Familja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Haki Imerit, konkretisht vëllai i tij, Faiku ishte cak i një dokumentari të përgatitur nga media e Baton Haxhiut dhe publikuar në tlevizionin Klan të Shqipërisë.
Pas këtij dokumentari që ishte cak i sulmit Faiku, ka reaguar familja Imeri, të cilët thonë se ishte përplotë me gënjeshtra, shpijfe e thashetheme.
Sipas tyre, ky dokumentar është i porositur nga Hashim Thaçi.
Në reagimin e familjes thuhet se, kauza e Faikut është ndriçimi i vrasjes së vëllait të tij, Hakiut dhe paralajmërojnë se nuk do të ndalet derisa drejtësia të ndriçojë këtë vrasje, dhe vrasjet tjera me motive politike.
Reagimi i plotë:
Dokumentari i transmetuar në TV Klan Tirana, me datën, 12/6/2024 që sulmon drejtësinë dhe personazhet që kërkojnë drejtësi për vrasjet politike, me fokus të veçantë ndaj Faik Imerit, është përplotë me gënjeshtra, shpifje dhe thashetheme. Ky dokumentar, i porositur nga Hashim Thaçi, synon të manipulojë opinionin publik.
2. Propaganda dhe Manipulimi i Informacionit:
Ky dokumentar është një riciklim i gënjeshtrave dhe përdorë propagandën si mjet për të arritur qëllimet e tij, duke sulmuar drejtësinë dhe viktimat e saj. Këto përpjekje dëmtojnë seriozisht integritetin e sistemit të drejtësisë dhe përpjekjet për të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve politike.
3. Ndikimi mbi Procesin e Drejtësisë:
Autorët e këtij dokumentari nuk kuptojnë se drejtësia është në rrugën e duhur dhe nuk mund të ndalet. Çdo përpjekje për të penguar drejtësinë vetëm sa e përkeqëson gjendjen e të akuzuarit dhe ndihmon në vërtetimin e akuzave të prokurorëve, të cilat do të konsiderohen si prova të pakontestuara nga trupi gjykues.
4. Identifikimi i Aktorëve të Krimit të Organizuar:
Dokumentari përdor dëshmi të një shtetasi shqiptar, i cili është gjithashtu shtetas serb dhe i martuar me një ruse, pjesë e klanit të tij kriminal. Ky individ është i përfshirë në skemat e shantazhit dhe krimit të organizuar në nivel europian. Në të gjitha dosjet e autoriteteve spanjolle, ai dhe familja e tij janë arrestuar disa herë për veprimtari kriminale.
5. Përfshirja e Baton Haxhiut:
I njëjti individ që hedh akuza të pabaza dhe shpifje kërkohet nga autoritetet kosovare për shantazh dhe krim të organizuar, duke treguar kështu bashkëpunimin e tij me Baton Haxhiun.
6. Gjendja e rëndë e të Akuzuarve:
Gjendja e rëndë e bashkëpunëtorëve të Hashim Thaçit dhe urdhrat e tij nga Haga, të cilat kërkojnë ndihmë dhe "lëmoshë" nga një person i dënuar shumë herë për krime të rënda në të gjitha shtetet europiane, shfaqin dëshpërimin e tyre të madh. Gjendja e rënduar e Hashim Thaçit në procesin gjyqësor për tortura dhe vrasje të shqiptarëve rëndohet çdo ditë.
7. Rëndësia e Provave për Gjyqin:
Përpjekjet për të rënduar gjendjen e të akuzuarit në Hagë janë të qarta. Këto ndihma dhe prova janë të nevojshme për gjykatën për të vërtetuar akuzat e prokurorit të specializuar të dhomave të posaçme, duke treguar se Hashim Thaçi është urdhëruesi, iniciuesi dhe inspiratori i dhunës politike në Kosovë, vazhdon edhe sot nga prapavija .
8. Kauza e Faik Imerit:
Ata që kanë bërë këtë dokumentar duhet ta kenë të qartë se kauza e Faik Imerit është ndriçimi i vrasjes së vëllait të tij, i cili është kidnapuar dhe vrarë pabesisht. Ky është motivi i Faik Imerit dhe ai nuk do të ndalet derisa drejtësia të ndriçojë këtë vrasje, dhe vrasjet tjera me motive politike .
9. Që moti, edhe kjo faqe e Facebook-ut ka qenë target i Hashim Thaçit. Emri i Haki Imerit ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesë për të, dhe do të mbetet i tillë edhe në të ardhmen.