“Sa herë që familjarët e Lulzimit vijnë në gjykata, ndihen edhe të keqtrajtuar”

Aktuale

“Sa herë që familjarët e Lulzimit vijnë në gjykata, ndihen edhe të keqtrajtuar”

Më: 18 shtator 2024 Në ora: 17:03
Lulzim Fejzullahu

Parashihej të ishte seanca përfundimtare për vrasjen e Lulzim Fejzullahut nga Podujeva, mirëpo një kërkesë përmes email-it të avokatit të njërit prej të miturve, bëri që seanca të shtyhej, por pa njoftimin paraprak të familjes. Kërkohet seriozitet më i madh nga Gjykata e Apelit.

Seanca u parapa të fillojë në 10:30.

Por brenda sallës së Gjykatës së Apelit nuk ishin të pranishëm të gjithë.

E pikërisht kjo seancë parashihej të ishte e fundit për të vendosur lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahut.

Një kërkesë përmes email-it një ditë më parë drejtuar Gjykatës së Apelit,  nga avokati i njërit nga të miturit që akuzohet për vrasjen e tij, bëri që kjo seancë të anulohej.

Kjo pasi sipas avokatit të familjes Fejzullahu, Tomë Gashi, avokati i palës tjetër kishte një tjetër seancë në të njëjtën kohë.

E njoftimin për shtyrjen e kësaj seance, familja e kuptoi vetëm pasi erdhi nga Podujeva në Prishtinë.

“Sa herë që familjarët e Lulzimit vijnë në këto gjykata, ndihen sipas tyre edhe të keqtrajtuar dhe që dhimbja ju shtohet. Kështu që besoj që ka qenë një ditë e keqe, një ditë e rëndë për familjen e Lulzim Fejzullahut”, ka thënë Gashi.

Gashi ka një thirrje për institucionet e drejtësisë.

“Do të duhej gjykata të jetë pak më serioze, Gjykata e Apelit po flas në këtë rast, që nëse merr njoftime zyrtare, qoftë në formë të emaileve apo avokatëve apo kujtdo tjetër të palëve në procedurë, që palët tjera t’i njoftojë që të mos vijnë. Është diçka që Gjykata nuk ka një qëndrim të caktuar dhe në raste të caktuara i pranon email-et, në raste të caktuara jo dhe dispozitat ligjore janë shumë të qarta që kur avokati është i zënë në një seancë tjetër, nuk ka arsye ligjore që të shtyhet seanca nëse ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt; mund të dërgojë zëvendësues apo të gjejë forma të tjera për të qenë prezent apo jo”, tha Gashi.

Media  ka kërkuar sqarim nga Gjykata e Apelit për qëndrimin e këtij institucioni lidhur me pranimin e kërkesave përmes email-eve dhe aprovimin zyrtar të tyre, mirëpo deri në publikimin e kronikës të njëjtët nuk kanë kthyer përgjigje.

Seanca e radhës është shtyrë më datën 25 shtator nga ora 11:20.

Lulzim Fejzullahu është rrahur për vdekje me shufra metalike nga dy të mitur në ditën e 14 janarit në rrugën ‘’Drenica’’ në Podujevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat