Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka thënë se sistemi financiar në vend është stabil dhe mirë i kapitalizuar, ndërsa deputetët e pozitës e opozitës patën ankesa për normat e larta të larta të interesit, raporton Ekonomia Online.
Gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku u shqyrtua raporti vjetor i BQK-së për vitin 2023, Ismaili ka thënë se ekonomia e Kosovës sipas raportit vjetor të dorëzuar ka shënuar një rritje prej 3.3 për qind, ndërsa thekson se një përqindje e madhe e inflacionit është importuar.
“Sistemi financiar është stabil, i kapitalizuar mirë në nivel të kënaqshëm të likuiditetit…Ekonomia globale dhe ajo e Eurozonës përjetuan sfida të mëdha gjatë vitit 2023. Ngadalësimi i kërkesës së jashtme, inflacioni i lartë dhe rritja e kostos së financimit, pas shtrëngimit të politikës monetare, ndikuan negativisht në rritjen ekonomike. Ekonomia e Eurozonës shënoi një rritje prej 0.4 për qind… Ekonomia e Kosovës sipas raportit vjetor të dorëzuar ka shënuar një rritje prej 3.3 për qind…Sa i përket çmimeve në Kosovë, ndoqën një trend ngadalësimi të ndikuar kryesisht nga stabilizimi i ofertës, çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, shkalla e inflacionit rezultoi në 4.9 për qind në vitin 2023, në 11.6 për qind sa ishte, 4.1 për qind e këtij inflacioni ishin të importuara”, ka thënë Ismaili.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka pyetur guvernatorin e BQK-së për kamatat e larta të kredive.
“Nëse analizojmë situatën e sistemit bankar në Kosovë sërish kemi kamata të larta që bankat janë shumë profitabile që shkon në disfavor të qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve. Sa ju keni menduar që mund të ndikoni në zbutjen e kamatave, sepse edhe në Eurozonë ka pas ngritje para dy viteve, por tani ka rënë në përqindje të madhe, ndërsa këtu sërish janë shumë të larta. Sa do të ndikoni në të ardhmen që më të vërtetë ndikon në uljen e kamatave, sepse shkon më favor edhe të zhvillimit ekonomik dhe bizneseve, e sidomos qytetarëve që kanë nevojë… A mund ta di cilat janë ato investime të huaja që kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e sistemit apo zhvillimit ekonomik”.
“Shpreh pajtimin që kamatat janë të larta, ne duhet të marrim krahasim në aspektin rajonal, normat e kamatës në Kosovë janë mbi mesataren që ka tregu rajonal”, u përgjigj Ismaili.
Ankesa për rritje të kamatave pati edhe deputeti i pushtetit, Eman Rrahmani.
“Sa është përfitimi i bankave vetëm nga interesi dhe tërheqja e mjeteve sepse mua më ndodh që kam tërheqje me të vogël se 100 euro dhe interesi ka qene absurde dikund 7 euro e diçka a i mbikëqyrni këto. Pse nuk po e bëni rregulloren për kreditë, çfarë po ju pengon?”, pyeti Rrahmani.
E për këto, guvernatori i BQK-së pat një përgjigje.
“Jemi në finalizim të një platforme që do të listojmë të gjitha tarifat nëse dëshiron me pa sa kushton mirëmbajtja dhe te tjerat, qytetari mund të sheh vetë se sa është e shtrenjtë. Sa i përket kredive jo kamatare nuk kemi pengesë dhe nuk është po na pengon dikush , dhe nuk është që nuk kemi marrë veprime për këtë drejtim, së fundi jemi angazhuar me një projekt të Bankës Botërore, kemi marrë disa praktike të disa vendeve, kemi marrë edhe draftet e rregullores që kanë ata”, u shpreh ai.