Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Aktuale

Sot vendoset për hapat tutje të procedimit pas bastisjeve të policisë në Banjskë

Nga: Bota sot Më: 24 shtator 2023 Në ora: 07:46 Përditësuar në ora: 11:21 më 24.09.2023
Pamje nga vendi i ngjarjes

Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë – raportohet sërish për të shtëna në veri

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, e cila u mbajt pas rastit të sotëm në veri ku një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos.

Ende nuk dihet se çfarë vendimi është marrë në këtë mbledhje.

Ndërkaq në veri po raportohet se ka sërish të shtëna mes grupeve kriminale serbe dhe Policisë së Kosovës.

Media ka raportuar më herët se grupet kriminale të cilat janë maskuara po qëndrojnë brenda Manastirti në Banjskë, ku edhe u vra reshteri i Policisë së Kosovës.

Gjithnjë sipas raportimeve jozytare thuhet se këto grupe po furnizohen me armatim nga Nishi.

Ndërkaq në “Telegram” janë publikuar pamjet e shkëmbimit të zjarrit mes grupeve kriminale serbe dhe policisë.

 

​Ngrihet gjendja e gatishmërisë në institucionet shëndetësore

Pas ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka ngritur gjendjen e gatishmërisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe spitalet e përgjithshme.

Gatishmëria është ngritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe atë të Vushtrrisë.

Njëkohësisht, ShSKUK njofton se mbrëmë mjekët e Spitalit të Mitrovicës dhe pastaj ata të QKUK-së, kanë trajtuar policët e plagosur të cilët pas ekzaminimeve mjekësore dhe ndërhyrjeve të nevojshme janë jashtë rrezikut për jetë.

ShSKUK ka shprehur ngushëllime të thella për familjen e policit të vrarë dhe të plagosurve iu uroi shërim të shpejtë.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (e diel) është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku ndërsa Alban Rashiti ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore.

Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë – ka lëndime në krahë, gjoks dhe këmbë

Një polic ka mbetur i vrarë dhe një tjetër është plagosur nga sulmi i armatosur që ka ndodhur ndaj tyre sot në fshatin Banjskë në veri të vendit.

Policia ka njoftuar se përveç policit të vrarë dhe të plagosur edhe një tjetër është lënduar.

Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Kështu ka bërë të ditur për median dr.Nazmi Kolgeci, drejtor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK.

Kolgeci ka treguar se zyrtari policor është pranuar në këtë klinikë rreth orës 06:00.

“Gjendja e tij është stabile. Është pranuar rreth orës 06:00 në Klinikën Torakale. Lëndimet i ka në krahun e majtë, në gjoks dhe në këmbën e djathtë. I kemi largu predhën nga rajoni i gjoksit, ndërkaq predhën tjetër i kanë larguar në Spitalin e Mitrovicës”, ka thënë Kolgeci.

Policia njoftoi se zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar.

“Sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhej në komunikatën për media.

Vazhdojnë të shtënat ndaj policisë në veri

Policia e Kosovës është sulmuar mëngjesin e së dielës në veri, ku për pasojë një polic ka mbetur i vrarë, një tjetër është plagosur dhe një është i lënduar.

Sulmi ndaj tyre është kryer nga persona të maskuar dhe të armatosur rëndë.

Media merr vesh se personat të cilët dyshohet se kanë kryer sulmin vazhdojnë të qëndrojnë ende në Manastirin e Banjska me mjete të blinduara.

Këta persona kanë sulmuar edhe stacionin policor në Leposaviq, ndërkaq herë pas here ka edhe gjuajtje në drejtim të policisë.

Media ka provuar të kontaktoj me policinë për të marrë informacione lidhur me situatën atje. 

Mbyllet pika kufitare në Bërnjak

Pika kufitare në Bërnjak është mbyllu për hyrje nga Serbia.

Mbyllja e kësaj pike vjen pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, ku në orët e mëngjesit u vra një polic i Kosovës dhe u plagos një tjetër nga grupe kriminale.

Në lidhje me këtë, kanë reaguar të gjithë liderët e shtetit, ku e kanë dënuar si akt dhe kanë bërë thirrje që kryesit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë.

Vrasja e policit në veri, një ditë më parë u raportua se Serbia çoi afër kufirit me Kosovën ushtrinë e policinë

Kolona të automjeteve luftarake të ushtrisë serbe janë filmuar dje në Kurshumli dhe në afërsi të Bllacës, të cilat lëviznin nga drejtimi i Kralevës për në Rashkë.

Përveç automjeteve ushtarake, në drejtim të asaj që njihet si Zona e Sigurisë Tokësore mes Kosovës e Serbisë, sipas raportimeve të mediave serbe janë parë duke lëvizur edhe autoblindat e Forcave të Armatosura të Serbisë.

Të gjitha këto lëvizje të ushtrisë e policisë serbe ndodhën një ditë përpara se nga grupe të organizuara kriminale në veri të vendit të vritet një polic i Kosovës e të plagoset një tjetër.

Image

Policia e KFOR-i shihen në afërsi të Banjskës

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës bashkë me KFOR-in janë parë të stacionuara në rrugën Mitrovicë – Leposaviq, përkatësisht në afërsi të Banjskës.

E gjithë kjo vjen pasi mbrëmë rreth orës 02:35 të mëngjesit, nga grupe kriminale ka mbetur një polic i vrarë dhe një tjetër i plagosur.

Sipas policisë, deri te shkëmbimi i zjarrit ka ardhur pasi një grup personash me dy kamionë kanë bllokuar urën që çon në fshatin Banjskë.

Pas reagimit të tri njësive të policisë, me të hasur në vendin e ngjarjes, të njëjtit janë sulmuar me zollë, granata dore e armë zjarri, ku të shtënat po vazhdojnë akoma.

Image

Presidenca: Njerëz me uniforma dhe automjete të blinduara brenda territorit të Kosovës

Blerim Vela, Shefi i stafit të Presidentes së Kosovës ka reaguar në platformën X rreth vrasjes së policit dhe plagosjes së një tjetri në Leposaviq. Ai e ka akuzuar Vuçiqin për agresion ndaj Kosovës.

Sipas tij, njerëz me uniforma pa shenja dhe me maska “little green men” (një referencë nga lufta e vitit 2014 me ushtarët rusë që kishin hyrë në Ukrainë duke bartur armatim) kanë hyrë 15 km brenda territorit të Kosovës me automjete të blinduara.

“Burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë me automjete të blinduara janë 15 kilometra brenda territorit të Kosovës (Banjska), ku një sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës rezultoi me një polic të vrarë dhe një tjetër të plagosur.

Vuçiq i është drejtuar një agresioni të paparë kundër Kosovës. Ai do të dështojë.”

“Janë gjuajtur me granata dore dhe zollë”/ Policia e Kosovës jep detaje për vrasje dhe plagosjen e një polici në veri

Policia e Kosovës ka dal me komunikatë mbi vrasjen e policit në veri.

Sipas Policisë, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Polica pas ka arritu në vendngjarje, “ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i Policisë së Kosovës:

Në Mitrovicë Veri sulmohen me armë zjarri njësitet policore, ku si pasojë e gjuajtjeve është vrarë një zyrtarë policorë

Prishtinë, më 24 shtator 2023

Policia e Kosovës (PK) në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore, sipas detyrës zyrtare ka të angazhuara njësi patrulluese në nivel vendi, me qëllim të kryerjes së detyrave policore në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.

Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.

Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e kolegëve të qëlluar me armë zjarri.

Zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga lokacioni dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Jugu, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policor të plagosur rëndë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar, sipas mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë dhe të njëjtit janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

Të gjitha njësitë policore relevante sipas profileve janë aktivizuar në teren, të njëjtat kohë pas kohe janë duke u sulmuar me armë zjarri nga pozicione të ndryshme, nga grupe të organizuara dhe të armatosura.

Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente dhe organet e drejtësisë, po ndërmerr veprimet e saja me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së kryerësve të sulmeve ndaj zyrtarëve policor.

Konjufca: Sulm i drejtuar nga Serbia - BE-ja dhe SHBA-ja ta dënojnë këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës

Për vrasje në veri ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ai ka dënuar sulmin kriminal, duke thënë se ky është një sulm “drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë”.

Konjufca i ka bërë thirrje “fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës”.

Shkrimi i plotë:

E dënoj ashpër sulmin terrorist dhe kriminal të strukturave kriminale të drejtuara nga Serbia nga i cili një polic mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës.

Ky është një sulm i drejtpërdrejt ndaj rendit kushtetues, ndaj veprimeve tona për rend dhe ligj dhe cenim i sovranitetit dhe sigurisë të vendit tonë.

Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këtë agresion të hapur kundrejt Kosovës.

Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së policit të vrarë, ndërsa policit të plagosur shërim sa më të shpejtë.

Autorët e këtij krimi, urgjentisht të sillen para drejtësisë, ndërkaq i ftoj institucionet e drejtësisë të veprojnë menjëherë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat