Përplasje të forta në Kuvend, pushteti i kundërpërgjigjet Qunit dhe Haradinajt

Aktuale

Përplasje të forta në Kuvend, pushteti i kundërpërgjigjet Qunit dhe Haradinajt

Nga: Bota sot Më: 4 maj 2023 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 12:05 më 04.05.2023
Ramush Haradinaj

Haxhiu i reagon Qunit, dyshon se LDK-ja ka marrëveshje me kryeprokurorin Isufaj

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklaroi se me shqetësim i ka dëgjuar fjalët e deputetit të LDK-së, Anton Quni, i cili sot i doli në mbrojtje kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Iusfaj.

Quni e ka dënuar gjuhën e përdorur nga disa zyrtarë institucionalë ndaj kandidatit për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj.

Por, Haxhiu tha se nuk e kupton se çfarë zori mund të ketë LDK-ja që po e mbron Isufajn.

“Me shqetësim e dëgjova fjalën e tij. S’e kuptoj se çfarë zori duhet me pas një subjekt opozitar për me dal në foltore dhe me mbroj një kandidat për kryeprokuror të Shtetit. Mendoj që kjo qasje nuk i ndihmon hiç zotit Isufaj. E pse e bëni ju këtë, duhet t’i tregoni qytetarëve, cili është zori që sot ka LDK-ja që me mbrojë një kandidat për kryeprokuror të Shtetit”, tha ajo.

Për më tepër, Haxhiu dyshon se deputeti Quni apo LDK-ja ka një marrëveshje me Isufajn.

“Është mirë të na tregoni se pse, cila është marrëveshja që mund ta keni bërë me të, që e keni pasur me të, për çfarë dosje jeni marrë vesh që mos me i adresu. Është jashtëzakonisht e rëndësishme të jeni transparent, e jo ta akuzoni qeverinë, Kurtin, apo mua, për procesin që ka kaluar ky kandidat”.

Shala shpjegon se pse deklarata për të zhdukurit i konvenon Serbisë: Ky është barazim

Nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, tha se deklarata për personat e zhdukur, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të martën i barazon në përgjegjësi të dyja palët.

“Unë e kam një ndërhyrje të shkurtë, se nuk dëshiroj të përfshihem te ky debat”, tha fillimisht Shala dhe më tej shpjegoi se pse Kosova, sipas tij, ka marrë po aq përgjegjësi sa Serbia, për çështjen e të zhdukurve.

“Është edhe mirë, edhe thelbësore që t’i lexojmë me saktësi ato që i marrim përsipër. Pra, nëse e shihni tekstin e deklaratës, pas kokës së saj që e përbën preambulën, ka një formulim të tillë: Angazhohemi së bashku… Pra, kemi të bëjmë me dy palë që marrin përsipër së bashku gjithçka që përmban deklarata. Aq sa merr përsipër Serbia, merr përsipër edhe Kosova për të njëjtën çështje”, tha Shala.

“Ky është barazim. Kaq”, përfundoi deputeti i LDK-së.

Bislimi-LDK-së: Na tregoni ku e keni vendosur ju “të zhdukur me dhunë” që ne e kemi hequr

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është kthyer në punën e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti kur ka replikuar me deputetët për kritikat rreth deklaratës për personat e zhdukur.

“Deklarata për të cilën ne jemi dakorduar e ka titullin: Deklarata e kryeministrit Albin Kurti”, ndërsa ju e keni trajtuar me zero urgjencë çështjen e personave të pagjetur”, është shprehur Bislimi.

“Na tregoni ju se ku e keni vendosur termin ‘persona të zhdukur me dhunë’ e që ne ua kemi hequr”, ka vazhduar ai duke u përgjigjur për termin “persona të zhdukur me forcë”.

“Driton Selmanaj më 8 shtator ka thënë se kjo temë është konsumuar”.

E lidhur me këtë, Selmanaj ka vazhduar të thotë se asnjëherë në jetën e tij nuk e ka thënë këtë.

Haxhiu: Me nënshkrimin e deklaratës, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera në Kosovë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, konsideron se me nënshkrimin e deklaratës për të pagjeturit në Bruksel, Serbia për herë të parë pranon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet dhe seriozisht nga qeveria e republikës së Kosovës. Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë”.

Haxhiu, në Kuvend, tha se me nënshkrimin e kësaj deklarate Serbia po ashtu obligohet që të japë informacione për varreza masive.

“Për herë të parë përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon për krimin e bërë dhe obligohet të jap informacione për varreza masive që po i mbanë qytetarët tanë. Po ashtu obligohet të mos pengoj gërmimet siç ka ndodhur në vazhdimësi – me atë deklaratë pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës dhe qytetarët tanë”.

“Për mua është e papranueshme që një deputet i kuvendit, zonja hoxha thotë që Serbinë nuk e obligon ky dokument, e pranueshme pasi kjo është ajo që Serbia dëshiron të dëgjojë që të mos obligohet nga një deklaratë që e ka nënshkruar presidenti i Serbisë”, u shpreh Haxhiu.

Qalaj akuzon Sveçlën: I ke mbajtur 12 orë në takim shefat e hetimeve, është frikësuese

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, se po tenton të ndikojë drejtpërdrejtë në organet e hetuesisë. Sipas tij, këto veprime të akterëve të Qeverisë janë për t’u frikësuar dhe të kundërligjshme.

Qalaj ka pretenduar se ministri i Brendshëm në fillim të marsit ka mbajtur për 12 orë në takim shefat e hetimeve për t’i raportuar atij.

Sipas deputetit të PDK-së, madje, takimi ka ndodhur jashtë objektit të Ministrisë së Brendshme.

“Në fillim të marsit, në objektin në Parkun Nacional në Blinajë, jashtë objektit të Ministrisë, Sveçla ka mbajtur në takim 12 orë shefat e hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor. Është e kundërligjshme, e tmerrshme, frikësuese dhe nuk guxon të ndodhë. Disa njësi japin llogari direkt, siç është Task-Forca, te Prokuroria Speciale dhe tash detyrohen që t’i raportojnë ministrit. U bëj thirrje që të largohen nga ndikimi i drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë, sidomos organet e ndjekjes. Ata kanë udhëheqës, menaxher, është drejtori i Policisë që i jep llogari ministrit. Është e tmerrshme dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Qalaj në seancën e Kuvendit të enjten.

Haxhiu e lëshon një audio në Kuvend, “trondit” PDK-në dhe Thaçin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se Serbia “është shfajësuar” gjatë qeverisjes së PDK-së dhe në kohën kur ish-presidenti Hashim Thaçi e udhëhiqte dialogun me Serbinë.

Haxhiu lëshoi një audio, ku ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi flet për krimet e luftës.

“Për krime lufte s’e kisha dënu asnjë njeri. Kisha bë amnisti. Sepse për mua çmimi më i madh për luftën është liria dhe pavarësia”, thotë Kuçi në audion e lëshuar nga Haxhiu në Kuvend.

Ministrja e Drejtësisë tha se të njëjtën qasje “e ka ndjekë edhe Hashim Thaçi”.

“Pra, Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë flet për amnistimin e krimeve të luftës. Këtë qasje e ka ndjekë Qeveria e udhëhequr nga PDK-ja. Këtë qasje e ka ndjekë edhe Hashim Thaçi sa e ka udhëhequr dialogun me Serbinë”, tha ajo.

Haxhiu tha se me miratimin e deklaratës për personat e zhdukur, në takimin ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, “për herë të parë çështja e personave të zhdukur po trajtohet me prioritet”.

“Nënshkrimi i deklaratës për të zhdukurit e bën Serbinë përgjegjëse për krimin e zhdukjes me forcë të qytetarëve tanë. Për herë të parë, përmes një dokumenti zyrtar Serbia pranon krimin e bërë dhe obligohet që të japë informacione për varrezat masive ku ende i mban qytetarët tanë”, tha ajo.

“Me atë deklaratë, Serbia pranon krimet shtetërore mbi popullin e Kosovës, mbi qytetarët tanë”, sipas Haxhiut.

Ndryshime edhe në grupin e PDK-së, Mërgim Lushtaku “humb” një pozitë në Kuvend

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka propozuar që Mërgim Lushtaku të zëvndësohet nga anëtari i komisionit për Administratë Publike, Isak Shabani, si zëvendëskryesues i këtij komisioni.

Ky propozim i PDK-së, u miratua nga shumica e deputetëve të Kuvendit.

“Si PDK propozojmë në komisionin për Administratë, nënkryetar është Mërgim Lushtaku, ndërsa ne propozojmë që të zëvendësohet me anëtarin Isak Shabani që ai të bëhet zëvendëskryesues”, u shpreh Tahiri.

Ai nuk ka shpjeguar arsyet e këtij zëvendësimi të deputetit Lushtaku nga deputeti tjetër Shabani.

Selmanaj: Me dakordimin për personat e zhdukur, Kosova ia mundëson Serbisë të heqë përgjegjësinë penale e juridike-shtetërore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kritikuar kryeministrin e Kosovës për deklaratën rreth personave të zhdukur për të cilën Kurti u dakordua me Vuçiqin në Bruksel.

Sipas Selmanajt, përmes pajtimit për një deklaratë të tillë, Kosova ia mundëson Serbisë që të heq përgjegjësinë penale juridiko-shtetërore për zhdukjet e dhunshme.

 “Me dakordimin e deklaratës për të zhdukurit, Kosova i mundëson Serbisë që të heq përgjegjësinë penale juridiko-shtetërore për zhdukjet e dhunshme sipas Nenit 2 të Konventës së OKB-së”, ka thënë Selmanaj.

Deputeti i LDK-së thotë se heqja e fjalisë “të zhdukur me dhunë” tregon se Kurti ka për qëllim tejkalimin dhe jo adresimin e krimeve.

“Po ua citoj nenin 2. Zhdukje me dhunë konsiderohet çdo arrestim ndalim nga agjentë të shtetit apo grupe personash nën autorizimin e shtetit. Heqja e fjalisë të zhdukur me dhunë rrezikon brutalisht që përmes devijimit të terminologjisë ta konfirmoj që se ka për qëllim adresimin por tejkalimin”, ka shtuar tutej Selmanaj.

Haradinaj kërkon nga qeveria që ta bëjë rishikimin e buxhetit: Të rriten pagat

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha që tani të bëhet rishikimi i buxhetit për vitin 2023.

“Kemi kohë për zgjidhje të duhura dhe tema që janë në interes të të gjithëve. Vitin e kaluar është implementuar 17 për qind e buxhetit. Edhe këtë ka dinamikë të njëjtë”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj ka thënë në seancë se në këtë periudhë është rritur “vetëm luksi qeveritar”.

“Qeveria duhet t’i përmbushë detyrat e veta ndaj të punësuarve në sektorin publik. Policia ka kohë që u është hequr rrezikshmëria, por kur duhet të shkojnë në veri ata shkojnë. Logjika që policët të mos përfshihen është e pakuptimtë. Prandaj qeveria duhet të bëjë plan që buxhetin për paga ta rrisë. E ka mundësinë që këtë ta bëjë përmes rishikimit”.

Hoxha: Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha ka thënë sot se kryeministri Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje familjarëve të të pagjeturve. Ajo është shprehur se në takimin e 2 majit në Bruksel, rrëfimi dhe dhimbja e tyre është përmbysur.

Në seancë plenare, Hoxha në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së ka deklaruar se Serbia nuk ka asnjë obligim juridik për reparacione ndaj të pagjeturve.

Hoxha: Me 2 maj në Bruksel dhimbja e tyre është përmbysur

“Me 2 maj në Bruksel, rrëfimi i tyre është rrokullisur, dhimbja e tyre është përmbysur, është baraz-vlerësuar. Kryeministri i Kosovës ka shpikuar një term të ri, i cili nuk ekziston në konventat ndërkombëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Konventën për Mbrojtjen e Personave të Zhdukur me dhunë, e që nuk njihet as si kategori juridike. Që i bie, për ta thjeshtësuar, asnjë obligim juridik Serbia nuk e ka në kuptimin e reparacionit dhe çështjeve të tjera që lidhen me kategorinë e të pagjeturve në Kosovë”, ka thënë ajo.

Hoxha është zotuar se do të vazhdojë të jetë zëri i familjarëve të të pagjeturve, e cila edhe ka transmetuar audion e këngës së saj për të pagjeturit.

“Por, edhe sot duke e lënë në ndërgjegjen e kryeministrit, i cili ka ushtruar dhunë, ka instrumentalizuar çështjen e të pagjeturve kur ka qenë në opozitë dhe ka premtuar se do të ketë kërkim-falje herën e parë kur ulet në takim me Vuçiqin dhe ka marrë pushtet me këtë premtim, sot besoj që ai do të duhej të ishte këtu dhe të kërkojë falje, ai personalisht ndaj nënave dhe familjarëve të të pagjeturve”, ka shtuar ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat