Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Aktuale

Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 15:13 më 02.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Time Kadriaj, deputetëve të VV-së: Nuk jeni ju për luftë

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se deputetët e VV-së me sa duket kanë parë shumë filma aksion ditëve të fundit, por ka shtuar se po erdhi përnjëmend puna teri tek lufa “asnjë nga ta nuk janë për këtë punë”.

Kadriaj në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për zhvillimet në veri tha se lufta nuk bëhet prej karrigeve të Kuvendit e nuk është ashtu siç duket në televizion.

“Ju që merri me portale, me përçarje po më duket se kohëve të fundit keni parë shumë filma aksion, e që regjinë e bëjnë me regjisor të njohur si Albini e Vjosa e që fundin e bëjnë sipas dëshirën, por që fundi s’po ju del mirë e s’po i del as Kosovës mirë.

Por lufta e konflikti nuk është as ashtu sikurse nëpër filma se ju nuk e keni përjetu me ngelë në acar e ngricë e të mos kesh ku të strehohesh, të ngelesh pa hëngër e pa pirë e me përjetu halucinacione e nuk po e kuptoni se lufta nuk bëhet prej karrigeve të Kuvendit e me fjalime patriotike se besoj me ndodh, vërtetë s’keni me  e pritë mirë dhe keni me kërku azil se asnjë bash asnjo s’jeni për luftë nëpër vijat e para të fronit”, u shpreh Kadriaj.

Ajo tha se kryeministri Kurti u zbraps disa herë nga vendimet e tij dhe se me veprimet në veri po e rrezikon Policinë e Kosovës, ushtrinë e të gjitha mekanizmat e sigurisë.

“Ti asnjë veprim që bërë nuk e mbajte, u zmbrapse i turpëruar. Edhe tash njëjtë po bën duke rreziku Policinë e Kosovës, ushtrinë e të gjitha mekanizmat e sigurisë. Kthjellu ose shko në shtëpi se nuk do të jemi pjesë e agjendave tua që nuk janë në interes të Kosovës. Për herë të parë në historinë e Kosovës i ke bërë aleatët tanë të na kritikojnë e sanksionojnë”, u shpreh Kadiraj.

Gashi tha se s’replikojnë me Gërvallën pasi s’i plotëson kriteret, Abdixhiku e deputetët e LDK’së “shkrihen” duke qeshur

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, e ka marrë fjalën pasi zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, e përmendi disa herë këtë parti gjatë fjalimit.

Gashi tha se Gërvalla tashmë hynë edhe zyrtarisht në kategorinë e personave, me të cilët LDK’ja s’replikon.

“Zëvendëskryeministrja 13 herë e përmendi LDK’në në fjalimin e saj. Seriozisht, hynë në kategorinë e personave tashmë edhe zyrtarisht me të cilët LDK’ja ma as nuk replikon, nuk i plotëson as minimum kriteret e replikës”, ka thënë Gashi, pas së cilës deklaratë kanë qeshur Kryetari Lumir Abdixhiku dhe disa deputetë të LDK’së.

Ndërsa, Gërvalla gjatë fjalimit të saj në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për gjendjen në veri, iu është drejtuar opozitës “Këtu ne foltore jeni shqiponjë, por kur shkoni në ambasada ktheheni në pula”.

Ajo tha se partia në pushtet akuzohet se nuk po din ti riparojë gabimet e qeverive të kaluara.

“Akuzohemi që nuk po dijmë ti riparojmë gabime tuaja, pra nuk po pajtoheni me atë q keni thënë dhe bërë ë të kaluarën, ne nuk kemi ndërruar qëndrimin tonë as ndaj sovranitetit, as ndaj integritetit territorial, as me pazaret ndaj tokave të Kosovës andaj krimit të organizuar e korrupsionit”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka kërkuar nga opozita të kërkojë falje për gabimet që i kanë bërë derisa kanë qenë në pushtet.

“Kërkoni falje për gabimet që keni bërë, për faljen e Mitrovicës, për pazar me tokat e këtij vendi kërkoni falje për marrëveshjen e viti 2013 e cila mundëson një Republikë Serbe të dytë brenda territorit të Kosovës, kërkoni falje për tolerimin e shkeljes së vazhdueshme për integritetin e vendit”, tha ajo.

Gërvalla: Ne nuk e gënjejmë ShBA-në, raportet me ta i gjetëm të mjerueshme

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka kritikuar Qeverinë e kaluar të kryesuar nga deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke theksuar mungesën e kredibilitetit të tyre.

Gërvalla ka thënë se presidentit të Amerikës nga Qeveria e kaluar i janë premtuar gjëra të pamundura për t’u realizuar, dhe ka akuzuar se ata e kanë gënjyer atë në sy të tij.

“Që nga Qeveria Hoti as LDK-ja më nuk ka kredibilitet. Personalisht presidentit të Amerikës i kanë premtuar gjëra të pamundura për t’u impelementuar, të cilat e kanë ditur që nuk  kanë për t’i realizuar kurrë, dhe nuk i ka ardhur turp ta gënjejnë në sy presidentin e atëhershëm amerikan”, ka deklaruar ajo.

Ministrja Gërvalla ka deklaruar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës Qeevria Kurti i ka gjetur në nivelin më të dobët dhe i ka akuzuar deputetët e opozitës se e gënjejnë ShBA-në dhe Bashkimin Evropian.

Duke përdorur një ‘metaforë’, ajo ka thënë se deputetët kthehen në “pula” kur shkojnë në ambasada.

“Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara i kemi gjetur në nivel të mjerueshëm, por ne nuk i gënjejmë ShBA-në, nuk e gënjejmë as BE-në, jo si ju deputet të opozitës. Këtu në foltore jeni shqiponjë por kur shkoni nëpër ambasada ktheheni në pula”, është shprehur ajo në Kuvendin e Kosovës.

Ajo gjatë deklarimit të saj në foltoren e Kuvendit, ka theksuar se ekziston angazhimi i Qeverisë për të komunikuar hapur me partnerët dhe aleatët e Kosovës dhe për të mbrojtur qëndrimet e tyre të drejta.

Gërvalla ka bërë dallimin mes Qeverisë Kurti dhe atyre që flasin në emër të LDK-së, duke i akuzuar ata se ngatërrojnë partneritetin me servilizmin dhe politikën me thashetheme.

Ministrja Gërvalla gjithashtu ka theksuar se partnerët e Kosovës, si ShBA dhe BE-ja, nuk presin dhe as nuk kërkojnë nënshtrim ose servilitet nga Kosova.

Sipas saj, ata presin që Kosova të ndërtojë një shtet demokratik dhe ligjor, të marrë vendime të guximshme dhe të zhvillojë debate të hapura në shërbim të prosperitetit të vendit.

“Me partnerët dhe aleatët tanë bisedojmë hapur edhe debatojmë më ta, jemi të pastër dhe synojmë të bindim partnerët tanë për qëndrimet tona të drejta. Për dallim nga ata që sot flasin në emër të LDK-së, dhe ngatërrojnë partneritetin me servilizmin, politikën me thashethemet, dhe kanë pjesë e zhvillimeve më të rëndësishme të Kosovës së viteve të 90-ta. ShBA-ja partnerët tanë në BE nga ne nuk presin dhe as nuk kërkojnë as nënshtrim dhe as servilitet, presin të ndërtojmë një shtet demokratik dhe ligjor, presin vendime të guximshme, debat të hapur në shërbim të prosperitetit të Kosovës”, ka deklaruar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka deklaruar se dhuna në veri nuk ka të bëj me të drejtat e pakicave serbe, “nuk ka të bëj aspak me sigurimin e të drejtave të tyre, dhe e dimë shumë mirë se cilat janë bandat serbe që i terrorizojnë banorët brenda Kosovës”, ka shtuar Gërvalla.

Kurti, Krasniqit: Ia plotësuat kërkesën e parë Vuçiqit – çlironi kryetarët të shkojnë në zyrë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë është duke kërkuar largimin e katër kryetarëve në veri nga ndërtesat komunale por edhe të policisë.

Sipas Kurtit, PDK-ja ia ka plotësuar kërkesën e parë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiqi po thotë hiqni dy kryetarët që kanë mbetur. Pra, Zveçanin dhe Zubin Potokun, këta ia kanë plotësuar kërkesën Vuçiqit, ndërsa s’e kanë larguar policinë sepse nuk pyeten më për polici, e po të pyetshin, unë e di që edhe policinë e kishin larguar”, tha Kurti.

Më tej, kreu i qeverisë kërkoi nga kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, që të “çlirohen” dy kryetarët e PDK-së në veri, e të shkojnë në punë.

Çlironi ata dy kryetarë që i kanë fituar zgjedhjet në Zubin Potok e Zveçan e le të shkojnë në zyrë të tyre, se turp. Kur të ecë rroga duhet të punosh, kur duhet të garosh e zgjidhesh duhet fituar, prandaj çlironi ata kryetarë se ata duan të shkojnë në Zveçan dhe Zubin Potok. Policia i garanton, qeveria i mbështet e ju mos i mbani peng”,.

Albin Kurti tregon arsyen pse Vuçiq po refuzon ta nënshkruaj marrëveshjen e Ohrit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk e nënshkruan marrëveshjen e Ohrit, pasi është e vetëdijshme që është në të mirë të Kosovës.

Këtë deklaratë Kurti e dha në Kuvendin e Kosovës ku po mbahet debat parlamentar lidhur me situatën në veri.

“Gjatë bisedimeve që i kam në Bruksel dhe jo vetëm, udhëheqja e Serbisë, praktikisht është në kërkim të një makine kohore. Por, makinë kohore nuk mund të ketë. Duhet të ecim përpara, e përpara është sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes dhe zbatimi i kësaj marrëveshje me përpikëri, pa kushte dhe në plotëni. Pra, marrëveshjet e mëhershme Serbia i nënshkruante sepse i konsideronte të mira për veten e saj. Ndërkaq, këtë marrëveshje, Serbia e din shumë mirë që është e mirë për Kosovën dhe refuzon ta nënshkruaj. 39 marrëveshjet e mëparshme nuk ka refuzuar Beogradi t’i nënshkruaj, sepse përgjithësisht u kanë konvenuar. A në marrëveshjen e Brukselit e kemi njohjen “de facto”. Përshtypja ime është se Vuçiq është penduar se i ka thanë “po” marrëveshjes. Tash është penduar që ka thënë “po”, ndonëse se ka nënshkruar.”, deklaroi Kurti para deputetëve.

Kurti ka thënë se kur Policia e Kosovës ka hyrë në objektin e Komunës së Zveçanit, aty është gjetur fotografia e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Ndërtesat kanë qenë të braktisura nga strukturat paralele. Në Zvecan kur ka hyrë Policia e Kosovës, e ka gjetur fotografinë e Vladimir Putinit, ai nuk është kryetar komune me të cilin është binjakëzuar Zveçani. Problem këtu është i thellë, por ky problem nuk zhduket nëse i mbyllim sytë. Ky problem duhet demaskuar, duhet denoncuar. Fotografia e Putinit nuk është më në ndërtesën e Zveçanit. Dua të them, udhëheqjet që kanë qenë aty dhe i kanë braktisur ndërtesat, nuk kanë qenë thjesht kryetar komunash. Ndërsa tani po, tani janë kryetar të komunave. Më herët komuna nuk ka qenë komunë me fotografinë Vladimir Putinit. Sot, me kryetarët që janë zgjedhur, komuna është bërë komunë”, shtoi tutje Kurti.

Memli Krasniqi – Kurtit: Harroje që organizon zgjedhje të reja për Zubin Potok e Zveçan

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në Kuvendin e Kosovës në fjalimin e tij të ditë ,ka folur për deklarimet e kryeministrit Kurti për zgjedhje të reja.

Ai e nisi fjalën duke i thënë Kurtit: "Sytë po m`dhamin prej teje"

Tutje, Krasniqi tha se Kurti s’mund të organizojë zgjedhje të reja për dy komunat ku ka fituar PDK-ja.

Kreu i PDK-së i ka thënë Kurtit se për Zubin Potok dhe Zveçan nuk “t’i pyet askush letrat”

“Për dy komuna s’guxon, për Zvecan për Zubin Potok ty s’ti vetë letrat kërkush”, ka thënë Krasniqi.

Kurti pyet Abdixhikun e Krasniqin: A t’i arrestojë kriminelët me koordinim a pa koordinim

Kryeministri Albin Kurti ka marrë fjalën në Kuvendin e Kosovës dhe ka komentuar kërkesat e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, për të arrestuar kriminelët në veri të Republikës së Kosovës.

Kurti ka pyetur Abdixhikun dhe Krasniqin se a duhet t’i arrestojë këta kriminelë me koordinim apo pa koordinim.  

“Arrestimin e kriminelëve në veri, a ta bëj me koordinim apo pa koordinim”, ka thënë Kurti, teksa buzëqeshte.

Ndërkohë deputetin Abelard Tahiri e ka pyetur se arrestimi i kriminelëve a duhet të ndodh me shurdhues apo pa shurdhues.

“A me shurdhues a pa shurdhues”, ka thënë Kurti

Tahiri: S’do ketë normalitet në kuvend derisa jemi të sanksionuar nga ShBA-ja

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri i vendit, foli sot me emrat e kriminelëve në veri, por sipas tij ky nuk ishte një mesazh i mirë për ta, pasi kjo tregoi se “s’guxojmë të marrim asnjë veprim”.

Tahiri tha se në rrafshin ndërkombëtar, Kosova është na ballinë të gazetave më të mëdha të botës për eskalimin e situatës, teksa paralajmëroi situatë jo normale në kuvend.

“Si opozitë do të kemi angazhim të vazhdueshëm që të mos ketë normalitet në këtë kuvend përderisa jemi të sanksionuar nga ShBA-ja”, tha Tahiri.

Më tej, ai pyeti Kurtin se ku e merr guximin që politikën e jashtme të ShBA-së ta quaj naive.

“Ku e merr guximin kryeministri i Kosovës ta quaj naive politikën e jashtme të presidentit Biden. Është e papranueshme ta kesh Kosovën në ballina të mediave kryesore për dëmtim të raporteve me ShBA-në”.

“Zgjidhjen për këtë kaos duhet gjetur vetëm me koordinimin e ShBA-së. Pikat kufitare 1 dhe 31 janë vendosur në bashkëpunim me aleatët tonë më të fuqishëm”, tha Tahiri

Basha i VV’së godet Borellin pas tri kërkesave që ia bëri Kosovës, i kërkon opozitës të reagojë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka kritikuar kërkesat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borell, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, marrëveshjen me serbët për zgjedhjet e reja dhe nisjen e Asociacionit.

Dimal Basha thotë se këto janë kërkesa të pasinqerta të Borellit dhe si të tilla duhet të kritikohen, pa marrë parasysh që Borell është zytar i BE-së.

Basha ka kritikuar edhe partitë opozitare që sipas tij nuk e kanë thënë asnjë fjalë kundër kërkesave të Josep Borellit.

“Kur dal me fol për Amerikën, këta tuten”, Basha ngacmon opozitën, atë Konjufca

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur debat parlamentar, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, atje ku është tensionuar situate qe një javë.

Në këtë seancë, deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka ngacmuar pak opozitën, para se të niste fjalimin e tij.

Basha tha se kur ai del të flas për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deputetët e opozitës frikësohen.

“Unë kur dal me fol për Amerikën, këta tuten këtu”, tha Basha, duke shkaktuar të qeshura në Kuvend.

Bashës i ndërhyri kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili duke qeshur i tha: “ti je shkollu në Amerikë, ti di diçka me na kallxu”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat