LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Aktuale

LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Nga: Bota sot Më: 30 maj 2023 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 15:05 më 30.05.2023
Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Lista Serbe, thirrje protestuesve në Zveçan: Shpërndahuni rreth orës 16:00

Sërgjan Millosavleviq, nga partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, u ka bërë thirrje protestuesve në Zveçan, që të shpërndahen rreth orës 16:00, dhe të mblidhen sërish nëser në protestë paqësore.

Millosavleiq, ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, ka thënë se protestat e komunitetit serb do të vazhdojnë, derisa të përmbushen kërkesat e tij, përkatësisht tërheqja e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri, ashtu si edhe kryetarëve shqiptarë.

Lista Serbe ka kërkuar më herët që të lirohen edhe protestuesit e arrestuar një ditë më parë gjatë një përplasjeve me ushtarët e KFOR-it.

Vazhdojnë negociatat mes Listës Serbe dhe KFOR-it në Leposaviq

Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Slavko Simiq dhe ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, kanë biseduar me komandantin e KFOR-it amerikan, të cilit sërish ia kanë përcjellë kërkesat që njësiti special i Policisë së Kosovës të tërhiqet dhe kryetari i sapozgjedhur Lulzim Hetemi të largohet nga ndërtesa e komunës, ku ndodhet që nga dje.

Todiq theksoi se serbët e mbledhur para ndërtesës së komunës nuk duan asnjë incident, por vetëm “duan të sigurohen që të punojnë pa probleme në institucionet e tyre”.

“Jeta në Leposaviq është paralizuar, ata kanë ardhur këtu me përdorimin e forcës. Ata duhet të shkojnë, që ne t’i kthehemi jetës normale,” i tha Todiq komandantit të KFOR-it amerikan, i cili zëvendësoi kontingjentin italian para komunës së Leposaviqit.

Todiq i tha komandantit të KFOR-it se jeta në Leposaviq është e paralizuar, se asgjë nuk funksionon kur është fjala për qytetarët dhe institucionet, shkollat, ndërmarrjet publike dhe institucionet shëndetësore.

Komandanti i KFOR-it tha se dëshirojnë që gjithçka të përfundojë me dialog dhe se shqetësimet dhe kërkesat që serbët ia kanë shprehur kryetarit të komunës do t’i përcjellin dhe se shpresojnë që gjithçka të zgjidhet në rrugë paqësore.

Ai tha se janë të pranishëm edhe për të mos eskaluar situatën siç ndodhi në Zveçan dhe për të ndërmjetësuar që të arrihet një zgjidhje paqësore.

NATO-ja dislokon forca shtesë në Kosovë

Si përgjigje ndaj trazirave të fundit në veri të Kosovës, dhe lëndimit të 30 pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), në atë pjesë, aleanca veri-atlantike ka marrë vendim për angazhim të Forcës Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim.

NATO-ja e ka bërë të ditur këtë vendim, përmes një postimi në Twitter.

Pjesëtarë të KFOR-it janë përleshur të hënën, 29 maj, me protestuesit serbë në Zveçan, të cilët kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarit të ri shqiptar në ndërtesën komunale.

Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë, ashtu që KFOR-I të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka.

Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.

Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Munsch.

​Mbi dhjetë media sulmohen në Leposaviq

Situata në veriun e Kosovës vijon të jetë e tensionuar. Gazetarët, të cilët po raportojnë zhvillimet e fundit në komunën e Leposaviçit, janë sulmuar me sende të forta nga persona të maskuar.

Veturat e mediumeve shqiptare të A2 CNN dhe Panorama, të cilët po raportojnë nga veriu i vendit, janë vandalizuar.

Të dyja ekipet kanë qenë brenda veturave të mediumeve të tyre. Sulmi është bërë me tulla dhe gurë, ndërsa fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Gazetarët kanë pohuar se megjithëse trupat e KFOR-it kanë qenë në vendin e ngjarjes, përpos që nuk kanë reaguar, ata edhe janë larguar direkt nga aty pa ndërmarrë ndonjë masë e cila do t’iu siguronte mbrojtje ekipeve, tashmë të sulmuara.

“Ne ishim brenda në makinë, kur na sulmuan me gurë. Pas nesh ishte edhe një tjetër automjet i një televizioni shqiptar. Makinat i kemi parkuar shumë larg komunës së Leposaviqit, megjithatë edhe këtu na kanë sulmuar. Në çdo komunë ka pasur të tilla incidente të këtij lloji, ku viktimë kanë rënë media të tjera shqiptare. Forcat e KFOR-it qëndronin pranë nesh dhe sapo panë këta persona të maskuar, u larguan. Këtu nuk ka as prezencë policie. Ishin 4-5 të rinj me maska, me shall që na sulmuan, ndërsa ne ishim të gjithë në makinë brenda”, u shpreh gazetari i A2 CNN, Jul Kasapi.

Situata në veri të vendit vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa ekipet e gazetarëve vazhdojnë të jenë cak i protestuesve gjithandej. Edhe një herë, AGK i bën thirrje trupave paqeruajtëse të sigurojnë ambient të sigurt për raportim, ndërsa gazetarët i ftojmë që të tregojnë kujdes të shtuar sepse atyre nuk po iu garantohet siguri në asnjë moment.

Për AGK-në, ky numër i sulmeve është alarmues, ndërsa fton vendimmarrësit që të krijojnë protokolle të cilat garantojnë raportim të sigurt për gazetarët, sa më parë.

Sipas Asociacionit të Gazetarëve, në Komunën e Leposaviqit aktualisht gazetarët e mbi 10 medieve janë sulmuar nga persona të maskuar.

“Kolegët nga Tëvë1 kanë njoftuar AGK-në, se disa persona ua kanë thyer kamerën atyre me arsyetimin që të mos i xhirojnë, pasi janë me maska. Këto sjellje nga protestuesit maskuar janë totalisht të papranueshme, dhe u bëjmë thirrje organeve kompetente të sigurisë që janë prezent në këtë komunë, t’i sigurojnë gazetarët në mënyrë që të njëjtit të raportojnë pa u sulmuar e penguar. Njëherësh, ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Ekipit të televizionit Kanal 10 iu është dëmtuar vetura gjatë raportimeve në veri të vendit. Këto sulme në drejtim të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë medialë po intensifikohen, ndërsa ata vazhdojnë të raportojnë në kushte shumë të rënda. Për AGK-në, është e papranueshme gjendja e gazetarëve, të cilët janë targeti i vazhdueshëm i protestuesve serbë. Teksa kjo rëndohet edhe më shumë, kur atyre nuk po u ofrohet mbrojtje e drejtpërdrejtë nga KFOR, dhe prezenca tjetër ndërkombëtare në atë pjesë të vendit. AGK-ja, u bën thirrje pronarëve të mediave, kryeredaktorëve dhe organeve udhëheqëse që të kenë prioritet mirëqenien e gazetarëve, kameramanëve, fotoreporterëve dhe shoferëve. Ndërsa, kolegëve gazetarë iu bëjmë thirrje që t’iu përmbahen intruksioneve të Policisë së Kosovës. Mëngjesin e sotëm, vetura e ATV-së ka qenë cak i sulmit nga protestuesit serbë. Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë shpërthyer gomat veturës me qëllim të pengimit të raportimit. Kjo situatë me të cilën po përballën gazetarët është tejet shqetësuese, dhe po rëndohet çdo herë e më shumë, pasi ata po vazhdojnë të jenë target i protestuesve serbë”, thuhet në komunikatë.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës u bën thirrje të gjithë kolegëve gazetarë, kameramanë, fotoreporterë dhe shoferët e ekipeve të tyre, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në rast nevoje t’i drejtohen për ndihmë zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje.

AGK raporton për disa sulme ndaj gazetarëve në veri

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka bërë të ditur se disa gazetarë, që po përcjellin ngjarjet në veri, kanë cak i një morie sulmeve.

AGK-ja ka thënë se persona të maskuar kanë sulmuar gazetarë të mediave të ndryshme në Leposaviq dhe njërit medium i është thyer kamera.

Po ashtu, në këtë komunë, sipas organizatës, gazetarët janë sulmuar edhe me gjësende të forta nga protestuesit serbë.

“Në një transmetim direkt të mediave, shihen disa gra duke tentuar t’i pengojnë gazetarët e RTV Dukagjinit, Kohës dhe mediave të tjera të raportonin drejtpërdrejt nga kjo komunë”, është thënë në deklaratë.

Tensionohet situata në Leposaviq, gazetarët sulmohen nga personat e maskuar

Gazetarët që po i përcjellin nga afër ngjarjet në veri të vendit janë sulmuar në Leposaviq.

Raportohet se gazetarët janë sulmuar me gurë, vezë e shishe, kryesisht nga personat e maskuar

Tensionimi i situatës nisi papritur, ndërsa forcat e KFOR-it po vijojnë të qëndrojnë në afërsi të objektit të komunës.

Personat e maskuar ishin të pranishëm edhe dje në protestat në komunat veriore.

Në Zveçan, kur nisi përplasja me KFOR-in, ata dolën në rend të parë, duke sulmuar me mjete plasëse si shok-bomba e koktej molotovi.

Përpjekje për të organizuar një takim mes Kurtit e Vuçiqit

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, është duke bërë përpjekje të organizojë një takim ‘ad hoc’ mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bratislavë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, “kjo është ende një ide dhe një përpjekje” dhe “nuk ka konfirmime nga palët nëse janë apo jo të gatshme për një takim të tillë”.

Bratislava është përmendur si vend i mundshëm për takim, pasi dy udhëheqësit janë të ftuar të marrin pjesë në një konferencë për sigurinë globale që po zhvillohet në këtë vend.

Pamje nga Zubin Potoku, pak serbë po protestojnë

Pak qindra serbë po protestojnë pranë objektit të Komunës së Zubin Potokut, më 30 maj, për të kundërshtuar kryetarin e ri shqiptar për të dytën ditë rresht.

Përreth objektit të komunës veriore janë vendosur edhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.

Policia heton incidentet në veri

Policia e Kosovës tha se po heton të gjitha rastet që ndodhën të hënën në veri të Kosovës, gjatë protestës së serbëve në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Sipas Policisë së Kosovës, protestues, individë “dhe grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë”.

Të hënën, gjatë përleshjeve të protestuesve me trupat e KFOR-it në Zveçan, 30 trupa ndërkombëtare u lënduan si dhe dhjetëra protestues.

Po ashtu janë shënuar një sërë incidentesh nga ekipeve mediale, që kanë përcjellë nga afër protestat në veri, përfshirë djegien e një veture të një kanali televiziv.

Ndërkaq, sa i përket situatës së sigurisë në veri të martën, policia tha se ajo vazhdon të jetë “e brishtë, por e qetë”.

Serbët edhe më 30 maj kanë vazhduar protestat e tyre në tri komunat në veri, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe duke kërkuar tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga këto komuna.

“Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftim.

Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, janë të angazhuar në mbarëvajtjen e protestave dhe aktivitetet po i koordinojnë me trupat e KFOR-it.

Pas përleshjeve në Zveçan, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n.

Qeveria e Kosovës fajësoi Beogradin për “dirigjimin e turmës ekstremiste” në veri të shtetit.

Por, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.

Kryetari i Zveçanit punon nga Zyra për Komunitete

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, tha për Radion Evropa e Lirë se po punon nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

“Këtu sot e kemi filluar punën... Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai.

Protestues serbë që kundërshtojnë kryetarin e ri shqiptar, u mblodhën edhe sot në Zveçan, ndonëse në një numër më të vogël se një ditë më parë.

Të hënën, ata u përplasën me ushtarë të KFOR-it, pasi nuk iu bindën thirrjes së misionit paqeruajtës për t'u shpërndarë.

Shikoni pamjet:

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat