LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Aktuale

LIVE: Raportohet për shpërthim në orët e vona në Zveçan, mjeti u hodh drejt trupave të KFOR-it

Nga: Bota sot Më: 30 maj 2023 Në ora: 07:24 Përditësuar në ora: 10:49 më 30.05.2023
Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

MPB-ja mohon se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës mohoi raportimet e disa mediave në Serbi se protestuesit serbë në veri të Kosovës dhe misioni i NATO-s, KFOR, kanë arritur marrëveshje për tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga Zveçani.

Sipas marrëveshjes së pretenduar, protestuesit e ndaluar një ditë më parë, do të lirohen po ashtu.

“Lajmi që ka dalë në media se ka marrëveshje mes protestuesve dhe KFOR-it, nuk qëndron”, thanë nga MPB-ja për REL-in.

Përfaqësuesit politikë të serbëve në veri, që janë parë në negociata me KFOR-in, kanë paraqitur dy kërkesa si kusht për ndalimin e protestave: tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe moshyrjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave me shumicë serbe në veri.

Nga KFOR-i nuk janë bërë deklarime në lidhje me këto kërkesa.

Hetemi dhe Atiq në objektet komunale

Burime të Radios Evropa e Lirë bëjnë të ditur se kryetarët e komunave Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, Lulzim Hetemi dhe Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse.

Siç merr vesh REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për "arsye sigurie".

Më shumë detaje nuk dihen.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.

Në Leposaviq, qytetarët serbë që kundërshtojnë instalimin e kryetarit shqiptar, janë duke vazhduar protestën edhe sot.

Të rejat e fundit nga Zveçani

Për dallim nga e hëna, kur situata në Zveçan u përshkallëzua në përleshje mes protestuesve serbë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, të martën është më qetë, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë në terren, Sandra Cvetkoviq.

Pjesëtarët e KFOR-it ngritën sërish kordon, por kësaj here rreth 50 metra larg ndërtesës së komunës.

Protestues që kundërshtojnë kryetarin shqiptar të komunës, u mblodhën sërish, por në numër dukshëm më të vogël.

Punëtorët e një ndërmarrjeje komunale shihen duke pastruar rrugën përballë komunës, ku një ditë më herët u dogj një veturë, u hodhën shok-bomba e gaz lotsjellës.

Të pranishëm janë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

KFOR-i vendoset përreth objektit të komunës në Zubin Potok

Gazetari i Radio Evropa e Lirë, Shkelqim Hysenaj, i cili ndodhet në Zubin Potok, raporton se përreth objektit të komunës atje janë vendosur edhe ushtarë të KFOR-it.

Aktualisht, atje ndodhen pak qindra protestues serbë.

Serbët protestojnë, KFOR-i ruan objektin komunal në Zveçan

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.

KFOR-i siguron objektin e komunës në Zveçan

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zveçan raportojnë për një numër më të vogël protestuesish serbë, krahasuar me një ditë më parë.

Objektin e komunës dhe zonën përreth janë duke e siguruar ushtarë të KFOR-it.

Të pranishëm shihen edhe udhëheqësit e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Një ditë më herët, në këtë komunë pati përleshje mes protestuesve serbë dhe ushtarëve të KFOR-it, të cilat rezultuan me dhjetëra të plagosur në të dyja anët.

Shikoni pamjet:

Qindra qytetarë të tubuar në Zubin Potok

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Zubin Potok raportojnë për qindra qytetarë të mbledhur para ndërtesës së komunës, ku edhe kanë vendosur ulëse.

Njësitë e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në kordon, para hyrjes në objekt të komunës.

Pjesëtarë të KFOR-it, tash për tash, nuk shihen.

Serbët vendosin tenda para komunës së Zubin Potokut

Dhjetëra serbë që tashmë janë mbledhur para komunës së Zubin Potokut, kanë ngritur disa tenda në mes të rrugës.

Përveç kësaj ata në shtyllat elektrike që ndodhen para komunës kanë vendosur edhe flamuj serbë.

Krejt kjo po ndodh para syve të trupave të KFOR-it të cilët që nga mëngjesi kanë barrikaduar objektin e komunës.

Aty ndodhet edhe Policia e Kosovës.

Deklarohet Policia për gjendjen në veri

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë se situata e sigurisë në këto katër Komuna veriore të Kosovës është e qetë dhe stabile.

“Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka dhe nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar”, ka thënë Elshani.

Ndërsa ai ka përfunduar duke thënë se pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

Ndryshe, sot serbët janë tubuar që të protestojnë kundër kryetarëve shqiptarë

KFOR sqaron çka ndodhi dje në përleshjen me serbët, 30 ushtarët e lënduar janë nga këto shtete

Gjatë përleshjes së djeshme në veri të Kosovës, janë lënduar 30 pjesëtarë të KFOR-it, prej të cilëve tre janë plagosur me armë zjarri. Kështu është bërë e ditur në një komunikatë të lëshuar sot nga KFOR-i, sipas së cilit, 11 janë ushtarë italianë dhe 19 hungarezë, të gjithë jashtë rrezikut për jetën, përcjell Bota sot.

KFOR-i ka sqaruar se ka shtuar praninë në komunat veriore, për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën. Sipas komandantit të misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, "të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme.”

Lexojeni komunikatën e plotë:

Numri i paqeruajtësve të plagosur gjatë dhunës së paprovokuar të djeshme në komunën e Zveçanit është 30. 11 ushtarë nga kontingjenti italian dhe 19 nga kontingjenti hungarez kanë pësuar lëndime të shumta, duke përfshirë thyerje dhe djegie nga mjetet ndezëse shpërthyese të improvizuara. Tre ushtarë hungarezë u plagosën nga përdorimi i armëve të zjarrit. Lëndimet e tyre nuk janë të rrezikshme për jetën.

Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO ka shtuar praninë e tij në katër komunat e veriut të Kosovës për të zvogëluar rrezikun e përshkallëzimit, pasi kryetarët e sapozgjedhur të komunave u përpoqën të marrin detyrën. Trupat e KFOR-it u sulmuan më pas nga turma gjithnjë e më agresive. KFOR-i gjithmonë vepron me vendosmëri dhe përmbajtje, brenda Rregullave strikte të Angazhimit (ROE). Në këtë rast, ajo iu përgjigj sulmeve të paprovokuara të një turme të dhunshme dhe të rrezikshme, ndërkohë që kreu mandatin e saj në OKB në mënyrë të paanshme.

Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, po ndjek personalisht zhvillimin e situatës dhe shpreh solidaritetin e tij me ushtarët e NATO-s që u plagosën gjatë përleshjeve dhe familjet e tyre: “Për të shmangur përleshjet ndërmjet palëve dhe për të minimizuar rrezikun e pas përshkallëzimit, paqeruajtësit e KFOR-it parandaluan kërcënimet ndaj jetës së serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Të dyja palët duhet të marrin përgjegjësinë e plotë për atë që ndodhi dhe të parandalojnë çdo përshkallëzim të mëtejshëm, në vend që të fshihen pas narrativave të rreme.”

KFOR-i do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat