Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Aktuale

Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Nga: Bota sot Më: 23 prill 2023 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 15:11 më 23.04.2023
Qendër e improvizuar e votimit në Jarinjë - pjesa veriore e Kosovës.

Nga 1 098 votues, në Suhodoll votuan 148 deri në ora 14:00

Në shkollën “Aziz Sylejmani” në fshatin Suhodoll në Mitrovicën e veriu, deri në orën 14:00 kanë votuar 148 votues.

Sipas kryesues së kësaj qendre të drejt votë kanë 1098 votues, sipas saj deri tani procesi ka shkuar ne rregull dhe pa probleme.

Kurse në Lagjen e Boshnjakëve kanë votuar 270 votues.

Këto zgjedhje po mbahen pasi serbët, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë për targat, u larguan nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Në këto zgjedhje nuk do të marrë pjesë partia më e madhe e serbëve, Lista Serbe, pasi pjesëmarrjen e tyre LS e ka kushtëzuar me krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

​Konjufca: Zgjedhjet në veri po mbahen në atmosferë të qetë dhe demokratike

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka ftuar qytetarët me të drejtë vote, që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje që po mbahen në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok

Procesi zgjedhor në katër komunat veriore, siç ka shkruar Konjufca, po organizohet në atmosferë të qetë dhe demokratike, raporton KosovaPress.

Më tej, Konjufca ka thënë se vota e qytetarëve do të ketë ndikim të madh në vendimmarrje lokale dhe ndryshime të përgjithshme pozitive.

Lexoni shkrimin e plotë:

Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.

Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.

Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj.

KFOR dhe Policia e Kosovës vazhdojnë monitorimin e gjendjes në veri

KFOR-i së bashku me zyrtarët e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar të monitorojnë gjendjen në veri.

Deri tani situata është nën kontroll dhe nuk raportohet për ndonjë incident apo ndonjë pengesë gjatë procesit të votimit.

Deri në orën 11:00 sipas të dhënave nga KQZ-ja 313 qytetarë  kanë votuar në Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Vendvotimet do të jenë të hapura deri në ora 19:00.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në votime.

Te “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicë të Veriut kanë votuar vetëm 15 qytetarë deri tani

Sot janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Në këto zgjedhje nuk është parë numër i madh i qytetarëve, madje te “Tre rrokaqiejt” deri tani kanë votuar 15 persona, duke qenë se shumica në listat e votimeve janë të komunitetit serb.

Situata në këtë komunë është e qetë, teksa 191 qytetarë kanë votuar deri tani në Mitrovicën e Veriut.

Zgjedhjet e parakohshme lokale po mbahen sot në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri, që do të shërbejnë si qendra votimi. Policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për një mjedis të sigurt gjatë procesit zgjedhor.

Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.

Ndërsa Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk merr pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë që ta bojkotojnë procesin. Thirrje të ngjashme bëri edhe Beogradi zyrtar.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.

Sheholli: Zgjedhjet nuk po i bojkotojnë vetëm serbët, por edhe shqiptarët

Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli ka folur drejtpërdrejtë nga vendvotimi në tek Tre Rrokaqiejt në Mitrovicë të Veriut.

Ai ka deklaruar se nga numri jashtëzakonisht i vogël i votuesve vërehet se zgjedhjet nuk janë duke u bojkotuar vetëm nga serbët por edhe nga shqiptarët.

“Nga ajo që po vërejmë mua më duhet ta them se nuk është bojkoti vetëm i serbëve por siç duket edhet shqiptarët janë duke i bojkotuar sepse është një numër jashtëzakonisht i vogël i njerëzve në këtë qendër votimi ku jemi, deri tash ora 13:00 pothuajse kanë dal krejt 16 persona të votojnë”, ka deklaruar ai.

“Siç duket edhe një pjesë e madhe e shqiptarëve, jo vetëm por edhe boshnjakëve dhe turqve e vërejnë këtë të themi legalitet të konceptit të mbajtjes me ligj dhe kushtetues. Por sipas të gjitha gjasave edhe ata jenë të vetëdijshëm se kjo çështje mund të marrë masa të tjera”, ka thënë tutje ai.

​Zeqiri: Serbëve të veriut po u bëhet presion nga shteti serb

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Zubin Potokun, Izmir Zeqiri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Ai ka thënë se serbëve të veriut po u pamundësohet një gjë e tillë, ani pse të njëjtit kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor.

Kandidati për kryetar të Zubin Potokut pasi ka votuar në qendrën e votimit tha se zgjedhjet po vijojnë pa probleme. 

Zeqiri: Uroj që këto zgjedhje të dalin të suksesshme 

E kryem obligimin tonë qytetar e kushtetues, votuam për këto zgjedhje të cilat uroj që të dalin të suksesshme edhe me siguri ashtu. Si duket procesi po shkon në gjendje të rregullt dhe mirë. Uroj që këto zgjedhje të pranohen dhe të jenë të suksesshme. Unë kisha bërë thirrje edhe prej këtu gjithë qytetarëve që të dalin dhe të kryejnë obligimin e tyre qytetar dhe kushtetues”, ka thënë ai.

Zeqiri shtoi se serbëve të veriut po u presion nga shteti serb, ani pse të njëjtit kanë dëshirë që të marrin pjesë në këto zgjedhje. 

Zeqiri: Nuk e di a ka votues serb, dihet presioni nga shteti serb 

“Besoj që fluksi i qytetarëve në këtë qendër do të jetë prej tani e tutje. Sa i përket serbëve, nuk e di a ka ndonjë votues, dihet presioni që po ju bëhet nga ana e shtetit serb. Kemi pritur dhe presim që edhe ata... Unë konsideroj që atyre po u bëhet një krim me atë ngushtim të jetës së tyre, sepse ndoshta unë jam shumë i besueshëm që me dëshirë do të dilnin një pjesë një pjesë e madhe po të kishin qenë të lirë. Meqë kanë qenë ato sulmet paraprake, prona, vetura. Dhe ato janë marrë një lloj presioni, që ose duhet të jenë të dëgjueshëm atyre grupeve që i mbajnë nën presione. Mirëpo unë besoj që duhet të dalin dhe uroj që të dalin në zgjedhje”, ka shtuar ai. 

Kandidati i PDK-së për kryetar të Zubin Potokut është pyetur edhe nëse janë kushtet, në rast se zgjidhet kryetar, që ta marrë këtë post. 

Zeqiri: Unë jam i gatshëm që të udhëheq me Komunën 

“Fjalën do ta thotë ligji, unë jam i gatshëm të marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr Komunën. Është çështje etike vendosja e administratës në komunë, për momentin dihet se jashtë funksionit”, ka përfunduar ai. 

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë, prej të cilëve 6 mijë e 661 votojnë në Komunën e Zubin Potokut.

Kryeziu deklarohet nga Zveçani: Ky proces nuk i plotëson standardet për t’u quajtur proces zgjedhor

Ismet Kryeziu nga DnV ka thënë se rrethanat në të cilat po zhvillohet procesi zgjedhor nuk garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe barabarta.

“Mendoj që Demokracia në Veprim në fillim të këtij procesi ka deklaruar se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi duke vepruar. Nuk janë rrethana që garantojnë zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta, nuk plotësojnë standardet e zgjedhjeve. Dhe sot në këtë proces duke parë refuzimin e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në zgjedhje dhe numrin e vogël që s’mund të kalojë as gishtërinjtë e dorës. Mendoj që ky proces është më tepër improvizim i procesit zgjedhor sesa një proces që garanton standardet e zgjedheve të drejta dhe të lira ku përfshihen komunitete”, ka thënë ai në televizionin publik drejpërdrejt nga Zveçani.

“Unë mendoj se përveç legjitimitetit juridik, ky proces nuk ka legjitimitet politik”, tha Kryeziu.

“… mendoj që nuk i plotëson standardet ky proces për t’u quajtur proces zgjedhor i ndershëm dhe për të garantuar standardet dhe idenë pse po mbahen zgjedhjet.”

Voton kandidatja e PDK-së për Leposaviq, fton për pjesëmarrje në zgjedhje

Ka votuar kandidatja e PDK-së për Leposaviq, Albulena Hetemi.

Ajo më pas u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Unë sapo votova, e kryva obligimin tim qytetar, i ftoj të gjithë qytetarët që të dalin masovisht në këto zgjedhje.

Unë për këto zgjedhje pres që çdo gjë të jetë në rregull dhe të mos ketë incidente”, u shpreh ajo.

Qytetari nga Leposaviqi: Para kutive të votimit po qëndrojnë përfaqësuesit e Listës Serbe

Qytetari nga Leposaviqi, Milomir Martinoviq tregon se para vendvotimeve po qëndrojnë përfaqësues të Listës Serbe.

Sipas Martinoviqit, këta përfaqësues janë duke marr mëditje.

“Mora pjesë në zgjedhje dhe sigurisht e votova atë që e kam pëlqyer. Mund t’iu them se Lista Serbe ka përfaqësuesit e saj para kutive të votimit. Kjo do të thotë se përfaqësuesit e saj mund ta marrin mëditjen a ne të tjerët jemi së bashku”, thotë Martinoviq në një video të publikuar në Facebook.

Sot, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, janë duke iu drejtuar qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Mirëpo, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë: Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Sveçla nga Mitrovica: S’po vërehet ndonjë tendencë për eskalim, Policia është e përgatitur për siguri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se është në Mitrovicë për ta përcjellur nga afër situatën e sigurisë në veri, kur po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Lepozaviq e Zubin Potok.

Sveçla tha në një lidhje direkte për televizionin publik se nuk ka incidente dhe se presin që dita të përfundojë e qetë.

“Unë sot jam në Mitrovicë dhe po e përcjellim situatën sa i takon çështjeve të sigurisë. Situata është stabile, e qetë. Nuk kemi incidente dhe presim që dita të përfundojë e qetë”, tha Sveçla.

Ministri tha se “këto zgjedhje janë më ndryshe për shumë arsye”, edhe sa i takon aspektit të sigurisë.

“Për dallim prej më herët, nuk ka incidente”, tha ai.

Sveçla tha se ditët e fundit qytetarëve serbë u është bërë “presion i hatashëm që të mos dalin në zgjedhje”.

“Por përndryshe sot nuk vërehet ndonjë tendencë për eskalim të situatës”, tha Sveçla.

Ai tha se presin që të rritet numri i qytetarëve që do ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit.

Lidhur me lokacionet e reja të votimeve, Sveçla tha se bashkë me KQZ-në është vlerësuar “se zgjidhja më e mirë është të gjejmë hapësira alternative”.

“Kjo nuk do të thotë pamundësim të pjesëmarrjes në votime”, tha ai.

“Edhe kushtet e punës janë mëse komode. Edhe për votuesit vendvotimet janë të identifikuara dhe nuk shoh ndonjë problem të veçantë”, shtoi Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme tha se “Policia e Kosovës kurrë s’ka qenë më e përgatitur” për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat