Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Aktuale

Mes kritikave, përplasjeve dhe akuzave përfundon debati parlamentar për situatën në veri

Më: 2 qershor 2023 Në ora: 06:43 Përditësuar në ora: 12:32 më 02.06.2023
Kuvendi i Kosovës

Abazi: Sali Zyba ka humb në Suharekë, nuk mundet me fitu Zveçanin

Deputeti i pavarur, Haki Abazi, është përfshirë në diskutimin në Kuvend për zhvillimet e fundit të komunat veriore dhe raportet diplomatike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Kosovës.

Abazi fillimisht ka thënë se Kosova ka humbur kur e ka pranuar Marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve me Serbinë, në shkurt të këtij viti dhe planin e saj të zbatimit, të pranuar më 18 mars në Ohër.

“Betejën në Bruksel e kemi humbur me pranimin e Marrëveshjes, të cilën e kemi elaboruar në detaje”, ka thënë ai.

“Në pikën 10 është pranuar Asociacioni, që praktikisht, për ta përcaktu një autonomi për serbët në Veri.  Kjo është beteja e humbur në Bruksel, i konfirmuar në Ohër. Ky është realiteti i bashkëdyzuar me dështimet e të kaluarës dhe me dështimet e dialogut për dy vite e gjysmë në Bruksel”, shton Abazi.

Haradinaj: Ta shkarkojmë Qeverinë, Kurti po i sjellë pasoja të mëdha Kosovës, po e poshtëron çdo vlerë të shqiptarëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku po diskutohet lidhur me gjendjen në veri të vendit, ka kërkuar nga deputetë që të votojnë mocionin e mosbesimit dhe të shkarkojnë Qeverinë Kurti.

“Propozoj të shkojmë në mocion dhe ta ndërprejmë mosbesimin deri në pabesi, poshtërimin deri në armiqësi dhe mashtrimin deri në tradhti, të shkarkojmë Qeverinë Kurti”, ka qenë kërkesa e Haradinajt për deputetët e Kuvendit.

Ajo ka thënë se Kryeministri Kurti ka ngjalë mosbesim të brendshëm në çdo proces dhe ka kultivuar edhe mosbesim tek aleatët.

Ai ka thënë se të gjithë e dijnë rolin e Listës Serbe dhe të bandave në Serbi disa prej të cilave sipas Haradinajt i ka sanksionuar edhe SHBA-ja, por sipas tij, nuk po diskutohet mjaftueshëm se ku po shkon shteti i Kosovës nen udhëheqjen e Kurtit.

“Mosbesim deri në pabesi, jo befasi. Kurti dikur udhëheqës i Vetëvendosjes ka ngjallë, ka kriju, ka mbjellë mosbesim të brendshëm. Gjithë kohën e ka ushqyer një mosbesim në çdo proces, e ka kultivuar një mosbesim nga aleatët e Kosovës veçanërisht të sigurisë që është Amerika, që me fjalimin e tij i ka ngjasuar Lavrovit”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, si rezultat i mosbesimit të tij po ndodhin ndëshkimet nga aleatët tonë për Kosovën, për shkak të pabesive të kryeministrit të një vendi i cili është ndihmuar për tu çliruar.

“Kurti ka mbjellë, ka nxitur poshtërim të të gjitha figurave, të të gjitha vlerave të krijuara me mund, disa prej tyre i ka marrë me vete i ka përvetësuar për ta fuqizuar konceptin e vet të poshtërimit dhe ka vazhduar me poshteru çdo vlerë të krijuar prej shqiptarëve”, tha ai.

Sipas tij, vazhdimi i poshtërimit të Kurtit po i sjell Kosovës pasoja të brendshme dhe të jashtme.

“Kurti është sinonim i poshtërimit deri në pabesi, ka poshtëruar aparatin shtetëror, ka poshtëruar popullin e vet, po vazhdon me i poshtëru të gjithë , me i shtyp deri në poshtërim. Mashtrimi i Kurti ka elemente të tradhtisë, ashtu si dikur i mashtronte shtresat e varfëra e i mashtronte të punësuarit e të papunët, Kurti po provon me mashtru edhe aleatët e sigurisë, garantët tonë”, tha Haradinaj.

“Nuk ndjehem mirë që i them këto veçanërisht në një ditë si kjo por është detyra jonë të deklarohemi se a duhet me leju në Kosovë mosbesimi institucional deri në pabesi ndaj aleatëve tonë të sigurisë. Kush përfiton nga kjo përpos Putinit dhe Rusisë, fiton Rusia fitojnë armiqtë tanë, fiton Serbia, fitojnë bandat që Kurti i numëronte me lista”, tha Haradinaj.

Krasniqi – Kurtit: Kqyri more punët e tua, s’të ka mbetë ty çlirimi e demokratizimi i serbëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, e ka cilësuar fjalim të një gazetari mediokër të një televizioni shtetëror.

Krasniqi ka thënë se kryeministri i ka bërë presion kryetarëve të rinj për të shkuar dhe për të nisur punët në komunat veriore, e që sipas tij, Kurti po luan me zjarrin.

“Nëse të ka mbet merak  zjarri të kaluarës mos u mundu me ndezë zjarr të tashmes, sepse njerëzve iu duhet paqe. Përveç që ke synime të tjera. Sot ti veç një qëllim e fole në fjalim, krejt çka the, the qëllim për me i çlirua serbët. Paramendo kryeministri i Kosovës e paska qëllimin me i çliru serbët , çlirimtari i serbëve. Me i demokratizua serbët. Kqyri more punët e tua, njerëzit janë duke ikë natë e ditë, e ti po me kallxon qysh duhet me bë parti politike në Beograd. Dertet e Vuçiqit po i mban. Nëse don me bo autonomi, e ai është çlirimi yt, atëherë na trego. Sepse po e dimë që e ke pranu një verzion katastrofal me Vuciqin me nenin 7. Por, sillu si kryeministër jo si propagandist”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.

Krasniqi i është drejtuar kryeministrit duke i thënë se e ka reduktuar sovranitetin në tri ndërtesa.

“Qëllim nuk e di a ke pas me bë autonominë, por në atë udhë je duke shku. Qëllimin për me i çliru serbët ta kuptuam, urime dhe shumë suksese, të urojmë shumë fat! Ama çka ke arrit deri tash është përveç rrezikimit të raporteve me aleatë, e shkatërrove imazhin e Kosovës. Në krejt mediat ndërkombëtare jemi duke dalë si vatër e luftës pas 20-vjetëve. I pash nëpër media, njerëzit kanë nisur të anulojnë vizitat nëpër Kosovë turistë e vizitorë prej shteteve të BE-së, sepse janë frikësuar. E ke reduktuar sovranitetin dhe ambicien e Kosovës në tri ndërtesa. A je më shumë sovran me mbajt atë Oso Kukën në Leposaviq a me marrë pjesë në stërvitjen ushtarake të NATO-s. Cili është sovranitet më i madh?”, ka pyetur i pari i PDK-së.

Sipas tij, kryeministri i vendit duhet ndryshe ta mbështesë Policinë e Kosovës.

“Nuk i përmende KFOR-in, po fol për NATO,  nuk e përmende 30 ushtarë të KFOR-it tu kanë lëndu, marre është mos me iu thanë faleminderit kryeministri. 30 ushtarë të KFORI-it, pse janë lënduar? Policinë e Kosovës duhet ta mbështetësh ndryshe, sepse ne dhe populli që nuk kemi përgjegjësi ekzekutive, ne jemi duke e mbështetur gjithë. Ti duhet me i mbështet edhe mos me i lanë të rrezikuar, të mbyllur brenda dhe me i thënë KFOR-it hajde ndihmona dhe mbrona. Çka është më e keqja? Si gjithmonë ti në fund tërhiqesh, pasojat i vuan Kosova. Ti veç je tërhiq dje, po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme. Atje i ke rrezikuar kryetarët, tash lypë zgjedhje të jashtëzakonshme, ti dhe Vjosa Osmani se gjithë tërhiqeni, veç bëni probleme”, tha ai. 

​Kusari-Lila: Nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug, Kosova po ecë përpara me miqtë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në seancën e sotme të veçantë ku po diskutohet për situatën në veri thekoi se nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug.

Ajo theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve të saja me SHBA dhe aleatët tjerë.

Kusari-Lila: Nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug

“Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të veprimeve të saja me SHBA-në dhe aleatët tjerë. Por, në këtë proces jemi kontribuues dhe kemi përgjegjësitë tona si përfaqësues të popullit kjo sfidë nuk duhet të na ndajë por të na bashkojë dhe qartësojë rrugëtimin tonë përpara konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Nuk ka kthim prapa as në veri dhe as në jug, Kosova po ecë përpara me miqtë e saj dhe vlerat të cilat populli ynë gjithmonë i përqafoi dhe i mbajti si të vetat”, u shpreh ajo.

Deputetja e LVV-së, theksoi se nga nëntori i vitit 2022 e deri sot asnjë veprim i institucioneve të Kosovës nuk është bërë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Që nga paslufta sipas Kusari-Lilës veriu i Kosovës u përdorë si poligon i manovrave të ulëta politike të Serbisë dhe politikanët profiter që e shfrytëzuan veriun për përfitime të ulëta.

Kusari-Lila: Deri më sot asnjë veprim institucional nuk është bërë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën

“Prej nëntorit të vitit 2022 e deri tani kur po flasim në Kuvend asnjë veprim i vetëm i institucioneve të Kosovës nuk I bë në kundërshti me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Në të kundërtën çdo hap dhe veprim ishte ashtu sikur duhet të jetë në çdo pjesë dhe pëllëmbë të Kosovës. Dhe këtë na takon neve ta vlerësojmë dhe mbështesim si deputetë të Republikës. Fatkeqësisht nuk ishte gjithmonë ashtu....Veriu i Kosovës u përdorë si poligon i manovrave të ulëta politike të Serbisë dhe në dëm të komunitetit serb në Kosovë dhe politikanëve, diletantëve profiter të cilët jashtëligjshmërinë e veriut e shfrytëzuan për përfitime të ulëta”, theksoi ajo.

Kusari-Lila tha se si shtet dhe demokraci Kosova i ka të dëshmuara gabimet nga pararendësit, për të cilat tha se kanë mbetur mësime.

Kusari-Lila: Në Kosovë u arrit të ndalej projekti i shkëmbimit territorial

“Si shtet dhe demokraci e re tashmë i kemi të dëshmuara gabimet nga pararendësit, por çfarë kanë mbetur për ne janë mësimi dhe vigjilenca që kurrë nuk duhet stepur prapa nga detyra dhe përkushtimi që kemi marrë. Këtu në Kosovë u arrit të ndalej projekti i shkëmbimit territorial, këtu në Kosovë në masë spektri politik nuk e mbështeti idenë pasojat e së cilës do i vuanim shumë gjatë. Prandaj, na takon të ndalemi dhe vlerësojmë qartë dhe drejtë si e duam mbrojtjen dhe ruajtjen e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në Kosovë afatgjate dhe për të gjithë, të drejtë dhe të barabartë. Duhet të deklarohemi a jemi kundër vendosjes së flamurit të Kosovës në tërë Republikën dhe pa dallim a jemi kundër përfaqësimit institucional dhe rendit e ligjit pa dallim a duhej të vihej në diskutim funksionimi i rendit dhe ligjit dhe ushtrimi i detyrave kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur”, tha ajo./

Abdixhiku: Bandat kriminale Kurti i njeh me emër e me mbiemër, por i lë t’lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka hedhur kritika ndaj kryeministrit të vendit Albin Kurti, pasi sipas tij, ai nuk po ndërrmer asgjë në arrestimin e bandale kriminale në veri të cilët ushtruan dhunë ndaj gazetarëve shqiptarë pjesëtarëve të KFOR-it.

Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës, madje tha se Kurti i njeh këta persona me emër, mbiemër e me adresë por që sipas tij, ai të njëjtit po i le të lirë e në anën tjetër po vie në Parlament dhe po u ligjëron deputetëve të tjerë.

“Sulmi i nisur nga bandat që kryeministri i njeh por s’i arreston ndaj gazetarëve shqiptarë raportues atje, e u shëndrrua shpejtë në sulm ndaj ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it si shenjë se bandat të cilat kryeministri i njeh me emër e me mbiemër, me adresë ,me armatim, me shtëpi po i  le të lirë se këto banda qëndronin kundër demokracisë, kundër raportimit të lirë por edhe kundër vlerave euroatlantike të shpërfaqura nëpërmjet ushtarëve të KFOR-it në terren . Në një përballje të tillë palët ishihn të ndara dhe të çarta në njërën anë qëndronin organet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e në anën tjetër bandat kriminale të sponzorizuara nga aparati shtetëror i Serbisë banda që kryeministri i Kosovës i njeh me emër, mbiemër dhe adresë por ende i le të lirë dhe na ligjëron në parlament”, tha ai.

​Kurti: Kompanitë e Radojiqiqit u kushtëzojnë serbëve vendin e punës me protestë të dhunshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se shumë qytetarë serb, për shkak të kërcënimit dhe personit nga Beogradi zyrtar, janë detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve kriminale.

Ai ka thënë se një kategori e protestuesve janë punëtorë të kompanive të Radojiqiqit i cili u jep ditë pushimi që të marrin pjesë në protesta të dhunshme.

Lidhur me situatën ën veri, shefi i ekzekutivit ka folur në Kuvendin e Kosovës.

Kurti: Kompanitë e Radojiqiqave u kushtëzojnë serbëve vendin e punës me protesta të dhunshme

“Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet para objekteve janë pjesë e grupeve të tilla. Por fatkeqësisht shumë qytetarë serb për shkak të presionit dhe kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori, kategoria e parë janë këta kriminelët e mbrojtjes civile, këta janë ajo pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin dhe Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme, kategoria e dytë janë ata nga administrata publike të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë, dhe kategoria e tretë janë kompanitë e Radojiqiqave dhe Veselinoviqave të cilët u japin ditë pushimi punëtorëve me kusht që me e shku në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ua shkruajnë ditë pushimi”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se veprimet e institucioneve kanë qenë në përputhje me obligimet kushtetuese interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës, nuk hyn Policia me forcë në ndërtesë të vet, nuk hynë kryetari i komunës me forcë në ndërtesë të vet, ajo është zyra e tij:, ka theksuar ai.

Kurti: Serbëve u jepet pushim në punë për të dalë në protesta

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se qytetarëve serb u kushtëzohet vendi i punës, me kusht për të dalë në protesta të dhunshme.

Gjatë seancës plenare në Kuvend, ku po zhvillohet debat parlamentar për situatën në veri të vendit, Kurti tha se tani nuk është më në pyetje çlirimi i Kosovës, por çlirimi i komunitet serb nga Beogradi Zyrtar.

“Unë nuk mund t’i mbyllë sytë kur grupe kriminale të llojit fashist paramilitar, kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Kosovës. Fatkeqësisht shumë qytetarë serb, për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit Zyrtar, janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale. Aty janë tre kategori, kategoria e parë janë kriminelët e mbrojtjes civile, këta janë pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin e Putinin. Kategoria e dytë janë ata nga Administrata Publike, të cilët po nuk dalin në protesta, humbin pagën, se vendin e punës nuk e di a e kanë. Kategoria e tretë janë kompanitë e Radojqiqit, të cilëve u japin ditë pushimi punëtorëve me kusht për të shkuar në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protesta, ua shkruajnë ditë pushimi. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb”, deklaroi Kurti para deputetëve.

Më tej, Kurti tha se tani qytetarët serb janë më të pa lirët në Republikën e Kosovës, derisa shtoi që Policia dhe Institucionet e Kosovës po punojnë vazhdimisht për ta ndryshuar këtë gjë.

Po ashtu, Kurti ka theksuar se nuk i kanë befasuar aleatët me dërgimin e kryetarëve në objektet komunale.

Ai ka thënë se në këtë proces ka pasur konsultim dhe bashkërendim me partnerët e Kosovës.

“Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi se tregon që institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre. Ne kemi vepruar me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Kjo kronologji tregon gjithashtu që ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë. Pra, nuk ka pasur asnjë befasi pasi që ky ka qenë një proces me shumë hallka, e ku hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e tij të punës”, ka thënë Kurti.

Ai ka bërë me dije se dërgimi i kryetarëve të rinj në objektet e komunave me asistencë të policisë ka qenë vendim i organeve të sigurisë dhe jo vendim politik i qeverisë.

“Po e them këtë sepse të shumat janë ata që pranin e forcave policore e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndertës. Sepse ajo ndertës është e Republikës së Kosovës. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesën e vet. Nuk hyn kryetari i komunës në ndertës të vet, ajo është zyra e tij”, ka thënë ai.

Njëherit, kryeministri shprehi keqardhje për sulmet që kanë ndodhur ndaj anëtarëve të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve.

“E shpreh falënderimin tim për të gjithë”, ka shtuar Kurti.

Deputetët e VV-së duartrokasin fjalimin e Kurtit për Policinë e Kosovës

Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e sotme në Kuvend ku po flitet për situatën  në veri, foli për punën që po bën atje Policia e Kosovës.

Ai u shpreh se policia ka nevojë për mbështetje dhe e kërkoi një gjë të tillë edhe para deputetëve.

“Policia jonë ka nevojë për mbështetje, jepjani këtë mbështetje”, u shpreh Kurti.

E ky fjalim është përcjellë me duartrokitje të gjatë nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti: Serbët në Kosovë janë të shtypur nga Serbia

Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pikë e vetme e rendit të ditës është situata në veri të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti tha se janë serbët ata që kanë braktisur institucionet, përfshirë edhe postet e deputetëve, vetëm se vijnë çdo gjashtë muaj të nënshkruhen sa për të marrë pagën.

Ai tha se ndërtesat e komunave nuk janë marrë me forcë sepse ato janë pronë e shtetit dhe policia nuk merr ndërtesat e veta.

Kryeministri u shpreh se ndërtesat e komunave kanë qenë të zbrazëta. Kryeministri tha se prezenca e policisë ka qenë e justifikuar sepse aty është dashur të hyjë kryetari i komunës.

Kurti tha se të hënën, një pjesë e mirë e bandave kriminale, u kthyen nga tubimi në Serbi, u kthyen për ta eskaluar situatën.

“Ka video e foto që dëshmojnë për krijimin e dhunës dhe autor është Beogradi zyrtar”, tha kryeministri Kurti.Ai tha se pas deklaratave mbështetëse dhe mbajtjen e  zgjedhjeve, duhej të mbështeteshin kryetarët e rinj. “Kjo është deklarata e munguar dhe e shoqëruar me shqetësime të tepruara, nuk i ka ndihmuar situatës”.

Kurti tha se Kosova ka vepruar në përputhje me Kushtetutën. “Nuk ka pasur asnjë befasi dhe duhet ta përsëris se pasuria e Republikës është e qytetarëve”, u shpreh kryeministri.

“Nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale e fashiste minojnë rendin e republikës”, u shpreh kreu i Qeverisë së Kosovës, duke rikujtuar se fatkeqësisht shumë qytetarë janë të detyruar të dalin në protesta.

“Kategoria e parë janë personat e së ashtuquajtur Mbrojtja Civile që e admirojnë Millosheviqin e Putinin, kategoria e dytë janë punëtorët e administratës publike që po nuk dolën, humbin pagat, kurse  treta janë punëtorët e radojçiqave e veselinoviçave që i kushtëzojnë me vendet e punës”.

Kurti tha se këto janë protesta që vijnë nga lart, pra jo vullnet i popullit, por presion i Vuçiqit. “Më vjen keq për qytetarët serbë sepse ata janë qytetarët më të pa lirë, për shkak të Beogradit”.

“Ata duhet të çlirohen nga milicia fashiste”.

Ai tha se Kosova sot nuk është demokratike në veri sepse Beogradi nuk dëshiron të ketë parti të tjera.

Kurti i quan të tepruara deklaratat dhe shqetësimet ndërkombëtare: S’i ndihmuan situatës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se pas betimit të kryetarëve të rinj në veri më 25 maj, mungonte e po mungon ende deklarata se në përputhje me procesin të mos pengohet as puna e kryetarëve deri në zgjedhje të reja.

Ai o quajti deklarata e shqetësime të tepruara, reagimet e shteteve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian, duke thënë se ato s’i ndihmuan situatës.

“Deklarata e munguar e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës. Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre”.

“Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Kosovës, por kjo kronologji tregon se jo vetëm që ka pasur konsultim por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar”, tha Kurti.

Tutje, ai tha se s’ka pasur asnjë befasi për partnerët ndërkombëtarë, pasi siç tha, ky ka qenë një proces me shumë hallka e “hallka e fundit ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vend të punës.

“Ajo që duhet ta përsëris është se objektet publike të Kosovës i takojnë Kosovës e Kosova është e qytetarëve”, tha Kurti

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat