Sot në orët e hershme të mëngjesit, me urdhër të Prokurorit të Dhomave të Specializuara është kryer bastisje në banesën e Blerim Shalës, ish-këshilltarit të ish-kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe në shtëpinë e ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka konfirmuar për gazetën “Bota sot” se është duke i kryer disa operacione në Kosovë, mirëpo nuk ka dhënë të tjera detaje.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Kosovë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për gazetën “Bota sot”.
Edhe avokati i Blerim Shalës Artan Qerkini e ka konfirmuar bastisjen.
Qerkini u shpreh se bastisja ka qenë e shkurtër dhe se për shpalosjen e detajeve të tjera do të konsultohet gjatë ditës me Shalën, klientin e tij.
Nga ana tjetër, burimet brenda Policisë kanë bërë me dije se tashmë është bastisur shtëpia e ish shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Bashkim Smakaj, ku sipas informacioneve të para janë sekuestruar prova të ndryshme, duke përfshirë dokumente dhe telefona.