“Qytetarët ua treguan vendin”, “dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerr në parti tjera” – mes përplasjeve të ashpra përfundon seanca në Kuvend

Aktuale

“Qytetarët ua treguan vendin”, “dil vetë në zgjedhje, mos u kacavjerr në parti tjera” – mes përplasjeve të ashpra përfundon seanca në Kuvend

Nga: Bota sot Më: 18 janar 2024 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 12:45 më 18.01.2024
Hykmete Bajrami dhe Mimoza Kusari-Lila

Krasniqi, Rizvanollit: 100 eurot që ua dhatë qytetarëve, ua morët pas dy ditësh me fatura të rrymës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria Kurti ua ka dhënë qytetarëve nga 100 euro dhe pas dy ditësh ua ka marrë përmes faturave të rrymës.

Kështu ka thënë ai nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët, raporton Klan Kosova.

“Faturat e muajit të kaluar e kanë tmerruar secilën familje. E këtu kemi zyrtarë të qeverisë që jetojnë në një tjetër realitet. A mund të na tregoni se sa janë rritur të hyrat dhe profiti e KEDS-it dhe KESCO-s në krahasim me qeverisjet e kaluara”, ka thënë Krasniqi.

“Ua keni dhënë nga 100 euro, pas dy ditësh ua keni marrë me fatura të energjisë”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se kushdo që është i përfshirë në shtrenjtimin e energjisë elektrike, do të japë përgjegjësi.

“Jam i bindur se ky është krim i organizuar, jam i bindur se shumica prej jush nuk jeni në dijeni. Kjo është skemë kriminale në krye me Martin Berishajn, e kjo nuk bëhet pa dijeninë e Kurtit. Kjo do të dalë në shesh dhe të gjithë do të japin përgjegjësi”, është shprehur Krasniqi.

Tahiri: Kurti erdhi në pushtet duke premtuar se do ta zbres çmimin e rrymës

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën e jashtëzakonshme për energjinë elektrike ka thënë se qytetarët po paguajnë dyfish çmim më të lartë të rrymës se vitin e kaluar.

Tutje ai tha se Kryeministri Kurti erdhi në pushtet me premtimin kryesor se do ta zbriste çmimin e rrymës, derisa shtoi se Kryeministri dikur thoshte “se paguajmë rrymë shumë shtrenjtë, ndërsa flejmë mbi qymyr”.

“Ky është çmimi më i lartë që paguan qytetari i Kosovës në histori të vet. Çmimi i blerjes së një megavati është dy herë më i lirë se vitin që shkoi. Se sa është i rëndësishëm ky debat shihet nga prezenca e tyre me vetëm një ministër”, tha Tahiri para deputetëve.

“Mbi çfarë baze është ky çmim për qytetarët kur dihet qe ka një marrëveshje se sa ja jep keku çmimin KEDS-it. Ndër premtimet kryesore që ju keni ardh në këtë Qeveri ka qenë që ta zbritni çmimin e rrymës. Kurti thoshte ne e paguajme shume shtrenjtë, duke pasur parasysh që flejmë mbi qymyr. Me ardhjen në pushtet ky qëndrim ndryshoi. S’jam i befasuar pasi Kurti dhe kjo mazhorancë ka qenë kundër secilit investim në sektorin e energjisë, i ka kundërshtuar me krejt fuqinë e vet”, tha Tahiri.

“Një familje që i ka të hyrat 500-600 euro me pagu rrymën 250 euro çmimin e energjisë, ku ka kshtu. Asnjë send se keni bërë. Njerëzit presin në rend për investime solare, të gjithë investitorët asnjë përgjigje se kanë. Pritni Kurtin t’ju thotë shkoni majtas e djathtas”, tha shefi i grupit parlamentar të AAK-së.

Kusari-Lila: Ka dyshime për fatura të pasakta, qytetarët t’i drejtohen KESCO-së dhe ZRrE-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që ekzistojnë dyshimet për faturim të pasaktë të energjisë elektrike, por që qytetarët duhet t’i drejtohen KESCO-së dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.

“Se ka dyshim për faturim jo të saktë është fakt evident, për të cilin qytetarët duhet t’i drejtohen furnizuesit KESCO dhe Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Kusari-Lila në Kuvendin e Kosovës.

“Përderisa ne si ligjvënës kemi mundësinë të ftojmë menjëherë ZRrE-në për të raportuar mbi procesin e shqyrtimit të kërkesave të tyre dhe masave eventuale të ndërmarra ndaj furnitorit KESCO, gjithashtu duhet të jemi pjesëmarrës aktivë në shqyrtimin e rregullt tarifor”.

