Përfundon procesi i votimit në veri – dështoi nisma për largimin e kryetarëve

Aktuale

Përfundon procesi i votimit në veri – dështoi nisma për largimin e kryetarëve

Nga: Bota sot Më: 21 prill 2024 Në ora: 07:16 Përditësuar në ora: 11:55 më 21.04.2024
KQZ

​Izmir Zeqiri: E kam ditur se do ta çoj mandatin deri në fund, do të fitoj edhe në zgjedhjet e ardhme

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se e ka ditur që do ta çoj mandatin e tij deri në fund dhe për këtë ka përmendur fakte, ndërsa u shpreh se edhe në zgjedhjet e ardhme do të fitojë dhe do ta mbaj pozitën e kryetarit të kësaj komune.

Ai tha se do ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve pavarësisht epilogut për të. Sipas tij, serbët po e bojkotojnë procesin, për shkak se nuk i kanë numrat e nevojshëm, andaj siç tha ai, kanë frikë të dalin në votime.

Zeqiri: E kam ditur se do ta çoj mandatin deri në fund mandatin

"Nga fillimi kam qenë i fokusuar shumë për ta çu mandatin deri në fund.. Të gjitha qendrat e votimit të caktuara nga KQZ-ja janë duke shkuar në rregull.. Unë do të pranoja çfarëdo rezultati që do të dilte nga vota e lirë e qytetarit qysh kam pranuar kur jemi hyrë në garë... . (e kam ditë se do ta çoj mandatin deri në fund) bazuar në tri fakte. E para Lista serbe qysh prej themelimit të saj nuk është matur me vota reale të qytetarëve, por qysh është votuar, Lista serbe ka pasur komisionerët e saj dhe nuk ka pasur ndonjë komisioner tjetër dhe aty nuk kanë votuar qytetarët por komisionerët e kësaj partie... E dyta, sa i përket komunës së Zubin Potokut, etnia shqiptare e përbën 12 deri 15 përqind numrin e banorëve.. Fakti i tretë është se prej fillimit kam qenë i bindur se Listën serbe nuk e votojnë as një pjesë e serbëve sepse gjatë viteve sa ka qenë në pushtet i ka keqtrajtuar qytetarët e vet... S’kanë numër të mjaftueshëm të qytetarëve (Lista serbe). me dalë me i verifiku zyrtarisht frikohet kështu që nuk merr pjesë...Ka vullnet të tillë të qytetarëve (serbë) që do të votonin për mua.. Unë besoj që nëse i hy garës prapë, synoj vendin e parë në zgjedhje të lira dhe demokratike", ka thënë Zeqiri.

Szunyog thotë se po i vëzhgojnë zgjedhjet me 17 ekipe e rreth 60 persona në terren

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se janë 17 ekipe me rreth 60 persona në terren që po e vëzhgojnë votimin në qendra të ndryshme.

Szunyogu ka thënë se i kanë koordinuar ekipet e ndryshme në të gjitha komunat ku po mbahet votimi, për të vërtetuar faktet nga terreni.

“Vendosëm të dërgojmë vëzhgues në këtë proces. Janë organizuar shtetet anëtare të BE-së dhe organizatat ndërkombëtare nga vendet e tjera partnere, janë 17 ekipe për rreth 60 persona që kanë shkuar në qendra të ndryshme votimi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë ta vëzhgojnë terrenin për t’i vërtetuar faktet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka kritikuar bojkotin e zgjedhjeve për votimin pro apo kundër shkarkimit të kryetarëve të katër komunave veriore. Për bojkot të këtij procesi zgjedhor ka bërë thirrje Lista Serbe.

Krasniqi: Detyra e shtetit ishte organzimi i këtij procesi që qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në një deklaratë për media ka thënë se detyrë e tyre ishte organizimi i këtij peticioni dhe organizimi i këtij procesi votues, ndërsa qytetarët e shprehin vullnetin e tyre përmes votimit.

“Detyrë e jona ka qenë që të bëjmë këtë peticion, me këtë mundësi qytetarët e shprehin vullnetin e tyre. Detyrë e shtetit ka qenë edhe organzimi i këtij procesi dhe besoj që gjithçka ka shkuar mirë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi është shprehur se kjo e drejtë qytetarëve u garantohet përmes ligjit për qeverisje lokale

“Qeveria e Kosovës e ka pasur detyrën dhe mandatin për të mundësuar që qytetarët që duan t’i shprehin pakënaqësitë e tyre apo kërkesën e tyre për largimin e kryetarët nga funksioni, të bëjnë paraprakisht me një të drejtë që u garantohet përmes ligjit për qeverisje lokale”, ka thënë ministri.

Ai është shprehur se nëse në këtë votim marrin pjesë 50 për qind e qytetarëve plus një, atëherë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në komunat ku do të ketë sukes.

“Nëse në këtë votim marrin pjesë 50 për qind e qytetarëve plus një dhe ata votojnë për largimin e kryetarëve, pastaj presidentja e vendit do t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme në komunat ku do të ketë sukes”, ka theksuar Krasniqi.

Ndërsa për Listën Serbe, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal ka deklaruar se ata i shohin institucionet për vete dhe jo për qytetarët.

“Lista Serbe dëshiron që të ketë monopolin mbi politikën serbe në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët”, ka potencuar Krasniqi.

Kujtojmë që sot në katër komunat veriore të vendit votohet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në listën e qytetarëve me të drejtë vote janë 46 mijë e 556 votues.

Ministri Krasniqi fton qytetarët në veri që të votojnë

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i ka ftuar qytetarët që të dalin për të votuar.

Nga fshati Soçanicë e Leposaviqit, ministri Krasniqi ka thënë se Lista Serbe, e cila ka bërë thirrje për bojkotim të procesit zgjedhor të së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore, i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. 

“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëse të rezervuara për komunitetin serb në Kuvend dhe mos t’i përfaqësojnë interes të qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit”, ka thënë ai. 

Krasniqi u ka bërë thirrje qytetarëve të kësaj zone që të marrin pjesë në votim, Krasniqi ka njoftuar se procesi deri tani po shkon në rregull. 

​Të gjitha kamerat janë aktivizuar në qendrat e votimit në Leposaviq

Të gjitha kamerat janë aktivizuar në kohë në qendrat e votimit në Leposaviq, kanë thënë përfaqësuesit e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve nga kjo komunë. Ata nuk kanë dhënë informacione për numrin e votuesve deri më tani që kanë votuar pro ose kundër shkarkimit të kryetarit.

18 qendra votimi në Leposaviq janë fuzionuara në tetë.

Zoran Stojanoviq, kryesues i KKZ-se në Leposaviq tha se çdogjë po shkon sipas planit, por pohon se disa qendra të votimit kanë pasur telashe për shkaqe teknike.

Stojanoviq: Kemi pasur një vonesë në ardhjen e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve në vendvotim

"Në këto qendra kemi pasur një vonesë në ardhjen e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve në vendvotim. Në Komunën e Leposaviqit ka një pozitë gjeografike me territor shumë të madh me 505 kilometra katror dhe nuk kemi mundur për shkaqe teknike, janë shume shkaqe të vogla, mirëpo kemi arritur shumë shpejt me i hap", deklaroi ai.

Në orën 11:00 do të publikohen të dhënat e para për daljen e votuesve.

Ndihmësi i kryesuesit të KKZ-së, Selim Mehmeti tha se gjitha kamerat janë aktivizuar me kohë në Leposaviq.

Stojanoviq: Të gjitha kamerat janë aktivizuar në qendrat e votimit në Leposaviq

"Komisioni Komunal i Zgjedhjeve e ka mbajtur trajnimin me anëtarët e këshillave të votimit dhe përpos trajnimeve që i kemi bëre kanë dhënë edhe udhëzues se si të përdoret kamera...Ne atë informatë nuk e kemi që nuk janë aktivizuar (kamerat)", theksoi ai.

Ai shtoi se nuk kanë informacione nëse po vazhdon problemi me energji elektrike në qendrat e votimit në Koshtovë.

Mehmeti: S’kemi informacione nëse po vazhdon problemi me energji elektrike

"KQZ është duke e bërë të pamundurën që në Kushtovë, përmes donatorit apo në bëjë mënyrë tjetër... nuk e kemi atë informatë (që nuk ka energji elektrikë në Kushtovë), përfundoi ai.

Numri i qytetarëve në Leposaviq me të drejte vote është mbi 13 mijë, në tetë qendra votimi. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi, ka ftuar për bojkot të këtyre zgjedhje. Për shkarkim të kryetarëve duhet të këtë se paku 50 për qind plus një votues me të drejte vote, në secilën nga katër komunat në veri të Kosovës.

Ky votim në katër komunat veriore organizohet bazuar në udhëzimin administrativ te hartuar nga qeveria, për presionit të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

​Zveçan: Disa qendra të votimit nuk pajisen me leje për përdorim të shkollave, përdorin qendra alternative

Në Këshillin Zgjedhor të Zveçanit, janë katër përfaqësues sot, prej subjekteve politike të PDK, LDK, LVV dhe të zyrës së OIKU-t.

Zyrtari i lartë i Komisionit Zgjedhor në Zveçan, Vuksan Vuksanoviq, ka thënë se probleme ka pasur vetëm në lidhje me transportin e stafit të votimit, ndërsa qendrat janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit.

Ai ka shtuar se ka qendra të votimit që nuk kanë mundur t’i hapin sepse nuk kanë pasur leje për përdorim të shkollave, dhe për këtë arsyeje kanë përdorur qendrat alternative si qendra se ku do të votohet.

Ndërsa, për pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës, ai mendon se nuk ka pasur nevojë për sigurim shtesë.

Vuksanoviq: Kemi qendra votimi që nuk kemi mundur t'i hapim sepse nuk kemi pasur leje

“Probleme kishte vetëm në lidhje me transportin e stafit të votimit, por gjithsesi pas orës 07:00 të gjitha qendrat e votimit janë hapur. Këshillin zgjedhor, i kemi 4 përfaqësues, këta janë prej subjekteve politike të PDK, LDK, LVV dhe të zyrës se OIKU-t. Kemi qendra votimi që nuk kemi mundur t'i hapim sepse nuk kemi pasur leje t’i përdorim, bëhet fjalë për shkolla dhe më pas këto i kemi përdorur këto qendra alternative të votimit si qendra se ku do votohet. Mendoj që nuk ka pasur nevojë për sigurim shtesë. Sa i përket kësaj qendre të votimit, policia ka qenë e pranishme këtu edhe para procesit zgjedhor, prandaj janë akoma këtu”, ka thënë Vuksanoviq.

Vuksanoviq nuk kishte informacion për numrin e saktë të votuesve. 

Stojanoviq: Gjithçka po shkon sipas planit

Zoran Stojanoviq kryesues i Komisionit Komunal Zgjedhor në komunën e Leposaviqit ka thënë se gjithçka po shkon sipas planit. Ai ka theksuar se ka pasur probleme të vogla që janë tejkaluar shpejt.

“Çdo sen është duke shkuar në bazë të planit. Komuna e Leposaviqit ka pozitë gjeografike me territor shumë të madh ka diku rreth 550 kilometra katror dhe për shkaqe teknike nuk kemi arritë me i hapë. Por kemi arrit prap me ia dalë. Shkolla në Leposaviq e kemi pasur një inspektim me 5 prill por pas 5 prillit me një bojkot nuk na është lejuar me i hapë. Pse nuk është lejuar kanë thënë se i kemi disa aktiviteteve shkollore, nuk dihet çfarë aktivitete. Deri tash në ora 11 i kemi informatat e para".

Ndërsa Selim Mehmeti nga komuna e Novo Bërdës ka treguar se risi është se kësaj here do të votohen 10 kandidatë.

“Risi kemi që do të votohen 10 kandidatë. Trajnimi për kamera është mbajt kemi dhënë edhe udhëzues, KQZ-ja është duke e bë të pamundurën me siguru rrymë, ne jemi këtu tërë kohën”, ka thënë Selimi.

​Ambasadori i Suedisë monitoron nga afër procesin e votimit në Zubin Potok

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund është parë duke monitoruar nga afër procesin e votimit për ose kundër shkarkimit të kryetrarit të komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Në këtë komunë qendrat e votimit janë të vendosura në objektin e komunës, objektin publik Mala Jabuka (Molla e vogël), Tek Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama” në Çabër.

Votimi organizohet në bazë të udhëzimit administrativ nga Qeveria e Kosovës, pas presionit të ndërkombëtareve për shpalljen e zgjedhjeve të reja në komunat në veri.

Në këtë komunë kanë të drejtë vote mbi 6 mijë e 600 qytetarë në pesë qendra të votimit me 11 vendvotime. Po ashtu, në këtë objekt të komunës është e vetmja qendër që mund të votohet me kusht.

​Këta janë vëzhguesit e procesin të votimit në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 49 organizata vëzhguese me një numër të përgjithshëm prej 401 vëzhguesve, të cilët do të mund të përcjellin nga afër procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Sipas vendimeve të KQZ-së, 34 vëzhgues përfaqësojnë 1 subjekt politik, 86 të tjerë janë akredituar në emër të 3 organizatave jo-qeveritare vendore, 201 vëzhgues nga 23 media vendore, 16 vëzhgues nga 7 media ndërkombëtare dhe 64 vëzhgues nga 15 përfaqësi diplomatike në Kosovë.

Image

Policia tregon për situatën e sigurisë në orët e para të mëngjesit në veri

Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani ka thënë se gjendja e sigurisë në orët e para të votimit në katër komunat veriore të Kosovës është e qetë.

“Situata është e qetë’, ka thënë shkurt Elshani.

Ndryshe, sot, (e diel) do të votohet për apo kundër largimit të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore të Kosovës.

Shumica e qendrave të votimit janë hapur nga ora 07:00 deri në 19:00.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se do të jenë të gatshme t’i ndihmojnë KQZ-së për të organizuar një votim të mirë dhe paqësor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat