Në fillim të vitit të ri shkollor, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe angazhimit në arsim si bazë për suksesin në jetë.
Ai ka potencuar se “rruga e suksesit në jetë fillon në bankat e shkollës” dhe ka inkurajuar nxënësit që të vazhdojnë të përmirësohen dhe të arrijnë më shumë çdo vit.
“Urime fillimi i vitit të ri shkollor! Për ju që po e nisni këtë rrugë për herë të parë, qoftë një rrugë e lehtë, e dashur dhe përplot me të arritura të shkëlqyeshme. Pa dyshim, rruga e suksesit në jetë fillon në bankat e shkollës”, ka shkruar ai në Facebook.
Për ata që kanë filluar shkollën më herët, Krasniqi ka shprehur dëshirën për një vit më të suksesshëm se i kaluari, duke i nxitur që të tejkalojnë vetveten dhe të bëhen çdo herë më të mirë.
“Gjithmonë mund të bëheni pak më të mirë e të arrini diçka më shumë,” ka shtuar ai.
Në një mesazh për mësimdhënësit, Krasniqi ka shprehur mirënjohje për durimin dhe pasionin e tyre në ofrimin e dijes dhe dashurisë për nxënësit.
“E admiroj durimin dhe pasionin tuaj për t’u dhënë fëmijëve tanë dije dhe dashuri,” ka thënë ai, duke theksuar se me mësimdhënësit, “e ardhmja e vendit tonë është në duar të sigurta.”
Për prindërit, ai ka bërë thirrje që të ofrojnë mbështetje dhe dashuri më shumë se kritika, duke nënvizuar se kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar fëmijët të arrijnë sukses.