“Për informatën tuaj, furnitori i shërbimit universal do të paraqesë deri këtë të hënë më 22 janar të dhënat për kostot aktuale dhe propozimet për të hyrat për FShU-në, ndërsa më së largu deri më 5 shkurt 2024 ZRrE-ja duhet të njoftojë lidhur me vlerësimin e tyre për propozimet e marra”.

Sipas Kusari-Lilës, propozimet e opozitës tashmë janë afat i rregullt i çmimeve, dhe se masat e qeverisë e kanë vazhdimësinë nga viti 2022 e deri edhe sivjet.

Shqyrtimet dhe propozimet tuaja në rezolutë janë tashmë afat i rregullt i çmimeve dhe si proces është i filluar nga ZRrE-ja për vitin 2024-2025.

“Ndërsa, sa u përket masave të qeverisë, ato jo vetëm që kanë vazhdimësinë që nga viti 2022, por janë të përfshira edhe në buxhetin e miraturat nga ky Kuvend për vitin 2024”.

Rizvanolli: Kosova mbetet me çmimin më të lirë të rrymës në rajon

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon.

Kështu ka thënë ajo nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Vitet e fundit kanë qenë sfiduese në sektorin e energjisë, kriza u përballua në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë ministrja.

“Patëm një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Shqipërinë. Kosova mbetet shteti me çmimin e energjisë elektrike më të lirin në rajon”, ka shtuar ajo.

Tutje, Rizvanolli ka treguar se Qeveria e Kosovës i ka ndihmuar qytetarët dhe bizneset përmes subvencionimit.

Mustafa: Inflacioni në Kosovë gati e ka mbërri nivelin e arrogancës së Qeverisë Kurti, secili po rezulton antikushtetues

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë që ta shtojë prodhimin e energjisë elektrike. Sipas tij, në Kosovë e vetmja gjë që rritet, janë çmimet.

Sipas tij, inflacioni në Kosovë gati e ka mbërri nivelin e arrogancës së Qeverisë Kurti

“Mimozë kur fol për Gjykatën Kushtetuese është mirë me fol me kolegët e tu, sepse të gjitha ligjet që kanë shkuar në Kushtetuese janë hedh poshtë. Kështu që problemi është te ju, jo te ne. Kjo qeveri nuk bëri asnjë veprim për të shtuar prodhimin e energjisë elektrike. Mos t’i harrojmë as blloqet e KEK-ut që i rinovuan aq ngadalë. Inflacioni po shkon lart e më lartë gati duke e arritur nivelin e arrogancës së kësaj qeverie. Në kohën kur bota po ecën në hapat e energjisë së ripërtrishme ne po vazhdojmë më hapa të vjetër. E vetmja gjë që po rritet në këtë shtet janë çmimet”, ka thënë ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka thënë se gati secili projektligj që po e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, po rezulton antikushtetues.

Kështu i ka thënë ai shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimiza Kusarit, gjatë seancës së jashtëzakonshme ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Gati secili ligj që po e dërgojmë, po rezulton antikushtetues. Problemi është te ju dhe jo te ne që po i dërgojmë projektligjet në Kushtetuese”, është shprehur Mustafa.

Kusari-Lila: Rezoluta e opozitës për faturat e rrymës nuk është serioze

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë që seanca e sotme e jashtëzakonshme për faturat e energjisë elektrike e thirrur nga opozita ka mundur të jetë pjesë e seancave të rregullta pasi që nuk ka asgjë të re nga opozita, pos kopje të kërkesave të njëjta nga vitet e kaluara.

"Përderisa tema që është kërkuar të trajtohet ose me një seancë të jashtëzakonshme është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, e njëjta do të mund të trajtohej si pikë e rregullt e një seance të rregullt të Kuvendit ashtu siç do e donte rendi institucional”, ka thënë Kusari-Lila në foltoren e Kuvendit.

“Por sikur të ndodhte kjo, që në fillim, di të duhej të flisnim për zbatimin e marrëveshjeve për zbatimin e energjisë për katër komunat në veri të vendit, dhe heqjen përfundimtare të barrës financiare nga buxheti i shtetit në këmbim të ruajtjes së sovranitetit të sistemit elektroenergjetik të vendit tonë”.

“Kjo situatë e re është hera e parë që zbatohet pas gati një çerekshekulli në kuptimin e përmbushjes së olbligimit qytetar për energjinë e shpenzuar nga banorët e katër komunave në veri të vendit”.

“Megjithatë pasi kemi vendosur për një alternativë tjetër dje as pasi kërkesa e sotme për seancë të jashtëzakonshme nuk përmban asnjë risi nga opozita por është saktësisht kopje dhe përsëritje e të njëjtave kërkesa nga vitet e kaluara kur situata e furnizimit me ne energji ishte shumë më dramatike, dhe përkundër të gjitha vështirësie kemi pasur qeverinë e Kosovës e cila përmes masave të shumta dhe afatgjate vazhdon tu qëndrojë afër qytetarëve të vendit”.

Kusari-Lila tha se rezoluta e prezantuar nga opozita nuk është fare serioze, dhe listoi masat që i ka ndërmarrë qeveria.

“Fillimisht rezoluta e prezantuar nuk është serioze dhe nuk kontribuon në ofrimin e zgjidhjes”.

“Kjo nuk është risi në vetvete pasi që zgjidhjet e vetme që i keni ofruar në vazhdimësi kanë qenë seanca të jashtëzakonshme për gjendjen në sektorin e energjisë, komisione hetimore për sektorin e energjisë në mesin e krizës, ndërkaq në vazhdimësi keni abstenuar në votime e mospjesëmarrje në zhvillimin e politikave për sektorin e energjisë përkundër se siç mund të pajtohemi, sifdat shumëvjeçare të këtij sektori janë përgjegjësi edhe e juaja nga tërë dekadat e fundit”.

“Përkundër abstenimit tuaj në këtë proces, pozita në Kuvend dhe qeveria e Kosovës kanë qenë seriozisht të angazhuara në gjetjen e zgjidhjes dhe ofrimin e lehtësirave për ballafaqimin me situatën e vështirë me energji elektrike”.

“ Ne si pozitë e kemi miratuar strategjinë për energjinë 2022-2031 e cila në përputhje me politikat tranzitore të sektorit parasheh rritjen e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme deri në një mijë e 300 megavatë”.

Ajo po ashtu tha se gjashtë herë i kanë vazhduar masat emergjente për sektorin e energjisë dhe kanë miratuar plotësimin e ndryshimit të ligjit për energjinë.

“Në funksionimin e zinxhirit politkëbërës për sektorin e energjisë kuvendi këtë rol ka, ndërsa në procesin e përcaktimit të çmimit dhe shqyrtimit tarifor atë siç e dimë të gjithë e bën Zyra e Rregullatorit të Enerjgusë pjesë e së cilit shqyrtim kanë mundësi të jenë të gjithë pa përjashtim”.

“Me arsyetimin e kërkesës së opozitës këtë seancë është parashtruar teoria se kthimi i bllok-tarifës është përcjellë me diskriminim të drejtpërdrejtë të qytetarëve të cilët ngrohen me energji elektrike”.

“E vërteta qëndron se pikërisht tërheqja e bllok-tarifës në vitin 2017 ka nxitur konsumin e energjisë elektrike për ngrohje në veçanti në periudhën e pikut”.

“Kështu që kemi përfundu në një periudhë të shkurtër kohore në ngritje të konsumit mbi 40 për qind dukuri e cila shumë pak ngjan në vendet tjera në zhvillim apo në vendet e zhvilluara e aq më pak do të duhet të ishte prezentë në vendin i cili në kapacitetet energjetike të bazuara në thëngjill i ka të vjetruara prej 40 deri në 60 vjet”.

Shala: Çmimet e energjisë të papërballueshme, të anulohet vendimi për shtrenjtim dhe të hiqet bllok tarifa

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike është bërë i papërballueshëm për qytetarët dhe se fajtor sipas tij është Qeveria Kurti.

Shala në seancën në Kuvend të Kosovës ku po debatohet për energjinë, ka thënë se çmimet e energjisë në treg kanë rënë dhe se nuk ka arsye pse qytetarët duhet paguar çmime të larta.

“Kjo rritje e çmimit është e papërballueshme. Sepse, energjia përfshihet në grupin e nevojshëm për jetesë. Sot kemi rënie të çmimeve në berzhë, por nuk ka ulje të çmimeve në Kosovë. Pse duhet qytetarët të paguajnë të njëjtin çmim?”, ka thënë Shala.

Pika e dytë e kësaj rezolutë parasheh heqjen e bllok tarifës.

“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), brenda afatit të arsyeshëm kohor të marrë vendim për anulimin – heqjen e bllok tarifës për kalkulimin e shpenzimeve të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë”, deklaroi Shala.

“I rekomandon Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ndërmarrjen e masave në raport me Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), për të siguruar trajtimin efektiv dhe të barabartë të konsumatorëve që kanë parashtruar ankesa ndaj faturave të energjisë elektrike për muajin dhjetor 2023 dhe ankesave eventuale të konsumatorëve në vitin 2024”, është pika e tretë e rezolutës.

Në pikën e katërt parashihet që Qeveria e Kosovës të obligohet për marrjen e masave, veprimeve e vendimeve për krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike.

“Kërkon nga Zyra për Rregullatorin e Energjisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, që në afat sa më të shkurtër kohor të njoftoj Kuvendin për përmbushjen e pikave 1, 2, 3 dhe 4 të kësaj rezolute”, është pika e pestë e rezolutës.

Tahiri, Kusarit: Një komision i formuar nga PDK-ja ua ka dërguar zyrtarin e lartë në burg

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i ka thënë shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusarit se një komision i iniciuar nga PDK-ja ua ka dërguar në burg një zyrtar të lartë të partisë në pushtet.

Këto deklarime, Tahiri i ka bërë nga foltorja e Kuvendit, ku po bëhet shqyrtimi i Propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Një komision ua ka dërguar një zyrtar të lartë në burg, edhe ky i dyti do ta çojë dikë në burg”, ka thënë deputeti Tahiri.

Tahiri ka thënë kështu duke iu referuar kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, i cili muaj më parë është arrestuar dhe mbajtur në paraburgim.

Tutje, Tahiri ka folur edhe për shifra lidhur me furnizim me energji elektrike.

“Në janar 2023, kërkesa e KESCO-s për furnizim me energji ka qenë 532 mijë e 753 megavat. Prej komplet këtyre megavateve, kërkesa për import për qytetarët ka qenë pak mbi 19 mijë. 1.75 për qind të energjisë. Nëse ia shtojmë humbjet, importi në muajin janar shkon 13 për qind. Pse duhet qytetarët ta paguajnë një përqindje të tillë për shkak të keqmenaxhimit të energjisë elektrike”, u shpreh Tahiri.

Deputeti i PDK-së ka përmendur edhe disa muaj tjerë.

“Muajin shkurt, kërkesa për import ka qenë në 14 mijë megavat. Muajin shkurt importi ka qenë vetëm 3.01 për qind. Në mars kërkesa për import ka qenë mbi 8 mijë megavat ose 1.97 për qind. Në mars KESCO ka importuar vetëm 1.97 për qind, tjerët e ka bërë KEDS-i etj. Në prill importi ka qenë 8.28 për qind e totalit të energjisë elektrike. Në maj kërkesa për qytetarët ka qenë vetëm 6.02 për qind të energjisë. 94 për qind e kemi prodhuar vetë. Në qershor 2.62 për qind”, u shpreh Tahiri.

Tahiri po ashtu ka përmendur edhe totalin gjatë vitit 2023.

“Totali i vitit 2023 ka qenë – kërkesa e KESCO 4 milion e 900 megavat. Kërkesa për import 255 mijë megavat. Vetëm 5.19 për qind, në total vitin e kaluar, për qytetarët ka pasur import. Ndërsa 94 për qind është prodhuar nga KEK-u e Hidrocentrali Lumbardhi”, tha Tahiri.

Shala: Është zëvendësuar rryma e lirë e KEK-ut me atë shtrenjtë të importuar

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se energjia elektrike e lirë e KEK-ut është zëvendësuar me energjinë e shtrenjtë të importuar.

Kështu ka thënë ai gjatë shqyrtimit të propozim-rezolutës në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

“Arsyeja e kësaj rritjeje të çmimit qëndron te fakti i çuditshëm menaxherial. Kemi zëvendësuar energjinë e lirë të KEK-ut, me energjinë e shtrenjtë të importuar”, ka thënë Shala.

“Kush ka përfituar nga ndërprerja e energjisë dhe si kanë përfituar, është çështje që duhet të hetohet”, ka shtuar ai.

“KEDS ka importuar rrymë me kosto prej 18 milionë eurosh dhe kjo rritje e çmimit është e papërballueshme për qytetarët”, ka shtuar ai.

Tahiri: Qeveria Kurti po e zbrazë Kosovën

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se kryeministri Kurti nuk e ka problem që me përhapjen e krizës sociale, të jetë në krye të qeverisë e cila po e zbrazë Kosovën.

Tahiri ka thënë se qeveria ua ka zvogëluar qytetarëve standardin jetësor.

“Me vendimmarrje monopoliste për shtrenjëtim të energjisë verës, ku piku dhe blloktarifat nuk marrin shumë vëmendje.

Kjo për shkak të konsumit të ultë, kjo qeveri ua tkurri qytetarëve standardin dhe shërbimet, i varfëroi”, ka thënë Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat