Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Aktuale

Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 08:43 më 24.09.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Vrasja dhe plagosja e një polici në veri, reagon Osmani: Sulm ndaj Kosovës – e orkestruar nga Serbia

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës dhe plagosjes së një polici tjetër.

Ajo dënon sulmin për të cilin thotë se sulmet e tilla po dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia.

Shkrimi i plotë:

Vrasja e një polici dhe plagosja e një polici tjetër në veriun e Kosovës, e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, është sulm ndaj rendit dhe ligjit në veriun e vendit, është sulm ndaj Kosovës.

Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin.

Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Përveç dënimit të ashpër të këtij agresioni të hapur të Serbisë ndaj Kosovës, pres që aleatët tanë do ta mbështesin Kosovën në përpjekjen e saj për vendosjen e rendit dhe ligjit si dhe ruajtjen e sovranitetit në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.

Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.

Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë.

Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës.

Kryeministri Kurti reagon pas vrasjes së policit në veri

Kryenimistri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas vrasjes së policit të Kosovës dhe palgosjes së një polici tjetër.

Ai thotë se ende vazhdojnë sulme mbi policinë tonë.

Kurti jep detaje se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

“Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur”, shkruan ai.

Reagimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur.

“Janë gjuajtur me granata dore dhe zollë”/ Policia e Kosovës jep detaje për vrasje dhe plagosjen e një polici në veri

Policia e Kosovës ka dal me komunikatë mbi vrasjen e policit në veri.

Sipas Policisë, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Polica pas ka arritu në vendngjarje, “ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

Në Mitrovicë Veri sulmohen me armë zjarri njësitet policore, ku si pasojë e gjuajtjeve është vrarë një zyrtarë policorë

Prishtinë, më 24 shtator 2023

Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, sipas detyrës zyrtare ka të angazhuara njësi patrulluese në nivel vendi, me qëllim të kryerjes së detyrave policore në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.

Polici i vrarë mbërriti pa shenja jete në spital – kështu erdhi deri te shkëmbimi i zjarreve në veri

Polici i vrarë dhe ai i plagosur së pari janë dërguar në emergjencën e Spitalit të Mitrovicës, ku sipas gazetarit Haris Ademi, polici tashmë i vrarë ka mbërritur pa shenja jete në spital.

Sipas të dhënave ende të pakonfirmuara, deri te shkëmbimi i zjarreve ka ardhur pasi thuhet se një grup i armatosur e kanë bllokuar magjistralen që shpie nga Mitrovica për në Leposaviq dhe e kanë sulmuar me armë veturën zyrtare të policisë, në të cilën gjendeshin policët e Kosovës.

Grupi sulmues është fshehur për në Manastirin e Banjskës dhe ende ka të shtëna armësh mes tyre dhe policisë së Kosovës.

Ndërsa, zyrtari i plagosur është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim të mëtutjeshëm.

Ky është polici i cili mbeti i vrarë në veri

Një polic është vrarë dhe të paktën dy janë plagosur në fshatin Banjskë në veri.

Burimet e medias bëjnë me dije se polici i vrarë është Afrim Bunjaku, nga fshati Samadrexhë e Vushtrrisë.

I ndjeri sipas të njëjtave burime mbante gradën e rreshterit.

Media do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin

Vritet një polic në veri, plagosen dy të tjerë

Një polic është vrarë e të paktën dy të tjerë janë plagosur në veri.

Burimet ende të pakonfirmuara zyrtarisht bëjnë me dije se rasti ka ndodhur në fshatin Banjskë.

Sipas të njëjtave burime, persona të uniformuar e kanë bllokuar rrugën Mitrovicë- Leposaviq me dy kamionë, dhe kanë shtënë në drejtim të  automjetit policor.

Polici i vrarë dhe të plagosurit janë dërguar në spitalin e Mitrovicës.

Gjithnjë sipas burimeve sulmuesit janë barrikaduar në një objekt fetar në Banjskë.

Klani ka kontaktuar me policinë por deri në këto momente s’ka marrë përgjigje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat