Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Aktuale

Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 13:51 më 25.09.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Situata në veri e qetë, qasja në Banjskë ende e mbyllur

Gjendja në veri të Kosovës është e qetë, por qasja për në fshatin Banjskë në Komunën e Zveçanit është ende e mbyllur nga policia e Kosovës, pas sulmit vdekjeprurës të së dielës nga persona të armatosur dhe maskuar.

Njësia Speciale e Kosovës e ka vendosur një automjet të blinduar dhe vetura të tjera në kryqëzimin Ballaban, i cili dërgon në Banjskë.

Policia e Kosovës u sulmua nga persona të maskuar në orët e hershme të së dielës pasi shkoi për t’i larguar barrikadat e vendosura në Banjskë, të cilët u strehuan në manastirin e fshatit më vonë. Si pasojë, zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli të hënën ditë zie në tërë vendin.

Prokurori i Prokurorisë së Kosovës, Naim Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë se ka informacione të pakonfirmuara se në rrugën për këtë fshat dyshohet për disa mjete që janë të rrezikshme, që mund të jenë shpërthyese.

“Janë edhe disa automjete që janë rrugës që dërgojnë tek vendi ku ka ndodhur aksidenti,” tha Abazi.

Pikat kufitare Jarinjë edhe Bërnjak janë ende të mbyllura.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.

Autoritetet kosovare thanë se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Abazi theksoi se është duke u punuar në identifikimin e personave të përfshirë të dielën në sulmin kundër Policisë se Kosovës dhe për këtë tashme kanë marrë DVR e kamerave.

Njëri nga sulmuesit, i cili u arrestua dje në veri, po vazhdon të trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovë, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica.

“Është operuar për kërciri e majtë, plagë e hapur me armë zjarri. Gjendja e tij është stabile. Po vazhdon të trajtohet në klinikë”, deklaroi Jashanica.

Policia e Kosovës e mori kontrollin e manastirit të dielën vonë dhe raportohet se tani është duke e siguruar fshatin.

Gjendet trupi i pajetë i një terroristi të vrarë në veri

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale po vazhdojnë ekzaminimet në Banjskë të Zveçanit, ku u zhvillua aksioni policor pas vrasjes së policit kosovar nga një grup i terroristëve serbë. Burimet brenda PSRK-së kanë bërë me dije se tashmë është gjetur trupi i pajetë i një terroristi të vrarë.

Gazeta raportoi sot ekskluzivisht se numri i terroristëve të vrarë ka shkuar në 10.

Ndryshe, prokurori special i rastit në veri, Naim Abazi ka thënë se janë duke u lokalizuar disa shtëpi dhe automjete në Banjskë të Zveçanit, në të cilat dyshohet se kanë armatim si dhe po punohet ende për të identifikuar persona tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë ka njoftuar 6 persona janë ndaluar për përfshirje në sulmin ndaj Policisë, dyshohen për vepra terroriste në Banjskë të Komunës së Zveçanit.

Sipas PSRK-së, të ndaluarit dyshohen për disa vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

“Prokuroria Speciale, gjithashtu njofton se gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës, janë ndaluar gjashtë (6) persona të përfshirë në sulmin ndaj Policisë së Kosovës, për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 126 lidhur me ‘’Sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës’’ nga neni 114, ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ nga neni 138 lidhur me nenin 129 dhe ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ka njoftuar PSRK-ja.

Bilanci i terroristëve serbë të vrarë në veri të Kosovës dyshohet se ka shkuar në 10

E diela ishte ditë e rëndë për Kosovën. Zyrtari policor me gradën e rreshterit, Afrim Bunjaku është vrarë dhe tre kolegë të tij janë plagosur si pasojë e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Shkëmbimet me armë zjarri mes Policisë dhe sulmuesve kanë vazhduar dhe sipas informacioneve të para, numri i terroristëve serbë të vrarë dyshohet se ka shkuar në 10,.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tre sulmues janë vrarë dhe një është arrestuar, kurse edhe katër persona të tjerë janë arrestuar për posedim të armëve, municionit dhe radiolidhjeve.

Megjithatë, vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e konfirmoi mbrëmë se numri i të vrarëve në mesin e terroristëve mund të jetë më i madh.

Sveçla ka thënë se disa prej sulmuesve janë identifikuar si pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, grup që është shpallur terrorist nga Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës në operacionin e sotëm, konfiskoi qindra armë dhe municione.

Kujtojmë se,  nëpërmjet një postimi në Twitter, mbrëmë kryeministri Albin Kurti bëri me dije se operacioni do të vazhdojë.

Edhe një polic i Kosovës kërkoi ndihmë spitalore mbrëmë, kishte copa predhash në abdomen

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka thënë se dje në orët e mbrëmjes edhe një pjesëtarë i policisë së Kosovës ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas saj ai kishte copa predhash në abdomen, të cilat i janë larguar me operacion.

Zhubi tutje bëri të ditur se polici është jashtë rrezikut për jetë.

“Në orët e mbrëmjes ka ardhë edhe një pjesëtar i policisë me copa të predhave në pjesën e abdomenit dhe është ndalur në spitalin tonë dhe posa është kryer ndërhyrja operative ndaj tij dhe operacioni është kryer me sukses, janë larguar ato copat e predhave”.

“Gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetë. Edhe dy të tjerë kanë qenë poashtu me lëndime të lehta dhe pas marrjes së terapisë dhe ndihmës së parë janë liruar për kujdes shtëpiak”, u shpreh ajo.

Vrasja e policit në veri – reshterit Bunjaku sot i jepet lamtumira e fundit

Të dielën e 24 shtatorit reshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, kurse polici Alban Rashiti u plagos, si pasojë e një sulmi terrorist që u bë ndaj tyre nga një grup i armatosur në pjesën veriore të vendit.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Gjatë tërë ditës së diel në këtë zonë pati shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës dhe grupit të armatosur serb.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Policia e Kosovës zbuloi edhe një sasi të madhe armatimi, përfshirë eksploziv, uniforma, logjistikë, ushqime e pajisje për barrikada.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Presidentja ka shpallur të hënë ditë zie shtetërore në nderim të policit të vrarë, Afrim Bunjaku.

Vendndodhja e manastirit të Banjskës (Pamje satelitore)

Pamje satelitore të vendndodhjes së manastirit të Banjskës, në komunën e Zveçanit, në veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se manastiri është “burim i sulmeve me armë zjarri” në zonën përreth. Si pasojë e sulmeve, një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë të dielën në atë pjesë.

Sulmet ndaj policisë kanë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së dielës (24 shtator), rreth orës 03:00 në fshatin Bajnskë.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi Policia.

Të vdekur kanë mbetur edhe tre nga sulmuesit e serb, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

Situatë e qetë gjatë natës në veri

Nata e së dielës në pjesën veriore të vendit ka kaluar e qetë dhe incidente.

Kështu ka bërë të ditur, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Situata ka qenë e qetë dhe në rregull pa ndonjë incident”, ka thënë shkurt Elshani.

Kujtojmë se një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos, si pasojë e përleshjes me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit.

Rasti ndodhi të dielën në orët e para të mëngjesit, pasi që policia kishte pranuar informatën për vendosjen e dy kamionëve pa targa në urën në hyrje të fshatit Banjskë, të cilët kishin bllokuar lëvizjen.

Me të pranuar informatën njësitet policore u nisën drejt vendit të ngjarjes, aty edhe ku u qëlluan me armë zjarri dhe reshteri i policisë, Afrim Bunjaku, mbeti i vrarë kurse polici Alban Rashiti u plagos.

Situata vazhdimisht ishte e tensionuar si pasojë e të shtënave me armë mes grupit të armatosur dhe policisë.

Autoritetet e Kosovës thanë se personat e maskuar rreth 30 sosh ishin vendosur brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës.

Në orët e mbrëmjes, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues janë vrarë, ndërsa gjashtë persona, që dyshohet se ishin në kontakt me ta, janë arrestuar.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se gjashtë personat e arrestuar, të cilëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, dyshohen për “vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “sulm kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “përgatitje të veprave terroriste” dhe “armëmbajtje pa leje”

Policia: Aksioni në Banjskë vazhdon, arrestohet një tjetër sulmues me uniformë ushtarake

“Si rezultat i përkushtimit dhe angazhimit të njësiteve relevante policore, në kuadër të perimetrit të caktuar të sigurisë është arrestuar edhe sulmuesi i dytë, i cili gjithashtu ka qenë në uniformë ushtarake dhe i armatosur me armë të gjata dhe municion”, njofton Policia e Kosovës në njoftimin e radhës.

Policia njofton se deri më tani sipas informacioneve nga terreni tre sulmues janë vrarë, janë arrestuar dy sulmues dhe katër persona të dyshuar të cilët ishin hasur nën posedim ilegal të radiolidhjeve, e të cilët dyshohet se ndërlidhen me grup terroristë.

“Në orët e vona intensiteti i sulmeve ndaj zyrtarëve policorë ka rënë, por situata e sigurisë ende vazhdon të jetë e tensionuar, përderisa njësitet policore gjatë kontrollit në disa lokacione, objekte banimi dhe në disa automjete që janë përdorur nga grupi terrorist për bllokim të rrugëve, përfshirë automjetet që kanë qenë përreth manastirit në Banjskë, janë gjetur të mbushura përplot me arsenal armësh”, vijon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Sipas informacioneve fillestare policia shton se bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në bashkë koordinim edhe me EULEX-in dhe KFOR-in, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare.

Dioqeza Rashkë-Prizren: Personat e armatosur janë larguar nga Manastiri i Banjskës

Dioqeza Rashkë-Prizren ka thënë se situata në Manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë dhe se personat e armatosur janë larguar nga manastiri.

Dioqeza potencoi se kanë vërejtur prani të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it para portës së hyrjes dhe në oborr të manastirit.

“Dioqeza e Rashkë-Prizren njofton opinionin se gjendja në Manastirin e Banjskës aktualisht është e qetë, ndonëse ende ndihet frika nga ngjarjet e sotme si në rrethinë ashtu edhe në vetë portën e manastirit. Personat e armatosur që depërtuan sot janë larguar nga manastiri dhe aktualisht është vërejtur prania e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it para portës së hyrjes dhe në oborrin e manastirit”, thuhet në njoftim.

“Në konviktin e manastirit ndodhet ende igumeni me vëllezërit e tij, si dhe një grup besimtarësh nga Novi Sadi, mes të cilëve edhe dy fëmijë të mitur. Drejtoria e Manastirit njofton se të gjithë tani për tani janë mirë”.

Sveçla: Së paku tre të vrarë, janë duke u kryer procedurat e identifikimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës ka arritur që të vë nën kontroll territorin në Banjskë.

Ai ka thënë se deri tani janë tre të vrarë nga ana e sulmuesve, gjashtë të arrestuar prej të cilëve dy janë të plagosur dhe me uniformim, dhe katër të tjerë që janë kapur duke mbështetur operacionin me radiolidhje.

“Vendosëm këtë territor nën kontroll. U bë pas disa betejave të njëpasnjëhsme. Kishim një viktimë. Kryem operacionin pa viktima të tjera. Kemi gjashtë të arrestuar, dy nga ta të plagosur me uniformë , dhe katër të tjerë që mbështesnin operacionin me radiolidhje. Se paku tre sulmues të vrarë, po identifikohen dhe barten”, ka thënë kreu i MPB-së.

Ai ka treguar se Policia ka zbuluar edhe një sasi të madhe të municionit, eksploziv, uniforma, logjistikë dhe ushqime.

“Policia e Kosovës ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshëm të rëndë, eksploziv, unifroma, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada, ishin pajisje për disa qindra sulmues të tjerë. Ata janë përgatitur për të cenuar sovranitetin e Kosovës”, shtuar tutje kreu i MPB-së.

Disa prej personave të arrestuar Sveçla thotë se janë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”

“Ata kanë dështuar falë sakrificës dhe përkushtimit të Policisë së Kosovës. Ky është grup terrorist, duke qenë se kanë qenë të kyçur të në akte terroriste. Disa prej tyre të identifikuar si pjesë e Mbrojtjes Civile”, ka thënë Sveçla.

Ministri i Brendshëm ka thënë se edhe pelegrinët e ndodhur në Manastirin e Banjskës në mënyrë që të sigurohen se s’ka të infiltruar nga grupi terrorist.

“Pelegrinët po kontrollohen në mënyrë që të sigurohemi se se s’ka të infiltruar”, ka shtuar tutje ministri Sveçla.

Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në konferencë për media se e diela është ditë e rëndë për Kosovën. “Vrasja e tij [zyrtarit policor] duhet të kthehet në angazhim edhe më të shtuar në luftimin e bandave, strukturave ilegale, krimit e terrorizmit, që e cenojnë sigurinë qytetarëve dhe rendin kushtetues”. Ai ka thënë se sulmet në zonën ku është vrarë zyrtari policor, janë duke vazhduar akoma. "Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat