Pse erdhi deri te përleshja fizike mes Lladrovcit e Rahimajt?

Aktuale

Pse erdhi deri te përleshja fizike mes Lladrovcit e Rahimajt?

Më: 10 tetor 2024 Në ora: 18:49
Ramiz Lladrovci

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, pati një përleshje fizike mes kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci e atij të Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Kjo erdhi pasi që kryetarët që vijnë nga LVV kërkuan të ketë transparencë me prani të mediave. Derisa Lladrovci tha se është skenar i partisë në pushtet për largim të vëmendjes.

Që nga fillimi, takimi ishte i tensionuar.

Mbajtja e mbledhjes së Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës u pengua nga kryetarët që vijnë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo i pengoi kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili reagoi ndaj kryetarit të Kamenicës, Kadri Rahimaj.

Kësisoj edhe mbledhja u ndërpre dhe delegatët e Kuvendit u shpërndanë.

E anëtarët e LVV-së, treguan se kundërshtuan mbajtjen për shkak të mungesës së transparencës sepse mediat nuk ishin prezente.

“Kërkesën që e kemi bërë që në krye të radhës që në shtatorin e vitit të kaluar për anëtarësimin e tri komunave të veriut të bëhet pjesë e rendit të ditës dhe kjo të miratohet. Po ashtu, plotësimin e bordit të AKK-së me një anëtarë në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje sepse pas zgjedhjeve legjitime që kanë ndodhur në veri ju e dini që tashmë 6 komuna që udhëheqim nga ky subjekt dhe ne e plotësojmë kriterin e pasjes në Bord të një anëtari”, tha Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimës.

E kryetari i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq thotë se kundërligjshëm tri komunat veriore ende nuk janë anëtarësuar në këtë Bord.

“Tri komunat veriore Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani të cilët kryetari i Bordit dhe AKK po aludojnë dhe po dezinformojnë dhe gënjejnë që janë të anëtarësuar dhe gjithçka të gjitha obligimet ligjore i kanë kryer nuk figurojnë në këtë listë në këtë raport”, tha Atiq.

E protagonist kryesor i kësaj ngjarje, tha se tollovi të tilla janë metoda të partisë në pushtet për largimin e vëmendjes nga publikimi i përgjimeve të Mimoza Kusari Lilës me Radoiçiqin.

“Shpeshherë kam thënë se jam bullduzher edhe kush më del përpara e marr pas vete, por nuk është e vërtetë që e kam shty. Unë kam kërkuar prej tyre sepse sikur ata që kanë të drejtë me dal me e pengu zhvillimin e punimeve të Kuvendit edhe ne që jemi shumicë, kemi të drejtë me thënë largohuni, lëshoni ta mbajmë kuvendin sepse ne i kemi lënë punët e tona, nëpër komuna tona për me e mbajte kuvendin”, tha Lladrovci

I pyetur edhe se a ka pasur ndonjë ofendim nga kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rrahmiaj, Lladrovci u shpreh se nuk ka dëgjuar diçka të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat