Kordoni i ushtarëve të KFOR’it para objektit të Komunës, këto janë pajmet nga Zveçani
KFOR është pozicionuar në Zveçan mëngjesin e sotëm në afërsi të Komunës.
Pranë komunës u formua një kordon dhe pak metra përpara dhe një pengesë metalike.
Pas kordonit janë tre autoblinda të Njësisë speciale të Policisë së Kosovës, raporton Kontakt Plus Mitrovica.
Qasja në ndërtesën e komunës është e ndaluar teksa qytetarët vazhdojnë protestat, nata ka kaluar e qetë.
Pamje nga Zveçani:
Lista Serbe i bashkohet protestuesve në Zveçan
Pjesëtarët e Listës Serbe i janë bashkuar protestuesve që tashmë kanë filluar te mblidhen para komunës së Zveçanit.
Slavko Simic dhe Goran Rakic ndodhen bashkë me serbët e tjerë aty.
Edhe dje që të dy ishin pjesë protestave para të njëjtës komunë.
Madje ata ishin negociatorët kryesorë me KFOR-in për të shpërndarë protestuesit serbë që në mbrëmje eskaluan duke shkaktuar dhunë ndaj pjesëtareve të KFOR-it.
Policia: Situata në veri, e qetë
Situata e sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok mëngjesin e së martës është e qetë, thanë nga Policia e Kosovës, teksa sot gjatë ditës serbët lokalë kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë protestat.
“Nuk kemi ndonjë incident që e kemi regjistruar. Policia është duke i kryer detyrat e veta sipas angazhimeve që i ka”, tha për Radion Evropa e Lirë, Veton Elshani nga Policia e Kosovës.
Ai tha se zyrtarët policorë po vazhdojnë të qëndrojnë pranë tri ndërtesave komunale në veri të Kosovës.
Më 29 maj, protestuesit serbë u përleshën në Zveçan me forcat paqeruajtëse të KFOR-it.
Si pasojë e përleshjeve, të paktën 25 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, sikurse edhe disa protestues.
Serbët lokalë po kundërshtojnë hyrjen në komuna të kryetarëve të rinj shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit. Ata po ashtu po kërkojnë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i banuar me shumicë serbe.
Natë e qetë në veri, protestuesit fillojnë të mblidhen edhe sot
Pas tensioneve të djeshme të krijuara nga grupe serbësh dhe përleshjes së tyre me ushtarët e KFOR-it, sidomos në Zveçan, nata në veri të vendit ka kaluar e qetë.
Pranë ndërtesave të Komunave në Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ka prani të pjesëtarëve të KFOR-it, por edhe të Policisë së Kosovës, të cilët po kujdesen për ruajtje të rendit.
Serbët kanë paralajmëruar protesta të përditshme duke kundërshtuar kështu prezencën e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale, si dhe tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Edhe pse protestat në tre komunat veriore, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok janë paralajmëruar për sot nga ora 7:00 e mëngjesit, deri në kohën kur po raportojmë vërehet dalje simbolike e qytetarëve.
Në anën tjetër, në veri të Mitrovicës pranë ndërtesës së Komunës nuk ka pjesëtarë të KFOR-it dhe as prani të shtuar të policëve, përveç një automjeti të këtyre të fundit që ndodhet disa metra larg objektit komunal.
Kujtojmë se dje protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Vazhdojnë protestat
Protesta kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u paralajmëruan edhe për sot.
Një ditë më herët, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.
Së paku 25 ushtarë të KFOR-it u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Fillon tubimi i serbëve afër komunës së Zubin Potokut, policia e KFOR’i blindojnë objektin
Herët në mëngjes Policia e Kosovës dhe KFOR kanë nisur barrikadimin e objektit të komunës së Zubin Potokut.
Nuk kaluan as gjysmë ore, banorët serb të asaj pjese të Kosovës filluan të mblidhen para objektit, ashtu edhe siç paralajmëruan dje.
Kryetari i kësaj komune Izmi Zeqiri ka njoftuar se kryetari i Zubin Potokut ka folur pas situatës së tensionuar në katër komunat veriore të Kosovës.
Zeqiri ka thënë në RTK se për shkak të kësaj situate nuk do të dal në zyrat e objektit të komunës së Zubin Potokut, duke shtuar se kështu do të veprojë edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
Serbët nisin të tubohen në Leposaviq
Edhe sot pritet të ketë tensione në veri.
Në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq, ka nisur grumbullimi i protestuesve serbë kundër hyrjes së kryetarëve të rinj të këtyre komunave në objektet komunale.
E marta shënon ditën e tretë të protestave, që u përcollën me tensione e dhunë nga protestuesit serbë.
Një ditë më parë, si pasojë e dhunës së protestuesve pësuan 25 ushtarë të KFOR-it në Zveçan.
Policia e Kosovës dhe KFOR-i pozicionohen në Zubin Potok
Qysh nga ora 06:30 ka filluar pozicionimi i Policisë së Kosovës dhe KFOR në komunën e Zubin Potokut.
Barrikadat e hekurta që bllokojnë çdo hyrje në komunë tashmë kanë zënë vend.
Nuk shihet asnjë qytetar serb i asaj komune në rrugë.
Gazetarja Arianitë Zhegrova që aktualisht ndodhet në vendin e ngjarjes, thotë se situata aktualisht është e qetë.
Ndryshe, dje nga sulmet e protestuesve të dhunshëm serbë, të grumbulluar para objektit të Komunës së Zveçanit kanë pësuar lëndime 25 ushtarë të KFOR-it. Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Angelo Michele Ristuccia ka thënë se sulmet e paprovokuara janë të papranueshme, e ato janë dënuar edhe nga përfaqësues të ambasadave dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe të vendit. Nga brutaliteti i protestuesve më së shumti kanë pësuar ushtarët e kontingjentit italian dhe hungarez. Protesta, për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave, të hënën janë organizuar edhe në Zubin-Potok e Leposaviq.