Djali i Tefik Mustafës: Gjendja e babait në paraburgim në Serbi nuk është shumë e mirë

Aktuale

Djali i Tefik Mustafës: Gjendja e babait në paraburgim në Serbi nuk është shumë e mirë

Më: 13 qershor 2024 Në ora: 18:41
Qamil Mustafa

Tefik Mustafa është arrestuar më 1 qershor nga policia e Serbisë në pikën kufitare në Merdarë.

Djali i tij, Qamil Mustafa ka thënë se sipas informacioneve të fundit të dhënë nga e motra e cila ishte në vizitë të martën, gjendja e babit të tyre nuk është shumë e mirë – pasi sipas tyre ai ka problem me tensionin dhe është dashur intervenimi i mjekëve.

“Për momentin informacionet e fundit që i kemi pranuar për gjendjen e babait është dita e martë. Atë ditë në vizitë ka qenë motra e jonë e cila e ka vizitu, e cila tha se momentalisht gjendja e tij nuk është e mirë, pasi ditë më herët ka pasur problem me tension dhe është trajtuar nga personeli mjekësor. Ma mirë tha ish, por më shëndet ish dobësu goxha shumë”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se kanë probleme financiare dhe për të paguar koston e avokatit duhet që të hynë në kredi ose të kërkojnë ndihmë nga të afërmit.

“Është kosto e lartë për pagesa të tilla. Ne i kemi kryer disa pagesa, tash e kemi pagesën e radhës dhe po ia dalim disi. Na prind e kemi po duhet me dalë me i gjet a me hi kredi, pra me ba diçka”, ka deklaruar me tej ai.

Qamil Mustafa ka thënë seanca e radhës do të mbahet më 1 korrik dhe sipas avokatit të tyre pritet të lirohet shumë shpejtë.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Beograd, ditë më parë  ia ka caktuar Tefik Mustafës, masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas vendimit, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të ikjes së të pandehurit.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat