Protesta e sotme në Zubin Potok përfundoi pa incidente
Protesta e sotme në Komunën e Zubin Potokut ka përfunduar pa incidente.
Gazetarja Rina Mujku, ka bërë të ditur se protesta ka nisur në orët e hershme të mëngjesit dhe ka përfunduar rreth orës 16:00.
“E vetmja gjë që e ka thyer heshtjen ka qenë muzika, këngët me motive nacionaliste me kryefjalë Kosovën kinse e njëjta është akoma pjesë e Serbisë”.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Prezencë e madhe e Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë te Ura e Ibrit
Situata në Mitrovicë të Veriut vazhdon të jetë e qetë.
Në një lidhje direkte gazetari Lindrit Zejnullahu bën të ditur se tek Ura e Ibrit ka prezencë të madhe të Policisë së Kosovës dhe karabinierëve italianë.
Sot gjatë ditës në këtë komunë, protestuesit serbë kanë sulmuar dy qytetarë shqiptarë, të cilët pas trajtimit mjekësor janë liruar për në shtëpi.
Teksa, Policia e Kosovës dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë bërë të ditur se qytetarët shqiptarë po ftohen të protestojnë në Mitrovicë të Veriut, sot nga ora 12:00.
Përderisa Sveçla i ka quajtur këto tubime të panevojshme, Policia ka bërë thirrje që kjo ftesë të shpërfillet nga qytetarët, duke shtuar se ky organizim po bëhet nga “profile të dyshimta” në rrjete sociale.
Sot në ditën e pestë të protestave, situata në komunat veriore ka qenë më e qetë dhe ka pasur më pak protestues.
Sulmohen dy shqiptarë në Mitrovicën e veriut
Dy shqiptarë janë sulmuar fizikisht në Mitrovicën e Veriut.
Ata janë sulmuar derisa po ecnin në sheshin e qytetit.
Viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Gazetarja e Klan Kosovës Rina Mujku, gjendet atje dhe po i përcjell nga afër zhvillimet.
Protestë në jug të Mitrovicës
Në Mitrovicë të Jugut u mblodh një grup qytetarësh shqiptarë, përkundër kërkesës së Policisë së Kosovës që të mos i përgjigjen thirrjes së postuar në mediat sociale për protestë dhe "marshim drejt veriut".
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë në terren raporton për dhjetëra të tubuar.
Sipas saj, në mesin e tyre ka edhe qytetarë nga Shqipëria.
Disa prej tyre thanë se po protestojnë në “mbështetje të Policisë së Kosovës”.
Pjesëtarë të policisë shihen të pranishëm në vendngjarje.
Policia e Kosovës tha më herët se është vërtetuar se thirrjet për protestë të bëra në mediat sociale, vijnë nga profile të dyshimta dhe mund të jenë qëllimkëqija.
Edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se thirrjet e tilla “nuk i ndihmojnë” Kosovës./REL
Vijojnë protestat në veri, NATO e gatshme të dërgojë edhe më shumë trupa në Kosovë
-Serbët në veri të Kosovës vijojnë sot ditën e katërt të protestave. Ata kundërshtojnë kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 Prillit.
-Lista Serbe është shprehur se protestat do të vijojnë deri kur të përmbushen kërkesat e tyre. Pra të tërhiqen kryetarët shqiptarë dhe të largohen njësitë speciale të policisë së Kosovës.-Gjatë një adresimi më 31 Maj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.
-Përpjekjet e ndërkombëtarëve për të ulur tensionet në Kosovë po intensifikohen. Edhe ditën e sotme në takimin e Kishinau ku do të marrin pjesë të gjithë liderët europianë do të diskutohet çështja e veriut të Kosovës.
-NATO-ja do të dërgojë 700 trupa shtesë në Kosovë. Po ashtu është vendosur një batalion tjetër në gjendje gatishmërie të lartë.
-Shtetet e Bashkuara dhe aleatët qortuan Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, duke thënë se përdorimi i forcës për të instaluar kryetarët në komunat me shumicë serbe, minoi përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Blinken i bëri thirrje Kurtit që të tërheqë forcat policore nga veriu, ndërsa Vuçiç të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë.
-SHBA-ja, mbështetësja më e madhe e pavarësisë së Kosovës, vendosi të anulojë pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të NATO-s, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.
Protestuesit mblidhen edhe në Leposaviq
Pas Zevçanit e Zubin Potokut, protestues serbë kanë nisur të mblidhen edhe në Leposaviq.
Ku para objektit të komunës duken ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
Rakiq thotë se KFOR-i u dislokua për të penguar Policinë e Kosovës; KFOR-i s’e konfirmon
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se pas bisedës së djeshme me kolonelin e trupave amerikane të KFOR-it dhe pas kërkesave të kësaj partie, misioni i NATO-s i ka dislokuar forcat e veta në pesë pika në qendër të Zveçanit.
Kjo, sipas Rakiqit, është bërë me qëllim që “të parandalohet hyrja e njësisë speciale të Policisë [së Kosovës]” dhe “të mos ndodhë ndonjë incident”.
Forcat e KFOR-it janë të pranishme në rrugët e Zveçanit që nga pasditja e djeshme, por nga KFOR-i nuk kanë konfirmuar se arsye për këtë është parandalimi i Policisë së Kosovës.
Rakiq tha se pret që KFOR-i “ta mbrojë popullin që proteston”.
Në protestën e sotme në Zveçan janë edhe minatorët. Rakiq tha se ata nuk kanë mundur ta bëjnë punën e tyre që nga e premtja.
Minatori i minierës Crnac, Darko Milloviq, i cili foli për mediat në emër të kolegëve të tij, tha se prodhimi është pezulluar që nga e premtja "për shkak se forcat speciale kanë bllokuar flotacionin dhe nuk lejojnë kamionët të transportojnë minerale nga miniera në flotacion".
Ai tha se pagat e tyre varen nga ajo që prodhojnë.
Protestës në Zveçan, i bashkohet edhe ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës
Protestës së sotme të serbëve në Zveçan, i është bashkuar edhe ish-deputetja serbe e Kuvendit te Kosovës Miljana Nikolic.
Nikolic e pakënaqur me vendimin e qeverisë Kurti për reciprocitetin me Serbinë, bashkë me deputetët e tjerë të Listës Serbe patën dorëzuar mandatin e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Serbët kanë nisur të mbliedhen sërish në Leposaviq dhe Zveçan për herë të katërt këtë javë, mes tensioneve në rritje në veri të vendit, pasi të premtën e javës së kaluar Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët e rinj shqiptarë të futeshin nëpër komuna.
Serbët kanë nisur të mblidhen edhe në Zubin Potok.
“Nënshkrim” për pjesëmarrje në protestë, çka po ndodh në Zveçan?
Serbët në Zveçan filluan të mblidhen në orët e hershme të mëngjesit të 1 qershorit në protestë kundër kryetarit shqiptar.
Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të kësaj komune, që funksionon nën sistemin e Serbisë, u regjistruan në listën e të punësuarve që u vendos në një tavolinë, si dëshmi që “vijnë në punë”.
Forcat e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin. Në këtë komunë në veri të Kosovës, ashtu si edhe në Leposaviq e Zubin Potok – që të tria të banuara me shumicë serbe – protestat vazhdojnë prej ditësh.
Protestuesit kërkojnë tërheqjen e kryetarëve shqiptarë dhe të njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga komunat në veri. /REL
Kryetari i Zubin Potokut vazhdon punën nga Zyra për Komunitete
Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Çabër të kësaj komune.
Ai shtoi se, aktualisht, është duke u vlerësuar gjendja e sigurisë në komunë, për të vendosur nëse do të shkojë në objektin komunal.
Kujtojmë se serbët në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - të tria komuna në veri të Kosovës - janë duke protestuar prej ditësh kundër kryetarëve shqiptarë.
Tensionet janë rritur nga 26 maji, kur Policia e Kosovës i ka ndihmuar ata të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve vendas./REL