Kosovari Tefik Mustafa u ndal dhe u arrestua me 1 qershor nga autoritetet serbe në kufirin në Merdare derisa po kthehej për në Itali.
Ai është duke u mbajtur në paraburgim në burgun e sigurisë së lartë në Serbi nën dyshimin për krime lufte apo vrasjen e tre policëve serbë.
Avokati i Mustafës, Sead Spahoviç ka thënë se tashmë ka dëshmuar një dëshimtar në rastin e tij derisa kanë mbetur për të dëshmuar edhe tre të tjerë.
Sipas Spahoviç, procesi është vetëm në fillim ndërsa asnjëri prej dëshmitarëve nuk mund të konsiderohet okular.
“Procesi është në fillim. Deri më tani ka dëshmuar vetëm një dëshmitar. Për momentin janë katër dëshmitarë që duhet të dëshmojnë, por asnjëri prej tyre nuk mund të konsiderohet dëshmitar okular. Është e paparashikueshme se sa do të qëndrojë i akuzuari në paraburgim policor”, ka thënë avokati.
Spahoviç ka dhënë edhe detaje se kur do të fillojë procesi i gjykimit, ndërsa sa i përket ekstradimit të tij për tu gjykuar në Kosovë ai ka thënë se një gjë e tillë është e pamundur.
“Gjyqi do të fillojë me përfundimin e hetimeve të kryera nga prokuroria. Nuk ekziston mundësia e ekstradimit të të akuzuarve në institucionet e Republikës së Kosovës duke pasur parasysh se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe as institucionet e saj”, ka shtuar ai.
Tefik Mustafa sipas avokatit të tij është në gjendje të mirë shëndetësore derisa nuk e ka mundësinë që të gjykohet në liri.
“Për momentin i akuzuari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është nën mbikëqyrje mjekësore. Ai nuk është ankuar për sjelljen e policisë apo personelit të burgut. Nuk ka asnjë mundësi që ai të lirohet përkohësisht në pritje të gjykimit sepse shqiptarët e Kosovës konsiderohen si “shtetas të huaj që ka gjasa të ikin”, që është arsyeja që ai ndodhet në paraburgim”, deklaron avokati i Mustafës.
Ai jep edhe detaje për kontaket e tij me institucionet në Kosovë dhe ambasadën italiane që nga momenti kur kosovari, Mustafa u arrestua në Merdare.
“Jam në kontakt me Zyrtarin Ndërlidhës të përfaqësuesit. Kosova z. Jetish Jashari. Ambasada italiane ka shfaqur interesim të madh për z. Tefik Mustafa pasi është shtetas italian. Kam pasur takime me ambasadorin dhe konsullatën italiane në Belgardë. Z. Tefik Mustafa gëzon mbrojtjen konsullore të misioneve diplomatike të Italisë dhe Kosovës”, përfundon Spahoviç.
Ndërsa në një intervistë djali i Tefik Mustafës, Qamili ka thënë se babai i tij nuk u trajtua mirë nga autoritetet serbe derisa në mes hyri ambasada italiane dhe ai u cilësua si shtetas i Italisë duke qenë se jeton dhe vepron për shumë vite në këtë shtet.
Ndiqni më poshtë intervistën ku djali i tij jep detaje ekskluzive të telefonatës së fundit që patën me babain pasi ai u arrestua në Merdare me 1 qershor.