Protesta e serbëve në veri dhe sulmi brutal ndaj dy shqiptarëve - ja çka ndodhi sot në veri

Aktuale

Protesta e serbëve në veri dhe sulmi brutal ndaj dy shqiptarëve - ja çka ndodhi sot në veri

Më: 1 qershor 2023 Në ora: 07:28 Përditësuar në ora: 08:39 më 01.06.2023
Mitrovicë e Jugut, 1 qershor 2023

Protestuesve në Zveçan u bashkohen edhe punëtorët e Trepçës

Protestës së sotme të serbëve të veriut i janë bashkuar edhe punëtorët serbë të TrepçësAta thonë se kanë dalë në përkrahje të protestuesve rreth kërkesave që ata kanë, dhe jo vetëm kaq.

Sipas deklaratave, ata janë detyruar ta ndalin punën pasi thonë se rruga ka pesë ditë që është bllokuar dhe kjo ka bërë që të bllokohet edhe shpërndarja e materialit jashtë minierës.

“Policia e Kosovës ka bllokuar rrugët dhe që 5 ditë nuk kemi punuar, nuk kemi pasur mundësi ta shpërndajmë materialin jashtë minierës”, thanë ata.

Aksioni simbolik i punëtorëve serbë: Bëjnë sikur po nënshkruhen për ta filluar punën

Edhe dita e sotme ka vazhduar me protesta në katër komunat veriore.

Me mëngjes, punëtorët serbë të komunave në veri, kanë realizuar një aksion të vogël simbolik.

Ata kanë marrë disa fleta dhe janë nënshkruar, një procedurë e njohur për ata që punojnë në institucione publike.

Kjo kinse për të treguar se po e fillojnë punën.

Tubim në Podgoricë, në mbështetje të serbëve në Kosovë

Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë, disa qindra qytetarë u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës para një kishe në Podgoricë.

Në tubim nuk pati fjalime, ndërsa pjesëmarrësit brohorisnin "Kosova është zemra e Serbisë" dhe mesazhe të tjera.

Ata kishin veshur bluza me mesazhet “Vëllai për vëllain, nuk ka dorëzim”, “Kosova është Serbi”, “Mali i Zi - Rusi”, si dhe me imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Ftesa për tubim është shpërndarë në rrjetet sociale dhe thuhet se është organizuar nga një grup qytetarësh.

Pjesëmarrës ishin edhe disa deputetë të partive më të vogla pro-serbe, si Bogdan Bozhoviq nga Partia Popullore Socialiste dhe Marko Millaçiq nga Mali i Zi i Vërtetë, si dhe bartësi i listës zgjedhore të Koalicionit Popullor, Dejan Vukshiq./REL

Protestuesit fillojnë të mblidhen edhe në Zubin Potok

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Doruntina Baliu, e cila gjendet në Zubin Potok, raporton për situatë të qetë atje.

Sipas saj, tash për tash është mbledhur një numër i vogël protestuesish serbë. Objektin e komunës është duke e ruajtur Policia e Kosovës, ndërsa forca të KFOR-it tash për tash nuk shihen.

Nsi grumbullimi i qytetarëve në Zveçan

Qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit, por në numër më të vogël se dje.

Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”, raporton gazetarja e Radios Evropa e Lirë atje.

Forcat e KFOR-it janë të dislokuara në të gjithë Zveçanin dhe kështu kanë qenë edhe gjatë natës./REL

Kosova, temë diskutimi në Kishinjev

Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Një ditë më herët, Borrell takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”.

“Na duhet shtensionim urgjent dhe zgjidhje përmes dialogut”, tha ai./REL

Serbët protestojnë edhe sot në veri të vendit

Në tre komunat veriore të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, ku serbët po protestojnë për katër ditë kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, nata ka kaluar e qetë.

Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës të cilët po kujdesen për ruajtjen e rendit, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave të këtyre komunave.

Serbët kanë paralajmëruar edhe për sot protesta në këto komuna nga ora 7:00 e mëngjesit.

Ndërsa dje në Zveçan situata herë pas here është tensionuar, ndërsa nuk kanë munguar sulmet ndaj ekipeve të gazetarëve.

Ndryshe, serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.

Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, ndërkohë që serbët kanë sulmuar edhe Policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi Prishtina refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat