Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Aktuale

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, deklarohet kryeministri Kurti - opozita lëshon sallën

Nga: Bota sot Më: 20 prill 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 11:43 më 20.04.2023
Kuvendi i Kosovës

Bajrami për arrestimin e drejtorit të KEK-ut: Qeveria po i frikësohet drejtësisë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, vlerëson se arrestimi i drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, tregon qartë politikat e Qeverisë Kurti për energjinë në Kosovë.

“Nuk ka asnjë veprim për dy vitet e qeverisjes për kapacitete energjetike pasi të gjitha këto shkojnë në funksion të importit të energjisë, që dy vjet jemi me masa emergjente të energjisë qe shkon në funksion të importit”.

“Arrestimi i drejtori të KEK-ut është maja e ajsbergut që tregon se cilat janë politikat e Qeverisjes Kurti për energjinë. Dje ne kishim prangosjen e Nagip Krasniqit që sipas raportimeve po hetohet për një tender 3.4 milionë euro që ia kishte dhënë një kompanie për vetëm gjashtë ditë negocim e i njëjti për 9 muaj nuk kishte funksionuar”, tha Bajrami.

Bajrami, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, tha se Qeveria po i frikësohet drejtësisë pas arrestimit të Krasniqit.

“Shqetësuese janë edhe reagimet e deputetëve të VV-së kundrejt organit të akuzues, pse e keni gjithë këtë frikë sa herë që organet e drejtësisë tentojnë të hetojnë skandalet? Ju po frikoheni se po mendoni që drejtësia ndahet vetëm në baza partiake, nuk ka pasur asnjëherë parti politike që në mënyrë të sinkronizuar kanë akuzuar organet e drejtësisë”, u shpreh Bajrami.

Bajrami, mes tjerash, tha se LDK-ja bashkë me qytetarët nuk do ta lënë drejtësinë në duart e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas saj vetëm drejtësi nuk mund të bëjnë.

​Kusari-Lila: Serioziteti i Qeverisë pamundësoi shtyrjen e liberalizimit të vizave

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila tha se Kosova është ballafaquar me numrin më të lartë të kritereve teknike për liberalizimin e vizave.

Ajo theksoi se dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për një dekadë udhëtimin pa viza. Sipas saj, serioziteti i Qeverisë Kurti pamundësoi shtyrjen e mëtutjeshme për lëvizje të lirë të qytetarëve.

Në seancën e sotme plenare, Kusari Lila u shpreh se kjo barazi me popujt tjerë evropianë duhet të shërbejë si motiv dhe reflektim në përmirësimin e jetës.

Kusari-Lila: Dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi

“Dje u përmbyll procesi më i gjatë dhe i vështirë i liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj. Pas nënshkrimit të këtij akti, dje në Strasburg u përmirësua një padrejtësi e cila pengoi për dhjetë vite me radhë udhëtimin në zonën Schengen pa viza për kosovarët. Përveç faktit se Kosova u ballafaqua me numrin më të lartë të kritereve teknike, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ky proces fatkeqësisht ndër vite u lidh edhe me procese politike të cilat në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kisha asnjë ndërlidhje mes veti. Në dy vitet e fundit, shtyrja e procesit u ndërlidh me dialogun Kosovë-Serbi dhe pa arsyetime formale, liberalizimi i vizave përdorej si shkak i kushtëzimit të Kosovës sipas dinamikës së dialogut, në të cilën i suksesi i procesit nuk varet nga njëra palë e aq më pak nga pala e dëmtuar në këtë rast, Kosova”, ka thënë ajo.

Shefja e deputetëve të shumicës shtoi se përkundër vonesës është lajm motivues, lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

Kusari-Lila: Serioziteti i qeverisë Kurti pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimet e mëtutjeshme

“Serioziteti i qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për shtet të së drejtës, për transparencë dhe llogaridhënie, për liri të fjalës dhe media të lira, progresi i vendit në indikatorët ndërkombëtarë, si Freedom house, indeksi i lirisë së shtypit, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtje në llogaridhënie Serbinë në procesin e dialogut, pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimit të mëtutjeshëm të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”, ka shtuar ajo.

Kusari Lila u shpreh se Kosovën tashmë e pret një proces tjetër i rëndësisë së lartë që është anëtarësimi në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Tahiri: Qeveria në panik nga aferat korruptive brenda saj

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria Kurti është në panik nga aferat korruptive brenda saj.

“Ajo që duhet të thuhet sot zëshëm në këtë Kuvend është që mega skandali i djeshëm në KEK, dhe veprimi i orkestruar i mbrojtjes para se me u ditë as hetimi për çka, as çfarë tenderësh janë, as për çfarë arsye ka shku Policia e Prokuroria në KEK, tregon shumë qartë panikun që ka kjo qeveri në raport me këto afera korruptive”, tha Tahiri.

Ai shtoi se sulmet e djeshme që u janë bërë organeve të pavarura të drejtësisë, tregon për një alarm që është në qeveri në raport me këtë aferë korruptive por edhe me afera tjera potenciale që mund të vinë tek OSHP-ja.

“A është kjo drejtësia që ju e keni proklamuar, a nuk është e mundur që këtë hetim tua lëmë organeve përgjegjëse. Ajo që shihet është se ky është vetëm fillimi, dhe zinxhiri në emër të 51% korruptiv po shihet se do të jetë i gjatë. Kërkesa ime për ju është që mos e mbroni siç e keni mbrojtur aferën korruptive të Martin Berishajt”, tha Tahiri.

Arrestimi i drejtorit të KEK-ut, PDK kërkon raportimin e ministres Rizvanolli

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që në seancën e sotme të raportojë ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli. Pas arrestimit të djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, kjo parti ka kërkuar që ministrja të japë informacione mbi këtë situatë. Këtë mocion nuk e ka mbështetur shumica parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka propozuar një mocion për ndryshim të rendit të ditës, që të mundësohet raportimi i Rizvanollit.

Tahiri: Kërkojmë që në pikë të parë të rendit të ditës të jetë raportimi i ministres

“Si GP i PDK-së bazuar në rregulloren e kuvendit, në pikën 94 të shqyrtimit të çështjeve urgjente, kërkojmë që tashmë të vendoset si pikë e parë të rendit të ditës, raportimi i ministres së Zhvillimit Ekonomik mbi arrestimet e djeshme që kanë ndodhur në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ne e dimë që KEK drejtohet nga një bord i emëruar nga Qeveria e Kosovës, ky bord e ka emëruar një kryeshef, i cili ka qenë zyrtar i lartë i partisë në pushtet, zyrtar i lartë i LVV-së. Dhe ditën e djeshme një zyrtar i tillë është arrestuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se së shpejti do të dorëzojnë dosje në prokurori për abuzimet, siç ka thënë ai, që janë bërë nga kryeshefi i KEK-ut.

Tahiri: Kemi përgatitur një dosje për ta dorëzuar në prokurori

“Si Grup Parlamentar tash e një vit e gjysmë i kemi ngritur shqetësimet tona rreth abuzimeve që kanë ndodhur dhe keqmenaxhimeve dhe krizës energjetike në Republikën e Kosovës. Pra, kemi themeluar edhe një komision hetimor, ku tashmë kemi përgatitur edhe një dosje për ta dorëzuar në prokurori, për shkeljet që ka bërë pikërisht kryeshefi i KEK-ut. Ne kemi parë që atë ka ndodhur një abuzim jashtëzakonisht i madh, prej subvencionimit të tarifave, pastaj tenderat një burimor dhe shumë çështje të tjera që lidhen me punësime”, ka shtuar Tahiri.

Por, ky mocion nuk ka marrë votat e mjaftueshme të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Konjufca: Mocioni nuk mund të kalojë

“77 deputetë votuan, morën pjesë në votim, për mocionin ishin 32. Kurse kundër mocionit ishin 45. Prandaj mocioni nuk mund të kalojë”, ka njoftur kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Kuvendi shqyrton propozim-rezolutën për shpenzimet e qeverisë

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës.

Seanca do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.

Në rend dite është votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive Ekzekutive, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për  Prokurorin e Shtetit, votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”, votimi i rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”, shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator sistemi, transmisioni dhe tregu sh. A.) dhe  Frankfurt am Main (KFW) dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Po ashtu Kuvendi do të shqyrtojë dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe shqyrtimi i Propozim-rezolutës për shpenzimet e parasë publike për dy vite mandat të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat