e Qeverisë Kurti në energji. Contour Global nuk do të ndodhë sepse ishte shumë i shtrenjtë, për 83 euro megavati orë energji elektrike, ky është faktikisht drejtori i cili i dha idenë Kurtit që të del kundër Counturit. Mirëpo, çka ka ndodhë në KEK? Dje ne e kishim prangosjen e Nagip Krasniqit i cili sipas raportimeve të mediave po hetohet për një tender 3,4 milionë euro. Të cilin i kishte dhënë kompanisë në fjalë për vetëm gjashtë ditë negociim, tender ky që për nëntë muaj kishte dështuar që të bëhej. Dhe sa është kostoja e mos-funksionimit A5 për nëntë muaj? Për nëntë muaj të mos-funksionimit të bllokut A5, buxhetit të Kosovës i ka kushtuar 1 milion euro në ditë”, ka shtuar Bajrami në seancën plenare.

Deputeti i VV-së: Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se opozita po përpiqet ta paraqes VV-në veten e tyre. Ai teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, shtoi se i njëjti është një nga profesionistët e Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka thënë se raportet e organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë flasin për gjendjen e rëndë në atë prokurorial për dështim të trajtimit të rasteve të korrupsionit.

“Kur jemi tek mostrajtimi i rasteve të korrupsionit dhe hedhjes së kallëzimeve penale, pushimeve të hetimeve, organi i akuzës vazhdon avazin e vjetër, tashmë në trajtë tjetër. Nëse dikur rehabilitonte korrupsionin duke e trajtuar si kundërvajtje përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta e jo-koherente, tani më nuk trajton qindra dosje të dorëzuara nga institucione të ndryshme për keqpërdorime me miliona euro”, tha Rrustemi.

Ai ka shtuar se edhe bordi e KEK-ut ka dorëzuar lëndë flagrante në prokurori.

“Nuk ka asnjë rëndësi se a është, a nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Sot shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada. Për të tjera që lidhen me ngjarjen e djeshme, zotëri Krasniqi do të përgjigjet vet dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendosjen si vetën tuaj është e dëshpëruar dhe e pashpresë”, ka shtuar ai.

​Kurti: Në Prokurorinë e Shtetit ka disponim negativ ndaj qeverisjes sonë

Kryeministri Albin Kurti tha se në Prokurorinë e Shtetit ekziston një disponim negativ ndaj qeverisjes së tij.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kurti tha se ka pasur gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit ekzekutivit të KEK-ut.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit, dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë”, tha ai.

Kurti tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që sipas tij kanë gjetur aty.

Kurti: Pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut

“Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri. Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit, Krasniqi. Por, ky është i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa ne KEK, në të kaluarën, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga prokuroria. Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet që i ka gjetur aty. Por zelli i prokurorisë për tu marrë me deponimet e fakteve, e dëshmive për keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero”, tha Kurti. 

Kurti: Në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por nuk janë trajtuar nga prokuroria

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka folur rreth rastit të arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës Nagip Krasniqi.

Kurti tha në seancën e kuvendit se në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por nuk janë trajtuar nga ana e prokurorisë.

“Është e vërtetë që pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi, mirëpo ky është fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.

Ai theksoi se me rastin e kryeshefit të KEK-ut ka pasur gëzim tek opozita.

“Është e vertëtë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai është në ndalje per 48 orë. Eshte sistemi i drejtësisë që merret me çështjen e drejtësisë.  Kjo çështje ka fakte urojmë që ato të mërren me profesionalizëm dhe përpikëri”, theksoi ai.

​Opozita lëshon seancën e Kuvendit

Grupet Parlamentare opozitare, PDK, LDK dhe AAK kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës.

Shefi GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se nuk do të qëndrojnë në seancën e sotme plenare. Pas dështimit të mocionit për raportimin e ministres Artane Rizvanolli në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, ai tha se opozitës po i mohohet e drejta për një debat parlamentar.

Ai theksoi se pas deklarimeve jashtë të rendit të ditës, deputetët e PDK-së nuk do të qëndrojnë në sallë për vijimin e pikave tjera të rendit të ditës. Tahiri ka konsideruar se është e dëmshme që të votohet kundër debatit me ministren Rizvanolli.

Tahiri: Nuk do të qëndrojmë në këtë seancë

“Si Grup Parlamentar pas deklarimeve jashtë rendit të ditës, nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë, sepse është e pakuptimtë që të vazhdojmë debatin në çështje të tjera, përderisa neve si opozitë na mohohet një e drejtë fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, partia në pushtet po e mbron kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ky i fundit është arrestuar gjatë ditës së djeshme.

Tahiri: Kemi parë një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për ta mbrojtur një person të fuqishëm

“Ne kemi parë një tendencë të vazhdueshme të qeverisë për ta mbrojtur një person jashtëzakonisht të fuqishëm. Edhe në kuadër të komisionit dhe intervistimit që kemi pas me Krasniqi, ne kemi pa fuqinë e tij politike dhe atij nuk i bënte përshtypje fare as ZRRE-ja, as ministrja e energjisë, as debatet parlamentare të cilat ne i ngrisnim, sepse kishte një lidhje direkte me kryeministrin Kurti dhe ndjente një siguri të fuqishme, pikërisht në abuzimet të cilat i bënte në vazhdimësi. Kur ne i thoshim se si vepron një kryeshef i KEK-ut në kundërshtim me ZRRE-në, ai thoshte kështu jam unë, këto janë rregulla që përcaktoj unë, sepse drejtoj KEK-un. I njëjti sot është në paraburgim dhe ju sot na mohoni një debat parlamentar me ministren e cila e mbikëqyr punën pikërisht të personit në fjalë”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka përsëritur se ditëve në vijim do të procedojnë denoncimet për kryeshefin Nagip Krasniqi.

Tahiri: I njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar

“Ne në kuadër të komisionit tonë hetimor parlamentar që kemi punuar për gjashtë muaj, kemi nxjerrë në pah një mori të keqpërdorimeve dhe abuzimeve, pikërisht të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Pra, i njëjti ka subvencionuar faturat e energjisë elektrike pa vendim të bordit që nuk mund të ndodhë, pra drejt një kompanie private siç është KESCO dhe KEDS-i, i njëjti ka negociuar tendera një burimor. Si drejtues i kompanisë energjetike më të madhe në vend të prodhimit të energjisë elektrike, pra i njëjti ka ushtruar ndikim mbi personat zyrtar, ka pas konflikt interesi, dhe të gjitha këto janë raportuar në kuadër të komisionit hetimor parlamentar të cilin në e kemi diskutuar”, ka shtuar ai.

Shefi i deputetëve të PDK-së shtoi se kupola e këtij keqmenaxhimi është ambasadori Martin Berishaj.

LDK lëshon sallën: S’marrim pjesë më në asnjë votim, as në komisione dhe do ta shqyrtojmë edhe për kryesi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ky subjekt politik nuk do të marrë pjesë në asnjë votim në kuvend.

Ai ka thënë se do të shkojnë edhe më tej, duke mos marrë pjesë në votim as nëpër komisionet parlamentare.

Do ta shqyrtojmë shpejt edhe marrjen pjesë në votim në kryesi. Është puc institucional kapja e buxhetit të komunave.

Ka sjellje tekanjoze dhe është e palejueshme dhe e patejkalueshme”.

Pas kësaj të gjithë deputetët e LDK-së kanë lëshuar seancën.

Ministrja e VV’së godet prokurorinë pas arrestimit të Krasniqit: Uroj të jenë efikas edhe për rastet tjera

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se ende s’kanë ndonjë informatë zyrtare nga institucionet e drejtësisë lidhur me bastisjen e djeshme në KEK dhe arrestimin e Kryeshefit Nagip Krasniqi.

Rizvanolli ka thënë se do të presin “faktet dhe informacionet”, para se të deklarohen.

“Në lidhje me rastin e bastisjes të djeshme, ne si Ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare. Do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë, para se të shprehemi. Dhe gjithashtu do të jemi në kontakt me Bordin në lidhje me zhvillimet atje”, ka thënë Rizvanolli në Kuvendin e Kosovës.

Edhe Rizvanolli ka goditur Prokurorinë për këtë arrestim, duke thënë se uron që të veprojnë kështu edhe për rastet e tjera që janë raportuar, që sipas saj janë 17, e për të cilat ka thënë se Prokuroria s’ka marrë ndonjë veprim.

“Uroj që dyshimet ndaj Kryeshefit të KEK’ut, Nagip Krasniqi, uroj që eficienca e Prokurorisë në rastin e dyshimeve ndaj Nagip Krasniqit, të jetë e njëjtë edhe për rastet e tjera të cilat janë raportuar”, ka shtuar Rizvanolli.

Prokuroria Speciale ka njoftuar dje se është arrestuar Kryeshefi i KEK’ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.

I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

“Me aktvendim të prokurorit të shtetit i pandehuri me inicialet N.K., është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Rrustemi i VV-së: Kryeshefat po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe krim të organizuar

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se kryeshefat e ndërmarrjeve publike po po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar “që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada”, duke folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

“Lidhur me atë që u tha për Nagip Krasniqin, nuk ka asnjë rëndësi se a është apo nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Nagip Krasniqi është një nga profesionistët e Kosovës. Shumë kryeshefa ekzekutiv po ballafaqohen me keqpërdorime të egra dhe po i bëjnë ballë krimit të organizuar që është instaluar brenda këtyre ndërmarrjeve me dekada”, tha Rrustemi nga foltorja e Kuvendit.

Tutje Rrustemi tha se përpjekja e opozitës për ta paraqitur LVV-në “si veten”, është e dëshpëruar dhe e pashpresë.

“Për të tjerat që lidhen me ngjarjen e djeshme zoti Krasniqi do të përgjigjet vetë dhe do ta kuptojmë të gjithë të vërtetën, por përpjekja juaj për ta paraqitur Vetëvendsojen si vetën tuaj, është e dëshpëruar dhe e pashpresë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat