Deputetja e AAK-së: Nuk do të votojmë pro buxhetit të vitit 2024
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi, ka deklaruar se kjo parti nuk do ta votojë buxhetin e vitit 2024.
Ajo e ka quajtur “politik e diskriminues” këtë buxhet.
“Marrë parasysh punën tuaj dhe ndarjen buxhetore ne nuk do të votojmë pro këtij buxheti që është politik, elektoral dhe diskriminues”- është shprehur ajo.
Bytyçi tutje ka adresuar një sërë kritikash lidhur me këtë Projektligj sot gjatë diskutimeve në Kuvend.
“Me buxhetin prej 860 milionë sektori privat do të përjetojë thyerje për shkak të mungesës së investimeve kapitale. Si do t’i përgjigjeni kësaj ministra Rizvanolli e Murati? Në sektorin e sigurisë buxheti që keni ndarë nuk i plotëson nevojat aspak. Ne i dimë dështimet tuaja si në atë lokale edhe qendrore”- tha ai.
Kuvendi tash e disa orë është duke diskutuar për Projektligjin mbi buxhetin për vitin 2024, i cili parashihet të jetë 3 miliardë e 314 euro.
Buxhetin e vitit të ardhshëm kryeministri Albin Kurti e ka quajtur buxhet të mbrojtjes e sigurisë.
Ai ka thënë se për Ministrinë e Mbrojtjes janë paraparë 153 milionë euro, ndërsa për Ministrinë e Punëve të Brendshme 216 milionë euro.
Statovci flet për një rekord të ri: Për dy vite e gjysmë, buxhetit ia shtuam një miliard euro
Deputetja nga Guxo, Jeta Statovci, ka thënë sot se për dy vjet e gjysmë, Republikës së Kosovës, i janë shtuar një miliard euro.
Kjo siç tha ajo në seancën e sotme parlamentare, shënon edhe një rekord të ri, sa i përket buxhetit të shtetit të Kosovës.
”Për brenda dy vite e gjysmë Shtetit të Republikës së Kosovës i janë shtuar 1 miliardë euro. Një rekord i ri në një rekord të ri prej 3.3 miliard euro në buxhet”.
”Kjo arritje është bërë prej një periudhe kohe mjaftë të ndjeshme dhe mjaftë krizash”, ka thënë Statovci.
“Ministre që ka vjedhur, deputet i pandershëm”, përplasje e ashpër në Kuvend
Në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2023, janë përplasur ashpër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Tahiri këtë të fundit e kualifikoi si ministre që ka vjedhur rezervat shtetërore.
Tahiri: Kemi një ministre që ka vjedhur rezervat shtetërore
“Vitin e parë të qeverisjes së juaj, qytetarët kanë mundur t’i besojnë konfiskimit. Por tashmë në këto tri vite njerëz që keni vjedhur bashkë me Ridvan Muharremin, qe ku e keni një ministre, e cila ka vjedhur rezervat shtetërore. Po ashtu, i keni vjedhur 100 milionë euro përmes energjisë elektrike me Martin Berishajn. Pra, ka abuzime të jashtëzakonshme në secilën ministri”, tha ai.
Mirëpo në reagimin e saj, ministrja Hajdari nënvizoi se s’ka asnjë evidencë se ajo ka vjedhur diçka, derisa e quajti të turpshme dhe të pandershme deklaratën e deputetit Tahiri.
Hajdari: S’ka asnjë evidencë që kam vjedh diçka, duhet t’ju vijë turp
“I nderuar deputet duhet të të vijë turp për shpifjet që po i bën. Gjeje një evidencë ku unë kam vjedhur diçka. I pandershëm, s’po të vjen turp për popullin tonë!”, theksoi Hajdari.
Dreshaj për buxhetin e vitit 2024: Nuk e ndal ikjen e mjekëve nga Kosova, është diskriminues
Deputeti i Kuvendit nga radhët e AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se projekt-buxheti është i shifrave të mëdha, por rritje ka vetëm 100 milionë euro.
Ai shtoi se një projekt-buxhet nuk mundet të quhet i shpresës përderisa nuk e parasheh autostradën e Dukagjinit.
“Si mund të quhet buxhet i shpresës dhe i së ardhmes derisa askund nuk është autostrada e Dukagjinit. Lihen anash mbi 600 000 banorë, a janë edhe këta kontribues në buxhetin e Kosovës a jo?”
Njëjtë edhe me rrugën Kieve-Zahaq, rrugë e vdekjes, e cila është trashëgimi nga koha e okupimit, ishte e buxhetuar, ndërsa tre vitet e fundit asnjë baski nuk është vënë në të”, ka thënë Dreshaj.
Tutje deputeti Dreshaj deklaroi se qeveria e Kosovës punëtorët shëndetësorë i ka anashkaluar totalisht.
“Kështu nuk nga ndalet migrimi i mjekëve dhe infermierërve. Ju perkujtoj se vetëm sivjet deri tani 147 e kanë lëshuar vendin, sipas OM”, tha ai.
Peci: Buxheti për bujqësinë është rritur për 45 për qind, e kemi vendosur meritokracinë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka deklaruar se buxheti për bujqësinë është rritur për 45 për qind, ndërsa thotë se vlerësimin për punën e tij e japin bujqit dhe fermerët.
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2024, Peci thotë se buxheti për këtë sektor do të jetë mbi 84 milionë euro, për të cilën e konsideron si përmbushje të premtimit elektoral.
“Sa i përket sektorit të bujqësisë duhet ta bëjmë një krahasim të gjendjes të cilën e ka marrë drejtimin e Ministrisë dhe sfidat të cilën është përballur kjo Qeveri, posaçërisht duke marrë parasysh gjendjen katastrofale që e ka lënë Qeveria paraprake. Ta zëmë nëse buxheti i vitit 2021 ka qenë 61 milionë euro, buxheti i vitit 2024 është 84.8 milionë euro me projekte ndërkombëtare e kap shifrën prej 100 milionë euro, që nën kupton përmbushjet e tërësishme të premtimit tonë qeveritar gjatë fushatës”, thotë Peci.
“Aktualisht i buxhetit të vitit 2024 dhe buxhetin në të cilën gjendjen e ka marrë Ministria e Bujqësisë është një rritje prej 45 për qind po përveç kësaj disa kolegë deputetë me të drejtë thanë se është shumë e rëndësishme se secili prej nesh me pas vlerësimin se për çka do të mbahet mend gjatë mandatit qeverisës. Unë jam njëri nga ministrat në të cilën vlerësimin ma të mirë e bëjnë fermerët në baza ditore dhe se periudha e kësaj qeverie në sektorin e Bujqësisë do të ndihet si periudha kur Qeveria e ka vendosur meritokracinë”, u shpreh Peci.
Selmanaj: Kurti e ka prioritet mbrojtjen, njerëzit s’po ikin pse s’kemi më shumë ushtarë e policë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se Qeveria i ka kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes në projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe se nuk e konsideron “perspektivën ekonomike” dhe mirëqenien e qytetarëve.
Selmanaj tha se ndërsa e dëgjonte kryeministrin Albin Kurti duke folur për mbrojtjen si prioritet kryesor, kishte pyetur se për çfarë po ikin kosovarët nga vendi.
“Kryeministri kur e mori fjalën, në pjesën e parë të prezantimit të buxhetit, filloi, tha ‘kaq armë kemi me ble, mbrojtja është prioriteti kryesor’. T’ju them të drejtën fillova të mendoj kështu, thash: këta njerëz që po ikin prej Kosovës a janë duke ikë pse s’kemi ushtarë më shumë, pse s’kemi policë mëshumë? Jo të nderuar kolegë deputetë, të nderuar njerëz të Qeverisë, njerëzit po ikin prej Kosovës sepse nuk po shohin perspektivë. Ky kryeministër nuk foli fare sot për perspektivën ekonomike të tyre, mirëqenien e tyre, përkundrazi, foli për mbrojtjen, arsimin dhe shëndetësinë”, tha Selmanaj.
Deputeti tha se është koha që “jo veç me buxhetin e vitit 2024, por edhe me buxhetet tjera ta trajtojmë problemin e ikjes së popullsisë si një çështje të emergjencës kombëtare”.
“Ne duhet të shpallim gjendje të emergjencës kombëtare për ikjen e njerëzve sepse edhe sot ikjet janë masive e lëre më pas 1 janarit”, tha ai.
Sveçla: Kemi blerë më shumë autoblinda sesa që kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se buxheti për AME është rritur për 97 për qind, për Policinë e Kosovës për 17 për qind, ndërsa për ASHI 16 për qind.
“Në MPB ka rritje të buxhetit për 97 për qind në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, në Policinë e Kosovës për 17 për qind, për Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit 16 për qind dhe kështu me radhë në agjencitë tjera. Totali në investimet kapitale është 5.8 milionë euro rritje prej 3.8 milionësh në AME. Në policinë e Kosovës investimet kapitale janë 21.7 milionë e në vitin 2023 12.6 milionë euro.”Ai tregoi edhe se sa mjete janë ndarë nëpër agjenci sa i përket kibernetikës.
“Në çështjen e sigurisë kibernetike ne kemi planifikuar 4.5 milionë investime kapitale ën ASHI, që janë 700 mijë më shumë se në vitin paraprak, në forenzikë totali i buxhetit është 1.7 milionë euro, rritje në investime kapitale me 371 mijë euro dhe 113 mijë euro në ndërtimin e objektit…”
Ai tha se për Policinë e Kosovës në buxhetin e vitit 2024 është rritja më e madhe ndonjëherë.
“Për Policinë e Kosovës, në vitin 2023 në buxhet kanë qenë të parapara 12 milionë e 667 mijë kurse në vitin 2024 parashihen 21 milionë e 707 mijë euro. Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë.”
Duke i replikuar deputetit Anton Quni, Sveçal tha se kanë blerë më shumë autoblinda sesa që kanë gjetur.
“Kodi buxhetor vazhdon. Deklarimi se nuk janë shpenzu paratë e vitit të kaluar nuk qëndron. Unë mund t’iu them se në autoblinda, ne kemi bërë blerje të numrit të autoblindave më shumë se në të gjitha vitet e mëhershme. Kemi blerë më shumë autoblinda sesa kemi gjetur në gjithë historinë e Policisë së Kosovës”, tha ai.
Sveçla: Policia për vitin e ardhshëm do të ketë 17 përqind më shumë buxhet
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se 17 përqind më i madh është paraparë të jetë buxheti për Policinë e Kosovës për vitin 2024.
Ai në seancën e kuvendit ka thënë se buxheti për investime kapitale në institucionin e sigurisë do të shkojnë në 21.7 milionë nga 12.6 sa ka qenë për vitin aktual.
“Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë. Patjetër që ka probleme, nevoja të shtuara, por kurrë më herët s’ka qenë ky standard të cilin nuk e ka gëzuar më shumë sesa vitin e kaluar dhe sesa planifikohet për vitin e ardhshëm”, ka thënë Sveçla.
Ministri ka përmendur se në këtë mandat janë blerë më shumë autoblinda sesa që janë blerë nga të gjitha qeveritë në të kaluarën.
Rizvanolli: Deri në vitin 2025 do të investohen 1.2 miliarë euro për ndërtimin e 950 megavatëve kapacitete të reja energjetike
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se sa i përket kapaciteteve gjeneruese, gjatë këtij viti, vitit që vjen dhe atij 2025 do të kontraktohen investime në vlerë 1.2 miliardë euro, me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja energjetike, përfshirë këtu investime private, publike dhe publiko-private.
Rizvanolli foli edhe për projektin e baterive, për të cilin tha se ky projekt me MCC-në do të fillojë të zbatohet pas 18 muajsh pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke thënë se koha e zakonshme e fillimit të zbatimit të marrëveshjes është 2 vite pas nënshkrimit.
“Për këtë projekt, për vitin 2024 kemi të ndara 12 milionë euro, të cilat do të përdoren për dizajnim të projektit dhe aspekte të ndryshme përgatitore, pra, nga mallra dhe shërbime, 12 milionë euro janë të buxhetuara për programin e MCC-së”.
“Në fund të vitit 2024 do të tenderohet kapaciteti prej 45 megavat për rezerva sekondare, ndërsa në vitin pas kësaj, kapaciteti tjetër 125 megavat për rezerva terciare. Në çerekun e fundit të vitit 2024 do të shpallen procedurat për parkun solar prej 100 megavat në KEK dhe ngrohjen solare në Prishtinë, në total këto kontrata 180 milionë euro”, tha Rizvanolli.
Tutje, ajo tha se janë siguruar edhe 80 milionë euro për investime në kapacitete e energjisë së ripërtishme, ku sipas saj synohet që ky investim të rritet edhe për 80 milinoë euro të tjera, të cilat tha se do të shfrytëzohen për investime publiko-private në kapacitete të erës me kapacitet 150 megavat.
“Gjithashtu, KEK-u në fund të këtij viti do të shpallë tenderin për rehabilitimin e thellë të njësisë A3 të Kosovës A, ndërsa investimi pritet të fillojë në vitin tjetër”, tha ajo.
Projektbuxheti për vitin 2024, Kurti përplaset me deputetët opozitarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me deputetët opozitarë, në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet projektbuxheti për vitin 2023.
Kreu qeveritar ka insistuar se buxheti për vitin e ardhshëm është i zhvillimit, mbrojtjes dhe sigurisë. Mirëpo opozitarët e quajtën Kurtin një demagog, i cili, siç thanë ata, për tri vjet nuk ka realizuar asnjë projekt serioz zhvillimor që mund ta mbajnë mend qytetarët.
Kurti duke iu replikuar opozitarëve përmendi si sukses rritjen e bruto-produktit vendor në 10 miliardë euro, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja.
Kurti: Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja
“Në qeverisjen tonë janë dyfishuar eksportet dhe investimet e huaja. Eksportet kanë qenë të pakta por sidomos deficiti tregtar ka qenë i lartë. E kemi gjetur një me nëntë, ndërsa tash është një me gjashtë. Më tej ekonomisë gjatë kësaj qeverisje ia kemi shtuar mbi 1 miliard për çdo vit. Në vitin 2020 bruto produkti vendor ka qenë 6.77 miliardë euro, ndërsa në vitin e ardhshëm është mbi 10 miliardë euro. A e dini çfarë do të thotë që bruto-produkti i një vendi të rritet për gati 50 për qind për vetëm katër vjet. Është shumë vështirë të gjeni në histori kudo në botë shembuj të tjerë ku bruto-produkti vendor rritet për gati 50 për qind për katër vjet. Më tej pagat janë rritur, buxheti për paga në sektorin publik është rritur përmbi 100 milionë euro, kurse koeficienti për vitin 2024 është bërë 110. Qeveria jonë është shquar për investime posaçërisht në katër fusha: Mbrojte dhe siguri, shëndetësi, arsim dhe bujqësi”, tha ai.
Ai theksoi se kurrë më shumë armatim nuk është blerë në Kosovë, sesa në qeverisjen e tij.
Kurti: Kurrë më shumë armatim nuk është blerë
“Kurrë më vështirë sesa sot në këtë shekull nuk ka qenë blerja e armatimit. Jo pse s’ka, por pse radha është shumë e gjatë. Kurrë më shumë armatim, municion dhe pajisje nuk janë blerë deri tani. Kurrë s’ka qenë më vështirë, kurrë s’ka qenë më i shtrenjtë dhe kurrë më shumë nuk është blerë”, shtoi Kurti.
Krahas kësaj, Kurti tha se “ka emigrim në vend, por s’ka zmbrapsje të Kosovës, siç po trumbetojnë opozitarët”.
Kurti: Ka emigrim por nuk ka zmbrapsje të Kosovës
“Nuk mendoj se po zmbrapset Kosova. Ka emigrim por nuk ka zmbrapsje të Kosovës dhe nuk do të ketë zmbrapsje edhe pas 1 janarit. Ju e din shumë mirë se ata që do të shkojnë tani pa nevojë për vizë në zonën schengen duhet të kthehen. Ata nuk shkojnë sikur në vitet e 90-ta kur kemi qenë të okupuar, ata shkojnë për t’u kthyer dhe jam i bindur se do t’i ndihmojnë bizneset dhe studentët tanë”, tha ai.
Atij i reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i cili akuzoi Kurtin se po shtrembëron shifrat si për rritje ekonomike ashtu edhe për rritjen e bruto-produktit vendor.
Ai tha se për rritjen e eksportit s’ka pas asnjë ndikim qeveria, pasi nuk ka krijuar asnjë politikë fiskale.
Hoti: Keni një rtendencë t’i dredhoni shifrat
“Pa dashur me bërë humor por me bërë një kuiz dhe me iu thënë njerëzve hajt kush po ia qëllon një projekt madhor që është realizuar për tri vite nuk ia qëllojnë, pasi nuk mundesh me emëru një projekt madhor po them që është realizuar në tri vite. Ka një tendencë t’i dredhojnë pak shifrat, por ato janë kokëforta, pasi nuk mundesh me krahasu vitin 2020 me vitin 2023. Viti 2020 ka qenë pandemi dhe krejt vendet kanë ra në -30 për qind”, tha Hoti.
Mirëpo Kurti tha se rritja e bruto-produktit vendor është e madhe edhe nëse krahasohet me vitin 2019, dhe anashkalohet 2020-ta si vit i pandemisë.
Kurti: Është kapërcim i madh duhet ta kuptoni
“Edhe nëse e marrim se viti 2020 ka qenë vit i pandemisë, vit i pandemisë pa vaksina por e marrim vitin 2019. Bruto-produkti vendor ka qenë 7.05 miliardë dhe në vitin e ardhshëm do të jetë mbi 10 miliardë. Është kapërcim i madh dhe ju duhet ta kuptoni se bruto-produkti nuk rritet siç ne kemi dëshirë por me një bazë qysh e trashëgon. Ne i kemi ndihmuar eksportuesit me subvencionim të kredive investime”, theksoi ai.
Kritik ndaj Kurtit u shpreh deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili e quajti atë demagog dhe hipokrit.
Lushtaku: Kurti është një demagog dhe hipokrit
“Ne po e shohim demagogjinë e kryeministrit Kurti që edhe këtu del dhe i mbron me kokëfortësi. Është për fat të keq që kemi një demagog dhe një hipokrit në krye të detyrës. Ne po shohim çdo ditë se qytetarët po varfërohen. Bizneset po shihen si armiqtë dhe jo si mundësi për t’i punësuar qytetarët e vendit”, deklaroi Lushtaku.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se projekt-buxheti për vitin 2024 është i dobët dhe pa asnjë projekt madhor.
Tahiri: Kjo ka qenë ekspozeja më e dobët e Kurtit në parlament se tri vite qeverisje
“Sot ka qenë ekspozeja më e dobët e Albin Kurtit në këtë parlament. Nëse mundeni me thënë ju deputetë nëse keni mbajtur mend një premtim apo zotim rreth temave që ballafaqohet Kosova në raport me krizën ekonomike, pagat në sektorin publik dhe sigurinë në vend”, theksoi Tahiri.