Tahiri: Për pesë muaj, KEK-u nënshkroi 30 kontrata njëburimore me vlerë 72 milionë euro
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se për pesë muaj, KEK-u ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore që arrijnë shifrën 72 milionë euro, njofton Klan Kosova.
“Padyshim që një Kuvend i Kosovës e ka të drejtën me thirr një seancë të jashtëzakonshme kur arrestohet një zyrtar i lartë i një partie politike. Nuk po flasim për një person të rëndomtë”.
“Për ta parë punën e tij, i kam nxjerr tenderët që ka nënshkruar Krasniqi në muajt e fundit, për pesë muaj KEK-u ka nënshkruar 30 kontrata njëburimore”
“Nëse i sheh 72 milionë euro për 5 muaj, e sheh abuzimin e madh që e ka kryer Krasniqi”.
Deputeti i PDK-së: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK dyshohet për vepra penale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka akuzuar sot Bordin e KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës se kanë bërë shkelje duke caktuar Përparim Kabashin si ushtrues detyre i kryeshefit në KEK.
Në debatin parlamentar në Kuvend, lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik, Shala ka thënë se derisa Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK-ut nuk distancohen nga ish kryeshefi i arrestuar Nagip Krasniqi janë po aq përgjegjës sa ai.
Shala: Edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK është i dyshuar për vepra penale në KEK
“Konsiderojmë të papranueshëm faktin se Bordi i KEK-ut ka reaguar me vonesë në pezullimin e zotëri Krasniqi, i cili tashmë është i arrestuar. Rrjedhimisht, çfarëdo mosveprimi apo mosdistancimi nga zotëri Krasniqi, bordi dhe qeveria janë po aq përgjegjës për një rast të tillë, ku drejtori i KEK-ut është arrestuar për shkak të dyshimeve se ka kryer veprat keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtarë, ushtrim ndikimin dhe konflikt i interesit. Po ashtu, bordi dje bëri shkeljen e radhës duke vendosur ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut Përparim Kabashin i cili gjithashtu rezulton të jetë i dyshuar për vepra penale në KEK”, ka thënë ai.
Javën e kaluar është arrestuar kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai dyshohet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, po ashtu për ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.
Dje, pas disa ditëve të arrestimit të Krrasniqit, Bordi i KEK-ut e ka pezulluar atë nga puna, derisa ka emëruar Përparim Kabashin ushtrues detyre të kryeshefit të KEK-ut.
---------------------------
Sot në ora 11:00, në Kuvendin e Republikës së Kosovës pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme në lidhje me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Kjo seancë është thirrur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i cili ka njoftuar se ka dorëzuar kërkesën nga 40 deputetë për këtë seancë të jashtëzakonshme për ditën e nesërme.
Tahiri ka njoftuar se gjatë kësaj seance do të kërkojnë përgjegjësi për rastin e arrestimit për korrupsion të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.
Ky i fundit ish zyrtar i lartë i LVV’së i emëruar nga bordi i pushtetit të kësaj partie në krye të KEK’ut.
Në këtë seancë pritet të zhvillohet debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.
Ndryshe, Nagip Krasniqi është arrestuar të mërkurën nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’ dhe të njëjtit i është caktuar një muaj paraburgim.