Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Aktuale

Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 09:46 më 26.09.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Dy terroristët serbë të arrestuar në Banjskë dërgohen në Gjykatë

Dy të arrestuarit për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës të dielën në fshatin Banjskë, janë sjellë para Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca dëgjimore ndaj tyre pritet të fillojë nga ora 10:00.

Kujtojmë se mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale paraqet kërkesë për paraburgim ndaj tre prej terroristëve që sulmuan Policinë

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre prej terroristëve që sulmuan Policinë e Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku vranë policin Afrim Bunjaku.

Inicialet e tye janë V.T, B.S dhe D.M.

Ata dyshohen për veprat penale:

“Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës.

Natë e qetë në Banjskë

Nata e mbrëmshme në Banjskë të Zveçanit ka kaluar e qetë dhe pa ndonjë incident.

Kështu tha drejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

"Natën e mbrëmshme gjithçka ka kaluar qetë dhe nuk është shënuar ndonjë incident sa i përket BanJskës dhe ngjarjeve të fundit atje", tha ai.

Policia gjatë natës ka kontrolluar automjetet të cilat qarkullonin në zonën e manastirit, në të cilat gjendeshin kryesisht banorët e kësaj zone.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore, për t’u strehuar më pas në Manastririn e Banjskës.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona. Gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh të kalibrave të ndryshëm, eksplozivë, municione dhe logjistikë të aftë për të pajisur qindra persona.

Sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës, pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të mbyllura

Dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Bërnjak dhe Jarinjë vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe gjatë ditës së martë.

Këto dy vendkalime kufitare janë mbyllur që nga 24 shtatori, pas sulmeve terroriste që ndodhën në veri ku u sulmua Policia e Kosovës, ku një polic u vra, një u plagos dhe një u lëndua.

Grupe terroriste të armatosura kanë sulmuar policinë mëngjesin e së dielës, pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, tre terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë. 

Sot pritet të mbahet seanca për dy të dyshuarit tjerë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit

Sot pritet të mbahet seanca dëgjimore për dy të dyshuarit tjetër për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Gjykata Themelore në Prishtinë të hënën i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T, i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë.

Në njoftimin e Gjykatës, thuhet se seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim ai.

V.T dyshohet për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë dhe kryerjen e veprave terroriste. 

Arrestohen edhe dy persona në Banjskë

Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së hënës në një hotel afër fshatit Banjskë të Zveçanit.

Ata janë arrestuar nën dyshimin për armëmbajtje pa leje.

“Ata janë zënë me një sasi të konsiderueshme të armëve", tha për RTK-në zv/drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.

Ai tha se dy të arrestuarit janë punëtorë të hotelit dhe do të hetohet nëse ata kanë lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Dalin pamjet nga momenti kur terroristët serbë ikin maleve nga Policia e Kosovës

Pamjet ekskluzive më poshtë, tregojnë momentin se si terroristët serbë, largohen nga Manastiri pasi sulmuan me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Bansjkë, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Këto pamje janë të gjiruara nga Droni, ndërsa i ka publikuar Agjencia e lajmeve Associated press. 

Ndryshe tashmë është konfirmuar plagosja e Milan Radojçiq. 

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë adresimit të sotëm për media gjatë prezantimit të armatimit të sekuestruar në aksionin e djeshëm të policisë në Banjskë ka konfirmuar në automjetet e sekuestruara janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiqit.

Plagoset Milan Radojiçic

Mediumi boshnjak “Istraga” raporton se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, është në mesin e sulmuesve të plagosur në Banjskë të Zveçanit.

Milan Radojiçiq i cili prej kohësh është i kërkuar nga autoritetet e Kosovës dhe në listë të zezë të Amerikës, ndodhet në Serbi dhe po trajtohet në spital, sipas medias “Istraga”.

Mediumi raporton se në disa raste ka tentuar të kontaktojë me Radojiçiqin, por fillimisht një person i panjohur i cili është përgjigjur në telefonin e tij ka thënë se “nuk është Radojiçiq”, ndërsa më pas, i njëjti person ka pohuar se Radojiçiq është mirë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, konfirmoi sot se në automjetet që u sekuestruan në Banjskë janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojiçiqit.

“Në këto materiale, poashtu kemi gjetur dokumente të kriminelit që poashtu është në listën e zezë të ShBA’së, Milan Radojicic, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të tij në këtë aksion”, ka thënë Sveçla para gazetarëve teksa ka prezentuar armatimin që u kap dje në veri.

Situatë e qetë në Banjskë, vijon operacioni policor

Një ditë pas ngjarjeve të djeshme mes pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe grupeve terroriste serbe, ku pati të vrarë, të plagosur dhe të arrestuar, situata e përgjithshme në Bajnskë të Zveçanit sot është e qetë dhe pa tensione.

Një autoblindë me policë është duke qëndruar gjatë tërë kohës tek udhëkryqi i rrugës që të çon në drejtim të manastirit të Bajnskës, aty ku u zhvilluan luftimet të dielën, ndërsa askush nuk po lejohet të lëvizë në këtë drejtim, duke përfshirë këtu edhe gazetarët.

Mësohet se operacionet e policisë në kërkim të terroristëve në këtë zonë po vazhdojnë, raporton KosovaPress.

Automjetet e EULEX-it, sikur edhe ato të Policisë së Kosovës, e nganjëherë edhe të KFOR-it, janë duke e frekuentuar vazhdimisht këtë pjesë të veriut të vendit, ndërsa gjatë ditës është vërejtur edhe një helikopter i KFOR, duke vëzhguar situatën nga ajri.

Ndërkaq, burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se policia ende nuk ka arritur të marrë kontrollin e plotë brenda manastirit, kështu që dyshohet se aty mund të ketë akoma dikush nga terroristët, qoftë të plagosur apo edhe të vrarë.

Sipas këtyre burimeve, rreth një kilometër në zonën përreth manastirit, sot është gjetur po ashtu një automjet i braktisur dhe pa targa, në të cilin kishte përplot armatim të prodhimit serb.

Ndryshe, Policia e Kosovës sot gjatë një konference për media, ka prezantuar arsenal armesh e pajisjesh tjera, përfshirë automjete të kamufluara të KFOR, uniforma, harta, monedha eurosh, ushqime e medikamente, dhe shumë pajisje tjera ushtarake, që posedonte grupi i armatosur të dielën në fshatin Banjskë. 

Armatimi i kapur në veri kishte kapacitet të arrinte deri në Prishtinë

Armatimi që është gjetur dje në afërsi të manastirit të Banjskës së Zveçanit, ka pasë kapacitet që të arrijë deri në Prishtinë.

Kështu i ka thënë një burim medias, për armatimin që u gjetë dje nga Policia e Kosovës, pas sulmit të djeshëm ku u vra një zyrtar policor dhe u plagos një tjetër, teksa u lënduan tre të tjerë.

Ndërkohë, edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla,ka thënë se sasia e armatimit që u zbulua nga Policia e Kosovës, janë pajisje për disa qindra sulmues të tjerë.

Sveçla, këto detaje i dha nga vendi i ngjarjes mbrëmë, ku mbeti i vrarë rreshteri dhe i plagosur një zyrtar tjetër policor.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme të armatimit të rëndë këmbësorie eksploziv, logjistikë, ushqime pajisje për barrikada, lirisht mund të themi që ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë”, u shpreh Sveçla. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat