Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Aktuale

Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 20:50 më 02.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Pas më shumë se tetë orëve, ka përfunduar debati parlamentar për situatën në veri. Opozita ka hedhur kritika ndaj pushtetit për zhvillimet e fundit në katër komunat veriore.

Ata kanë debatuar për sulmet nga protestuesit serbë, sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Tash e gjashtë ditë, serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale në këto komuna. Ata po kundërshtojnë kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit dhe prezencën e policëve të Kosovës pranë këtyre objekteve.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave.

Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

​Përplasen Qalaj e Bajqinovci: Po rren, frikohesh se të rrahin

Në debatin parlamentar për situatën në veri, kanë debatuar ashpër edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj me deputetin e LVV-së, Mefail Bajqinovci. Për këtë të fundit, deputeti Qalaj tha se kishte dërguar intervenca për t’u takuar me ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli për të intervenuar lidhur me një çështje.

Ani se Qalaj nuk bëri të ditur se për çfarë qëllimi ka kërkuar të takohet me Veselin.

Një gjë të tillë e ka mohuar Bajqinovci, i cili ia përmendi një rast, ku sipas tij, janë numëruar para në emër të krimeve ekonomike gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të policisë.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ia ka përmendur me emrin, personin për të cilin tha se Bajqinovci kishte dërguar intervevenca.

Qalaj: Bëhu burrë, e di që të rrahin

“A të kujtohet Mefail sa intervenimet i ke bërë për të takuar dikë të PDK-së me ta prit dikë tëndin, a të kujtohet? Mu më ke dërguar vet. A e din, këtu te zotëri Kadri Veseli, me pranua një familjar tëndin për diçka, a të kujtohet? A po e don me emër? Mos rrej, qetësohu. Ke dërguar te zotëri Kadri Veseli për ta pranuar Avniun që është në Neë York, pse po gënjen Mefail. Pranoje kur të gënjesh. Bëhu burrë. E di që të bërtasin, të rrahin, por më fal. Mefail të lutëm, a të kujtohet?”, e ka pyetur Qalaj Bajqinovcin.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nëse nuk është e vërtetë një rast i krimit ekonomik, ai do të kërkojë falje.

Bajqinovci: Janë numëruar para në emër të krimeve ekonomike

“Këta e kanë stil me thënë, a e mban mend kur kemi takuar, kur ke dashur të vish me Hashimin. Unë ju siguroj dhe ju garantoj që kjo është e pavërtetë. Ato që i thash unë në Kuvend që kolegët e tij janë marr me krim të organizuar, ata kolonelë, ata nënkolonelë ata majorë që kanë qenë të suspenduar, nëse nuk është e vërtetë, unë dalë publikisht kërkoj falje. Më fal, por kjo është e vërtetë janë numëruar parat në emër të krimeve ekonomike, ti ke qenë shef aty”, ka vijuar ai.

Deputetë po vazhdojnë të diskutojnë në Kuvend për situatën në veri.

​Kastrati sfidon Gërvallën: A e bëjmë një kuiz bashkë se je bërë monoton?

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati tha se nuk duhet të mbrohet deklarata e kryeministrit Albin Kurti për sekretarin amerikan Antoni Blinken.

Derisa iu ka drejtuar zëvendëskryeministres Donika Gërvalla, duke ftuar për ta bërë një kuiz, me pyetjen se kush është fajtor për sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, Kastrati tha se Albin Kurti është bërë merak që të hyjë në histori.

Kastrati: A e bëjmë një kuiz bashkë se je bërë monoton?

“Ministre, a po më ndihmon e bëjmë një kuiz bashkë se po më duket je bërë monoton edhe je lodhë. A e din se i keni fut këta në qorr-sokak për të mbrojtur deklaratën ‘Blinkeni është naiv’. Më mirë ka qenë për të bërë një kuiz edhe me përgjigje, a, b, c. Për shembull, unë po e bëjë një pyetje, kush është fajtor me axhën që kemi sanksione? Ju thoni nën-a, Albini për shkak të deklaratës, nën-b Blinkeni, nën-c FSK. Por, ti mos ja bëjë me sy me ja dhënë gabim kështu përgjigjen, se jeni dreqër e bëni nganjëherë këtë send”, deklaroi ai.

Ai shtoi se në emër të sovranitetit janë ngujuar katër kryetarët e komunave në veri të vendit.

Kastrati: Albin Kurti bën turr e zbythje

“Gjithmonë është nevoja për të përsëritur disa gjëra, sidomos trajektorja se si kemi ardhur deri këtu. Pra, ka qenë për shkak të targave, teneqeve, që ky bënte yrysh. Sepse aleatët i kërkonin shtyrje 10 muaj për të shmangur një situatë krize, të cilën Rusia do ta shfrytëzonte për të hapur një front të dytë për të shpërqendruar NATO-n nga lufta në Ukrainë. Është hera e parë që aleatët tanë na kërkojnë një favor gjeo-politik, të kërkojnë që ne në kontekstin e sigurisë globale për herë të parë të ja bëjmë një argat dhe ne dështojmë. Pse? Sepse ky (Albin Kurti) bën turr e zbythje, turr e zbythje, turr e zbythje. E njëjta është me katër kryetarët”, shtoi Kastrati.

Pas shumë orëve, po vazhdon debati parlamentar për situatën në veri. 

Gërvalla debaton me Musliu-Shoshin: Deklarata juaj për shpalljen e pavarësisë dëshmon papjekuri

Zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla ka debatuar ashpër me deputeten e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

Për deklaratën e kësaj të fundit në lidhje me shpalljen e pavarësisë, kryediplomatja tha se dëshmohet papjekuria politike.

Ndërkaq, deputetja e opozitës tha se Gërvalla është turp se si nuk ka arritur të sigurojë asnjë njohje që nga fillimi i mandatit të saj.

Gjatë debatit parlamentar për situatën në veri, ministrja e Punëve të Jashtme, Gërvalla ka replikuar për deklaratën e Musliu-Shoshit, e cila gjatë ditës deklaroi se Kosova nuk ka pasur të drejtë ta shpall pavarësinë.

Gërvalla: Deklarata juaj dëshmon papjekurinë tuaj totale politike

Deklarimi juaj, po e citoj që ‘Kosova nuk ka pasur të drejtë të shpall pavarësinë’, dëshmon jo vetëm papjekurinë tuaj totale politike, por shtron edhe pyetjen e asaj se a keni dëgjuar ndonjëherë për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e ka konfirmuar për të gjithë botën që Kosova ka pasur të drejtë të shpall pavarësinë e saj dhe që pavarësia e Republikës së Kosovës është një akt legjitim”, deklaroi Gërvalla.

Për këtë ka reaguar edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi e cila i tha krye diplomates që është ‘marre’ që nuk ka siguruar asnjë njohje gjatë mandatit të saj.

Musliu-Shoshi: Është marrë që ulesh në atë karrige

“Donikë, të lutem koncentrohu në atë se çfarë po fol. Kosovën edhe para vendimit të GjND-së e kanë njohur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk po e kontestoj unë Pavarësinë e Kosovës, të gjitha shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovës, e kanë pasur përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si kryediplomate, ma jep vetëm një shembull, një shtet që e ka njohur Republikën e Kosovës dhe Amerika nuk e ka përkrahur. Ti me ata përkrahësit e juaj që janë jashtë kuvendit mundoheni ta shtrembëroni këtë deklaratë dhe këtë fakt, ky është fakt. I fundit është Izraeli, që ti e nderuar nuk ke arritur prej Izraelit me sigurua as edhe një njohje të vetme. Është marre që ulesh në atë karrige dhe nuk arrin asnjë njohje ta sigurosh për dy vjet e gjysmë”, është kundër-përgjigjur Musliu-Shoshi.

Replikat kanë vazhduar edhe më tej, ku zëvendëskryeministrja e ka pyetur deputeten për deklaratën për shpalljen e pavarësisë se a është qëndrim individual apo i partisë.

Deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar nga ajo që të kërkojë falje, meqë sipas saj, në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ministri Ivica Daçiq e ka falënderuar Donika Gërvallën.

Deputetët po vazhdojnë të diskutojnë për situatën në veri të Kosovës .

Lekaj fton deputetët që të shkojnë në veri, Konjufca me reagim epik: Pal, a po na prinë?

Deputeti i AAK-së, Pal Lejak, ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti ndaj veriut të vendit.

Në adresimin e tij gjatë seancës së sotme parlamentare, ku po diskutohet për situatën në veri, ai i ka ftuar deputetët që të shkojnë bashkë në veri. Kjo ftesë e Lekajt ka nxitur edhe reagimin epik të kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Edhe një herë po them, hajde 110 deputetët të shkojmë në veri, e jo të bëjmë llafe këtu”, ka thënë Lekaj.

Nuk ka vonuar shumë edhe reagimi i kryeparlamentarit Konjufca.

“A po na prinë Pal? Pal, me shku kallaj është”, ka thënë Konjufca.

Ky reagim i Konjufcës ka nxitur të qeshura të shumta në Kuvend.

Haxhi Avdyli i kërkon llogari Haradinajt për “rrëzimin e Kurtit”

Deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit për të folur rreth sitautës në veri të Republikës së Kosovës.

Avdyli teksa ka goditur foltoren e Kuvendit, i ka kërkuar llogari AAK-së se me kënd dëshiron ta rrëzojë kryeministrin Albin Kurti.

“A e keni kontaktuar Listën Serbe dhe shefin e tyre Vuçiqin. Vuçiq e ka ushtrinë në kufi, tanket në kufi. A keni biseduar për t’ia bërë qejfin? Me kë keni kontaktuar, me Vuçiqin apo Radojiçiqin për mocionin sepse pa ta nuk mund ta bëni”, është shprehur Avdyli në foltoren e kuvendi.

Këtu deputeti i GUXO-s ia ka përmendur Ramush Haradinajt edhe takimin me Milan Radojicicin dhe zgjedhjen e Qeverisë me votat e Listës Serbe.

“Radojiçiqi ua ka pru deputetët nga Beogradi në vitin 2017”, ka shtuar tutje Avdyli.

Ndaj fjalëve të Haxhiut ka reaguar shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri. Tahiri ka thënë se një gjuhë e tillë e Haxhiut është e ulët.

“Është debat që s’të ka hije. Je humbës në këtë debat. Nuk e kam zgjedh unë presidenten. E ke zgjedh me Lista Srpsken presidenten”, ka shtuar Tahiri tutje.

Lekaj: Hajde 110 deputetë të shkojmë në veri e jo të bëjmë llafe këtu

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të bëhen bashkë dhe të shkojnë në veri të Kosovës.

Mirëpo kësaj thirrjeje i është përgjigjur deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, duke e pyetur Lekajn se do të t’ua tregojë rrugën deri te shtëpia e Radojiçqit dhe Veselinoviqit.

“Është paska qesharake të trajtohet kështu, por me kënaqësi do të shkonim nëse na kishte treguar rrugën deri te shtëpia e Radojiçiqit dhe Veselinoviqit, është diskutuar që keni shkuar më herët, pasi kanë shkuar edhe tjerët, shkojmë bashkë me juve”, ka thënë Bajrami.

Këtë replikë nuk e ka pranuar mirë deputeti Lekaj.

“Sa i përket kolegut deputet, më vjen turp që ai e thotë këtë dhe barazon një komandant, falë gjakut të familjes së tyre, falë luftës së tij, sot e kemi lirinë dhe ky më krahason me Radojiçiqin”.

​Deliu-Kodra: Qeveria po e ngatërron koordinimin me aleatë me servilizëm

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha se Qeveria Kurti po e ngatërron koordinimin me aleatë me servilizëm. Ajo e quajti të turpshme qasjen e ekzekutivit, dhe sipas saj po mashtrohet populli.

Në debatin parlamentar për situatën në veri, Deliu-Kodra deklaroi se kryetari i veriut të Mitrovicës, Erden Atiq jeton në Fushë Kosovë.

Deliu-Kodra: Qeveria e ngatërron koordinimin me aleatë me servilizëm

“Sot na thënë që janë shumë pro-evropianë, e ngatërrojnë koordinimin me aleatë me servilizëm. Dhe kjo është e turpshme kur Qeveria e Kosovës e ngatërron koordinimin e partneritet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës me servilizëm. Keni parasysh deri ku shkon mashtrimi i tyre”, tha deputetja e PDK-së.

Ajo shtoi se shtrirja e sovranitetit dhe integritetit në veri nuk mund të bëhet pa koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.

Deliu-Kodra: Erdeq Atiq është banor i Fushë Kosovës

“Informatat e mia të konfirmuara për kryetarin e zgjedhur nga radhët e LVV-së, Erden Atiqin, janë që i njëjti është banor i Fushë Kosovës. Gjatë gjithë ditës, janë informata zyrtare të cilat i kam të konfirmuara, kryeministri na hodhi perde syve për të thënë që ai po e kryen detyrën e tij në veri si kryetar i zgjedhur. A nuk është kjo mashtrim dhe shpërfaqje e mashtrimit që po e bën kjo qeveri, e cila po gënjen se po shkon atje për të shtrirë sovranitetin, sepse fundja në këtë Kuvend të Kosovës, dhe jo vetëm, nuk ka shqiptarë i cili është kundër shtrirjes së sovranitetit dhe integritetit në veri të Kosovës”, shtoi ajo në debatin parlamentar për veriun.

Tutje, ajo konsideroi se çfarë ka ndodhur në veri, e kthen Kosovën para shpalljes së pavarësisë.

Gërvalla për deputetët e LDK-së: Ngatërrojnë partneritetin me servilizëm

Seanca e Kuvendit ku po diskutohet për situatën në veri, për zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla, është zhgënjyese.

Duke ju drejtuar deputetëve të LDK-së, ajo ka thënë se Qeveria Kurti nuk e ngatërron partneritetin me servilizëm dhe politikën me thashethemet.

Ajo ka përsëritur se me partnerët ndërkombëtar bisedojnë hapur dhe synojnë t’i bindin për qëllimet e drejta të Kosovës.

Sipas saj dhuna në veri nuk ka të bëjë me të drejtat e pakicave serbe.

Gërvalla: Në LDK ngatërrojnë partneritetin me servilizëm, politikën me thashethemet

“Dhuna në veri nuk ka të bëjë me të drejtat e pakicave serbe, nuk ka të bëjë me sigurimin e të drejtave të tyre dhe e dimë shumë mirë se cilat janë bandat serbe që terrorizojnë banorët brenda republikës sonë....Është një kohë e vështirë e cila kërkon vendime të vështira, me partnerët tanë bisedojmë hapur dhe debatojmë me ta jemi të pastër dhe synojmë të bindim partnerët tanë për qëllimet tona të drejta. Në dallim nga ata që sot flasin në emër të LDK dhe ngatërrojnë partneritetin me servilizmin politikën me thashethemet...Në krahë të presidentit Rugova e kam mësuar gjatë takimeve të tij që miqtë aleatët dhe partnerët tanë nuk duhet gënjyer, por duhet shpjeguar, diskutuar dhe koordinuar me ta për të siguruar mbështetjen e tyre për interesat legjitime të qytetarëve”, u shpreh ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla i ka replikuar Ramush Haradinajt duke i thënë se është turp me prit në zyre Radoiçiqin dhe shokët e tij e jo t’i mbrosh qëndrimet legjitime të Kosovës.

Gërvalla: nuk është të mbrosh qëndrimet legjitime të Kosovës turp është me prit në zyre Radoiqiqin

“U përmend fjala turp deputetit Haradinaj e paska lëshuar sallën, turp nuk është të mbrosh qëndrimet legjitime të Kosovës turp është me prit në zyre Radoiçiqin dhe shokët e tij jo pse është serb por kriminel. Dy partitë politike këtu Aleanca dhe PDK thjesht nuk kanë kredibilitet për të folur për aleancën me Amerikën. Që nga qeveria Hotin as LDK më nuk ka kredibilitet...Ne nuk i gënjejmë SHBA dhe as BE e jo si ju deputetët të nderuar të opozitës, këtu në foltore jeni shqiponjë kur shkoni nëpër ambasada ktheni në pula”, tha ajo.

Gërvalla tha se SHBA-të dhe BE nuk kërkojnë nënshtrim, por presin ndërtimin e një shteti demokratik.

Gërvalla: SHBA dhe BE na ne nuk kërkojnë as nënshtrim as servilitet

“SHBA dhe BE na ne nuk kërkojnë as nënshtrim as servilitet presin të ndërtojmë një shtet demokratik dhe ligjor presim vendime të guximshme presim marrje të përgjegjësisë për çdo veprim tonin presin debat të hapur në shërbim të prosperitet të Kosovës”, u shpreh ajo.

Gërvalla ka kritikuar edhe PDK-në, sipas saj, për mos-shkuarjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

E pas fjalimit të saj, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ndonëse Gërvalla e përmendi LDK-në 13 herë, si person ajo hynë në kategorinë e personave që si parti as nuk e replikojnë.

Gashi: Gërvalla në kategorinë e personave që as nuk e replikojmë

Hynë në kategorinë e personave që LDK as nuk replikon”, tha ai.

Debati parlamentar për situatën në veri të vendit është ndërprerë për një pauzë deri në 15:30. 

Tahiri: Kosova për shkak të Kurtit e ka humbur sovranitetin dhe miqtë

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se për shkak të veprimeve të kryeministrit Kurti, Kosova e ka humbur sovranitetin, miqtë dhe po rrëshqet në diktaturë.

Gjatë fjalimit të tij në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai shtoi se e kanë obligim që të mbrojnë miqësinë më Amerikën.

“Deri sa sot po debatojmë, policët janë përballë bandave kriminale të Vuçiqit, të cilët janë vendosur në lajthitje nga kjo qeveri. Ka ndodhur humbja e sovranitetit në atë pjesë, e dyta humbja e miqësisë me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe e treta është rrëshqitja e kësaj qeverie nga një demokraci liberale në një diktaturë e paparë”.

“Krejt çka merrni vesh ju dhe ne, nuk e ka informuar Presidenten, Kuvendin e as nuk e ka njoftuar Këshillin Kombëtar me kënd je konsultuar për këto veprime. Po flet për një sovranitet që është oborr i Kuvendit Komunal. 30 trupa të KFOR-it janë plagosur ndërsa t’i nuk e the asnjë fjalë, të cilët kanë shkuar aty për me ndal gjakderdhjen”,

“Ti mendon se i mashtron sikurse që i ke mashtruar qytetarët. Ne e kemi obligim me e mbrojtë miqësinë me Amerikën, e tash vega jote me na tregu kush është Amerika”, deklaroi Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat