Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Aktuale

Rezultatet preliminare: LVV dhe PDK fitojnë nga dy komuna në veri

Nga: Bota sot Më: 23 prill 2023 Në ora: 07:18 Përditësuar në ora: 11:50 më 23.04.2023
Qendër e improvizuar e votimit në Jarinjë - pjesa veriore e Kosovës.

Sa qytetarë dolën në zgjedhje deri në orën 11:00? Tregon KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e daljes së qytetarëve në zgjedhje në komunat veriore deri në orën 11:00.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka bërë të ditur se në Leposaviq nga ora 07:00 deri në 11:00 kanë dalë për të votuar 28 qytetarë apo 0.21 për qind.

Në Zubin-Potok kanë dalë 65 votues apo 1 për qind, në Zveçan 29 votues apo 0.41 për qind dhe në Mitrovicën e Veriut 191 votues 1.05 për qind.

Pas tregimit të shifrave, Elezi iu bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote duke i inkurajuar që të votojnë.

Në orën 15:30 do të jetë konferenca e radhës e KQZ-së me ç’rast do bëhet e ditur  pjesëmarrja në votim e qytetarëve deri në orën 15:00.

Aktualisht, në veri të vendit janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Deri tani, situata ka qenë e qetë.

Që të tri komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë mbetur pa kryetarë të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Kelmendi: Bëj thirrje që të gjithë qytetarët të votojnë

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Taulant Kelmendi u ka bërë thirrje sot të gjithë qytetarëve që të votojnë.

Pasi ka ushtruar të drejtën e votës, Kelmendi ka folur para gazetarëve, me ç’rast ka thënë se shpreson që të gjithë qytetarët do ta bëjnë të njëjtën gjë. 

Kelmendi: U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve për të votuar 

“Unë hyra dhe e shfrytëzova të drejtën time qytetare, votova. Shpresoj dhe bëjë thirrje te të gjithë banorët, tek të gjithë qytetarët me të drejtë vote me dal me votua për kandidatin, për të cilin ata mendojnë që është më i miri për ta”, ka thënë ai. 

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Atiq: Ditë të mira po vijnë për Mitrovicën

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq u shpreh i bindur sot se ditë të mira po vijnë për këtë komunë. Pasi votoi në qendrën e votimit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ai tha se ka përfunduar koha kur Mitrovica është përmendur për të keq.

Atiq ftoi qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke zgjedhur udhëheqësinë e re të Mitrovicës së Veriut. 

Atiq: I bëj ftesë qytetarëve që të votojnë në numër sa më të madh 
 
“Unë sapo votova, sapo e kreva obligimin qytetar. Shprehi mundësinë nëpërmjet televizionet tuaja me i bo ftesë të gjithë qytetarëve të komunës veriore të Mitrovicës që të votojnë në numër sa më të madh me përkrah kandidatin, të cilën ata mendojnë që është më i miri”, tha Atiq. 

Atiq u shpreh i bindur se ditë të mira po vijnë për Mitrovicën e Veriut. 

Atiq: Jam i bindur që për Mitrovicën po vijnë ditë të mira 

“Unë jam më se i bindur që për Mitrovicën po vijnë ditë të mira. Kanë përfunduar ditët kur komuna veriore e Mitrovicës u përmend vetëm në konotacion të keq edhe ka pasur vetëm lajme të këqija. Jam i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën më në fund po vijnë”, shtoi ai. 

Në Mitrovicën e Veriut garojnë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare, Taulant Kelmendi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje. Të drejtë vote në katër komunat veriore kanë mbi 45 mijë qytetarë.

Qytetari nga veriu: Pres të gjitha të mirat nga këto zgjedhje

Xhelal Sylejmani pret nga zgjedhjet në veri që të ketë përmirësim të jetës e punësim. Pasi votoi në një qendër votim në “Lagjen e Boshnjakëve”, ai uroi që tashmë të udhëhiqen nga një kryetar shqiptar.

Qytetari nga Mitrovica e Veriut u shpreh optimist për këto zgjedhje të jashtëzakonshme. 

Sylejmani: Pres të gjitha të mirat 

“Të gjithë të mirat (pres), punësimet, krejt të mirat për të gjithë”, tha ai. 

Sylejmani shpreson që nga këto zgjedhje të dalë një kryetar shqiptar. 

Sylejmani: Do ta kemi besoj

“Do të kem besoj, a po e sheh edhe Allahu, dielli po rrezon... Konsideroj se sot e diele është, ditë pushimi hala janë në gjumë”, tha ai para gazetarëve. 

Sylejmani optimist u shpreh edhe për bashkëjetesën mes serbëve e shqiptarëve në këto komuna. 

Sylejmani: Munden të jetojnë bashkë  

“Mundet (me jetu bashkë shqiptarët e serbët), pse nuk mundet. Kur po shkon biznesi, shkojnë krejt”, përfundoi ai. 

Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në zgjedhjet e 23 prillit, në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiq, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë.

Elshani: Përveç disa vonesave, gjithçka ka shkuar sipas planit

Anëtari i KQZ nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, ka thënë që procesi zgjedhor në Veri deri tani ka shkuar sipas planifikimeve.

Ai përmendi vonesat “e vogla” në bartjen e materialit në mëngjes.

“Nuk kemi ndonjë raportim, përveç disa vonesave të vogla në bartjen e materialit në mëngjes, gjithçka tjetër ka shkuar sipas planifikimeve”, tha ai.

Elshani bashkë me kreun e KQZ-së sot kanë vizituar një pikë votimi në Lagjen e Boshnjakëve, ku deri pak më parë sipas tyre kanë votuar rreth 60 persona.

Qytetari boshnjak voton në Mitrovicën e Veriut

Xhelal Sylejmani, është qytetar nga komuniteti boshnjak, i cili ka dalë sot në zgjedhje në Mitrovicë të Veriut.

Ai tha se nga këto zgjedhje pret punësime dhe çdo të mirë për të gjithë qytetarët.

“Punësime e krejt të mirat për të gjithë. Do të kenë besoj, edhe dielli po rrezaton.

Konsideroj se do të dalin, se sot është e diel, është ditë pushimi njerëzit ende janë në gjumë”, u shpreh ai.

Zgjedhjet në veri/ Prokurorët në terren po e mbikëqyrin gjithë procesin

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se është duke mbikëqyrë procesin e jashtëzakonshëm zgjedhor në katër komunat e Republikës së Kosovës, për kryetar të Komunës në Mitrovicën Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, ndërsa të parakohshme për dy kuvendet komunale në Zveçan dhe Leposaviq.

Që nga ora shtatë e mëngjesit të ditës së sotme, prokurorët së bashku me Policinë e Kosovës janë të angazhuar, në stacione policore të katër komunave gjegjëse, për të mbikëqyr për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, të cilët janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.

Gjithashtu, në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar edhe gjyqtarët kujdestarë të cilët janë në gatishmëri për çdo eventualitet.

Po ashtu, prokurori i shtetit me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë në Polici dhe Prokurori për të gjitha pretendimet eventuale lidhur me keqpërdorimet zgjedhore.

​Radoniqi fton qytetarët të votojnë: Siguria është në nivel, procesi i rregullt

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se procesi i zgjedhjeve në katër komunat veriore është duke vijuar pa probleme dhe siguria është në nivel. Pas vizitës në një qendër votimi në Mitrovicë të Veriut, Radoniqi u ka bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe të formohen institucionet legale.

Paraditen e sotme bashkë me anëtarë të tjerë të KQZ-së, Radoniqi ka vizituar një qendër votimi në “Lagjen e Boshnjakëve”, ku tha se të gjitha qendrat janë hapur me kohë.

Radoniqi: Procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem

“Pamë që procesi është duke shkuar në rregull, nuk ka ndonjë problem. Gjithashtu dua të ftoj gjithë qytetarët e komunave veriore, Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zupin Potokut që të dalin në zgjedhje, në mënyrë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për votë dhe me këtë mënyrë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ndërtojmë institucionet legale, demokratike”, tha kryesuesi i KQZ-së.

Para gazetarëve, Radoniqi u shpreh se kanë ndërmarrë të gjitha masat bashkë me policinë që këto zgjedhje të jenë të qeta.

Radoniqi: Po shpresojmë që procesi të përfundojë i qetë

“Ne si KQZ, siç kam deklaruar edhe më herët i kemi ndërmarrë të gjitha masat në bashkëpunim me policinë që ky proces të shkoj në rregull, të ketë qetësi, të hapen vendvotimet, të cilat të gjitha janë hapur në kohë, siç është paraparë dhe gjithçka ka shkuar sipas planit. Dhe po shpresojmë që gjithë procesi do të përfundojë i qetë”, ka shtuar Radoniqi.

Kryesuesi i KQZ-së nuk ka dhënë shifra se sa është numri i qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.

Radoniqi: Nga kjo qendër votimi kanë dalë rreth 60 persona

“Saktësisht nuk mund të them tani, por sa munda të kuptoj nga kjo qendër e votimit, nga ky vendvotim, deri më tani kanë dalë rreth 60 persona. Për më tutje do të shohim”, u shpreh ai.

Radoniqi shtoi se nuk ka urdhër që të mos lejohen mediat për të filmuar në qendrat e votimit, për çka tha se janë të lira për të kryer punën e tyre.

Radoniqi: Siguria është në nivel, nuk ka ndonjë problem

“Me sa e pash edhe me sa kam informacione, siguria është në nivel. Edhe ju vet po e shihni se nuk ka ndonjë problem.... Kontejnerët kanë qenë një zgjidhje më e përshtatshme, duke marrë parasysh rrethanat që janë krijuar. Unë nuk besoj që përdorimi i kontejnerëve do të jetë pengesë në votim. Qytetarët janë të lirë, kanë qasje në këto qendrat e votimit dhe është një mundësi që KQZ ju ofron qytetarëve për të votuar, përmes këtyre kontejnerëve”, ka vijuar Radoniqi.

Në katër komunat në veri të Kosovës, po mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale, ku të drejtë vote kanë mbi 45 mijë qytetarë. Për këto zgjedhje të jashtëzakonshme janë planifikuar të hapen 19 qendra të votimit, prej të cilave 13 do të jenë alternative apo të ashtuquajtura “kontejnerë”. Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb.

Zveçan, në një qendër të votimit kanë votuar vetëm gjashtë qytetarë

Vetëm gjashtë persona kanë votuar deri më tani në qendrën e votimit në Zhazhë të komunës së Zveçanit.

Të drejtë vote në këtë qendër votimi kanë 239 qytetar që përfshihen komuniteti shqiptar dhe ai serb.

Votuesit deri tani kanë qenë nga komuniteti shqiptar.

E diela e 23 prillit është data kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe do të jenë 19 qendra votimi, ku shumica prej tyre do të improvizohen në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

Që të tri komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë mbetur pa kryetarë të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Në garë për kryetarë të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.

Voton kandidati i PDK-së për kryetar për Komunën e Zveçanit, Ilir Peci

Kandidatit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci, për  kryetar të Komunën e Zveçanit, është deklaruar pasi ka votuar  në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës.

“Edhe unë dola ta kryejë obligimin tim si të gjithë qytetarët. Shpresoj që çdo gjë të përfundojë me rregull për fillim po shkon çdo gjë në rregull ta shohim tash”, ka deklaruar Peci.

Ai ka thënë se është në kontakt të vazhdueshme me Policinë e Kosovës  dhe me vëzhguesit nëpër qendrat e votim që sipas tij gjithçka është në rregull.

“Qytetarët shqiptarë presim që të dalin[të votojnë] ta shohimi”, ka përfunduar Peci duke mos pasur shpresa që serbët lokal mund të dalin të votojnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat