Inspektorati Policor i Kosovës ka publikuar raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e trajtimit dhe procedimit të rasteve të trafikimit me narkotikë”.
IPK në kuadër të raportit ka dhënë 11 rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e ushtrimit të kontrolleve mbi hetuesit që raportimi mbi veprat penale të praktikohet edhe përmes raporteve njoftuese, përpilimin e planeve të hetimit, raportimin e rregullt dhe të plotë mbi zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, kompletimin dhe mirëmbajtjen e dosjeve, sigurimin e urdhëresave retro-aktive për fuqizimin e kontrolleve të shtëpive/objekteve përcjellëse dhe automjeteve, dokumentimin e testimeve fushore të substancave narkotike, intervistimin e të dyshuarve dhe dëshmitarëve potencial, administrimin e dëshmive në dhomat e veçanta, ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit në trajtimin e rasteve, etj.
Bazuar në gjetjet e këtij raporti, IPK do të iniciojë procedura ndaj zyrtarëve në kuadër të njësive hetimore të inspektuara, lidhur me mos përpushjen e detyrave dhe obligimeve që rrjedhin nga përshkrimet e vendeve e punës, si rezultat i mos menaxhimit të duhur të rasteve të trafikimit me narkotikë, dosjeve dhe dëshmive.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë hetimor.
Inspektimi është realizuar me kërkesë të Departamentit të Hetimeve të IPK-së dhe me autorizim të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së. Inspektimi është përqendruar në Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, me theks të veçantë në dy Njësitë e Hetimit të Narkotikëve në Prizren dhe Gjakovë.
Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve nga burime të informacionit, mbi trajtimin e rasteve dhe administrimin e provave dhe dosjeve.
Inspektimi është fokusuar te veprimet hetimore policore, bashkëpunimi me Prokurorinë e Shtetit, zbatimi i autorizimeve dhe urdhëresave, administrimi i provave, menaxhimi i kohës së hetimeve, mirëmbajtja e evidencave dhe dosjeve, etj.