Automjetet e policisë mbeten të bllokuara në Zveçan
Pjesëtarë të KFOR-it janë duke kërkuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe që t'u mundësojnë tri automjeteve të Policisë së Kosovës, të parkuara para ndërtesës komunale në Zveçan, të lëvizin, dhe policëve që janë brenda, të hyjnë në ndërtesën e komunës.
Një gjë të tillë janë duke e kundërshtuar protestuesit serbë.
Ata po kërkojnë nga Policia e Kosovës që të largohet nga kjo zonë.
Policët, që gjenden në ato automjete prej orëve të hershme të mëngjesit, refuzojnë të largohen.
Lista Serbe në negociata me KFOR-in: Kërkon të zëvendësohet Policia e Kosovës
Përfaqësuesit e Listës Serbe, Igor Simiq dhe Dragisha Milloviq, biseduan me kolonelin e paqeruajtësve amerikanë të KFOR-it në Zveçan dhe kërkuan që policët e Kosovës në këtë komunë të zëvendësohen nga KFOR-i.
Situata në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mbetet e tensionuar, pasi grupe serbësh lokalë janë mbledhur para objekteve komunale për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.
"Mund të them se ka qenë vërtet një bisedë korrekte, se koloneli e kupton situatën në të cilën jemi të gjithë. Kërkesa jonë ka qenë që njësitë speciale të tërhiqen nga ndërtesa e komunës, të largohen nga ndërtesa e komunës dhe sigurinë ta marrë KFOR-i. Ai [koloneli] po flet tani me komandantin e përgjithshëm të KFOR-it për kërkesën tonë", tha Milloviq para të të tubuarve.
"Presim përgjigje se çfarë do të na thotë koloneli amerikan i KFOR-it", shtoi ai.
Sirena alarmi në Zubin Potok
Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok raportojnë se sërish janë ndezur sirenat e alarmit dhe se protestuesit janë duke iu afruar kordonit të policisë që po ruan objektin komunal.
Kujtojmë t se grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës u mblodhën të hënën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.
Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre para ndërtesave të komunave.
Në Zveçan pati edhe gaz lotsjellës. Policia e Kosovës tha se “protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës. Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”.
Sulmohen ekipet e gazetarëve në Leposaviq, u vizatohen simbole nacionaliste në vetura
Janë sulmuar veturat e dy ekipeve mediale që po raportojnë nga Leposaviqi, Kallxo dhe RTV Dukagjini.
Veturave të këtyre dy ekipeve i janë vizatuar simbole nacionaliste serbe nga protestuesit.
Ndërkaq, ekipi i RTV Dukagjinit njofton se veturës së tyre i janë shpërthyer edhe gomat.
Gazetarët që po raportojnë nga veriu janë vazhdimisht në rrezik, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare që të mundësojnë raportim të sigurtë nga komunat ku ka tensione.
Serbët në veri planifikojnë t’i sulmojnë autoblindat e Njësisë Speciale
Në rrjetin social Telegram, aplikacion ky i financuar dhe kontrolluar nga shërbimet ruse, është duke u komentuar mbi taktikat se si t’i neutralizojnë automjetet e blinduara të Policës së Kosovës në veri të vendit.
Ata tregojnë detaje se si duhet të sulmohen këto mjete.
“Taktikat luftarake kundër automjeteve të blinduara Arquus Bastion që janë armë të Policicisë së Kosovës (më saktësisht njësit speciale ROSU). Çka mendoni cila është pika më e dobët që blinda franceze të paaftësohet?”, është pyetja e shtuar në disa nga kanalet në Telegram.
Po ashtu, komentuesit serbë dhe rusë japin propozime se cilat armë duhet të përdorën.
“Molotov, armë të kalibrit 7.62*39 mm, zollë, molotov në dritare të shoferit, gozhda, të gjitha gomat në armë 7.62, dy koktej me molotov në goma dhe rregullohet kjo punë, në timon më së miri, dron pink, dyert e fundit dhe nyjat, ngjyrë në pjesën e përparme të veturës”, janë disa nga propozimet e tyre.
Në Zveçan tensione, në Zubin Potok e Leposaviq më qetë
Situatë të tensionuar vazhdon të jetë në Zveçan, ku grupe të serbëve lokalë – mes tyre disa edhe me maska e kapele – qëndrojnë të tubuar para ndërtesës së komunës.
Kordoni i pjesëtarëve të KFOR-it është vënë në afërsi të objektit, ndërsa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk shihen aty. Sipas raportimeve, policët e Kosovës janë brenda objektit komunal.
Në Zubin Potok raportohet për situatë më të qetë, edhe pse grupe qytetarësh vazhdojnë të qëndrojnë afër ndërtesës së komunës edhe atje.
Ngjashëm është situata edhe në Leposaviq, ku një numër njerëzish u larguan nga protesta./REL
Protestuesit nuk i përfillin kërkesat e Rakiqit
Protestuesit në Zveçan nuk i përfillën thirrjet e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, për të lejuar kalimin e dy automjeteve të Policisë së Kosovës.
Në vend të ngjarjes duket një numër i madh njerëzish – mes tyre edhe me maska.
Aty gjenden edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës, edhe të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Më herët, Rakiq tha se ua ka përcjellë dy kërkesa përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë, në mënyrë që protestuesit serbë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave në veri, ku edhe janë tubuar.
“Kërkesat tona janë që sherifët – siç e quajnë veten – të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre. Dhe, të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës, përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani, shkruan REL.
Ndërkaq më herët, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq kur ndaloi pranë mjetit të njësisë speciale, ata hodhën shishe boshe në drejtim të tij.
Goran Rakiq goditet me shishe në protestën në Veri
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, kërkoi nga të tubuarit para ndërtesës së Komunës në Zveçan që të lëvizin, në mënyrë që të kalojnë dy automjete të njësisë speciale të Policisë së Kosovës.
Të tubuarit nuk lejuan duke thirrur “tradhti”.
Kur ndaloi pranë mjetit të njësisë speciale, ata hodhën shishe boshe në drejtim të tij, raporton rel.
Detaje të tjera priten të japen gjatë minutave në vazhdim.
Provokojnë serbët, shfaqen simbole ruse në veturat e PK-së dhe të KFOR-it në veri
Ndërkohë që tubimet e serbëve po vazhdojnë në veri të vendit, në veturat e Policisë së Kosovës dhe në ato të KFOR-it kanë shënuar shkronjën “Z”, simbolin e Putinit në luftën pushtuese në Ukrainë.
Po ashtu, në mesin e protestuesve serbë sot janë parë edhe persona të maskuar e për të cilët eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu, ka thënë se mund të ketë të gatshëm edhe për sulme terroriste.
Policia e Kosovës dhe paqeruajtësit e KFOR-it kanë shtuar praninë, ndërkohë që serbët në Zveçan kanë hedhur gaz lotsjellës në drejtim të pjestërave të institucionit të sigurisë së Kosovës.
Po ashtu sot rreth orës 9:00 kryetarët shqiptarë të katër komunave veriore, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, janë takuar me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Më 26 maj, Policia e Kosovës i ka ndihmuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut e Leposaviqit për të hyrë në zyrat komunale, me gjithë kundërshtimet e ashpra të disa banorëve serbë vendas, që kanë çuar në përleshje me pjesëtarët e policisë.
Nuk ndalen protestuesit serbë, vizatojnë simbole nacionaliste mbi autoblindën e Policisë
Marko Jakshiq, ka publikuar pamje ku shihet se një autoblinde të Policisë i janë vizatuar simbole nacionaliste.
Më herët, u publikuan pamjet, ku shihej se një autoblinde të PK-së i ishte vendosur një flamur serbë, gjersa protestuesit thërrisnin “Serbia”.
Mëngjesin e së hënës , grupe qytetarësh serbë janë mbledhur para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë.
Të premten, kryetarët e këtyre tri komunave hynë për herë të parë në objektet e komunave prej që janë zgjedhur. Hyjren e tyre e mundësoi Policia e Kosovës, mes tensionesh dhe kundërshtimeve të turmave të qytetarëve që ishin mbledhur para komunave.