Përfundon seanca e jashtëzakonshme, Berisha: Prokuroria të hetojë dyshimet për interesa korruptive në FSK
Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme ku është diskutuar për cështjen e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Pas rreth katër orëve diskutim, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka prezantuar rezolutën, por nuk është hedhur në votim në mungesë kuorumi.
Berisha kërkoi që me urgjencë të zgjidhet kjo çështje dhe që të japin dorëheqje udhëheqësit e Ministrisë së Mbrojtjes.
Berisha: Prokuroria e Shtetit të hetojë dyshimet në FSK
“Kuvendi i Kosovës kërkon nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes që me urgjencë të zgjidh çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme.
Dy, zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të japin dorëheqje, ministri i FSK-së, zëvendësministri, sekretari i përgjithshëm dhe gjithë hierarkia përgjegjëse në administratën e ministrisë.
Tre, kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të hapet procedurë ligjore për të hetuar rastin duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështjet të cilat kanë të bëjnë me interesa korruptive”, tha Berisha gjatë prezantimit të rezolutës.
S’ka kuorum për votimin e rezolutës së opozitës, ndërpritet seanca e jashtëzakonshme për ushqimin në FSK
Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit që nisi në drekë për të diskutuar çështjen e furnizimit me ushqim të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u ndërpre në mungesë kuorumi të nevojshëm.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në emër të deputetëve nënshkrues për thirrjen e kësaj seance, e lexoi në fund një rezolutë e cila mbeti pa u votuar. Ajo kërkonte zgjidhjen me urgjencë të furnizimit të ushtarëve me ushqim, dorëheqje në Ministrinë e Mbrojtjes dhe veprime nga Prokuroria e Shtetit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria, Ministria e Mbrojtjes që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme. Zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të japin dorëheqje. Ministri i FSK-së, zëvendësministri, sekretari i përgjithshëm dhe e gjithë hierarkia përgjegjëse në administratën e Ministrisë. Kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të hapet procedurë ligjore për të hetuar rastin, duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështje që kanë të bëjnë me interesa korruptive”, thuhej në rezolutë.
Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, i mbylli punimet e seancës së jashtëzakonshme, për vazhdimin e së cilës tha se do të vendoset në Kryesi.
“Meqë nuk ka kuorum dhe nuk ka të tjerë të paraqitur për fjalë, unë i ndërpres punimet e kësaj seance dhe për vazhdimin e saj ju informojmë si Kryesi e Kuvendit”, tha ai.
“Pablo Esobar tregtonte me drogë, e këta tregtojnë me ushqim të FSK-së”, Kastrati me akuza ndaj Qeverisë Kurti
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka theksuar nevojën e aktivizimit të shpejtë të Prokurorisë sa i përket problemeve të ushqimit dhe furnizimeve bazike të FSK-së.
Kastrati krahason qeverinë Kurti, me narkotrafikantin, Pablo Escobar, duke thënë se ndryshe nga ai që tregtonte me drogë, qeveria tregton me ushqimin e ushtarëve.
“Prokuroria duhet me u aktivizu sa ma shpejtë sepse ky është skandal i hajnave të pasulit e qorbave, duhet me u arrestu këta Pablo Esobarat e Kosovës, sepse profili i tyre kriminalizum është i Pablo Escobarit, dallimi është që Pablo tregtonte me drogë e këta tregtojnë me ushqim të ushtarëve të FSK-së,” tha Kastrati.
Më tej Kastrati thotë që ushtria duhet të jetë bastion krenarie, por po përballet me sfida serioze që ndikojnë në moralin e ushtarëve.
“Ushtria duhet të jetë një bastion i shpresës e i krenarisë, e tani duket si një anije e fundosur pas skandalit të pasulit që e qojnë dorën në oqeanin e errët të banditave e skandaleve të kësaj qeverie, mozomakeq prej kujt kërkojnë ndihmë…. Morali ushtarëve tani është i kërcënuar duke i lënë të përballen me pyetje ekzistenciale se a kemi me pasë ushqim në punë apo ta marrim me vete”,shtoi Kastrati.
Ai akuzon qeverinë se me finesë, korrupsionin po e kthejnë në art.
“Dallimi është që Escobari ka plaqkitur me armë e maska, këta plaqkisin me stilolaps e me firma e kështu me finesë e bëjnë art korrupsionin, dhe urinë e ushtarëve tonë e bëjnë monedhë të përfitimit tyre personal, këta vjedhin pasul e konserva… Kjo është qeveria e hajnave të pasulit, e kanë shpall top-sekret pasulin, çfarë turpi, e kjo është simptoma më e re e korrupsionit,” tha Kastrati.
Haxhiu: Kurti deshi ta imitojë Zelenskyn, s’arriti për shkak të hajnisë
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, thotë se kryeministri Albin Kurti deshi ta imitojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn.
Sipas tij, shefi i qeverisë s’ka arritur ta realizojë këtë, siç thotë ai për shkak të hajnisë.
“Albin Kurti, ka pasë dëshirë ta imitojë Zelenskyn, por punën me ushtrinë Kurti në krahasim me Zelenskyn është shndërruar në simbol të hajnisë e mbrojtës i hajnave. Zelensky në luftë i siguron ushtarëve edhe ushqim edhe armatim, e Albin Kurti në paqe nuk po arrin të bëjë diçka të tillë për shkak të hajnisë”, u shpreh Haxhiu.
Ai gjatë seancës së jashtëzakonshme në Kuvend, tha se ata që vjedhin bukën e ushtarëve, rezervat shtetërore e kanë vendin në burg.
“Ata që vjedhin bukën e ushtarëve, rezervat shtetërore, ata nuk e kanë vendin në institucionet e Kosovës. Ata e kanë vendin në burg”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Qalaj: Ushtarët po largohen jo nga dëshira por nga detyrimi
Problemi i furnizimit me ushqim ishte temë që sot u diskutua nga deputetët në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës.
Të pranishëm ishin veç opozitarët, derisa shumica e bojkotoj seancën.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Rashit Qalaj, në fjalimin e tij tha se “ushtarët po e lëshojnë forcën, jo nga dëshira por nga detyrimi”.
Qalaj renditi disa nga arsyet se pse ushtarët po e lënë Ushtrinë e Kosovës.
“Për shkak të trajtimit joadekuat, për shkak të mungesës së pajisjeve, për shkak të mungesës së trajnimeve, për shkak të mungesës elementare siç janë: uniforma, këpuca, qizmja, për shkak të mungesës së karburanteve për t’i furnizuar veturat e tyre për trajntim”, tha ai.
Abazi: Qeveria po i ik ballafaqimit me qytetarë, a është çështja e ushqimit në FSK luftë e bandave në ministri?
Deputeti i pavarur, Haki Abazi tha se Qeveria po i ik “ballafaqimit me qytetarë”, në fillim të fjalës së tij në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për gjendjen e furnizimit të FSK-së me ushqim.
Abazi tha se “pyetja e qytetarëve është pse nuk janë këtu”, duke iu referuar bojkotimit të seancës nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Së paku ministri e ka për obligim të shpjegojë se çfarë po ndodh”, tha ai.
“A është çështje e luftës së bandave dhe të korrupsionit në ministri? A është çështje e interesave të individëve? A ka ndodh që vëllai i deputetit Dugolli t’i ndryshojë marrëdhëniet e prokurimit? A është çështje e ligjit?”, pyeti Abazi.
Hoti: Kurti ngrit alarmin për ushtrinë serbë afër kufirit por në të njëjtën kohë bën fushatë zgjedhore në Gjermani
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e jashtëzakonshme e përmendi Fondin e Sigurisë.
Sipas Hotit, anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e FSK-së nuk kanë informacione për mjetet e mbledhura në këtë fond.
“Në fillim të këtij mandati qeverisës, me pompozitet është promovuar fondi i sigurisë për mbledhjen e mjeteve për pajisje ushtarake për ushtrinë e Ksoovës. Unë nuk jam i sigurt, ndjesë nëse nuk kam informata, por nuk jam i sigurt që as anëtarët e komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e FSK’së i dinë sa mjete janë mbledhur, sa janë shpenzu, sa është pajisur FSK me mjete bazuar në mjetet që janë mbledhur në këtë fond”, tha ai.
“Vit pas viti, buxheti i ushtrisë së Kosovës ka rënë si përqindje e produktit të brendshëm Bruto, sipas stadardeve të NATO’s që është së paku 2 për qind, por tash për shkak të zhvillimeve nëpër botë ky buxhet ka rënë, ka trend rënës në 24 vitet e fundit”, ka thënë ai.
Hoti ka folur edhe për ushtrinë e Serbisë që të shtunën u afrua afër kufirit me Kosovën.
“Për ushtrinë serbë afër kufirit. Kryeministri e ngriti alarmin por në të njëjtën kohë ishte pjesë e fushatës së tij zgjedhore në Gjermani. Imagjinojeni, e ngrit alarmin për një vend fqinj me tendenca armiqësore ndaj Kosovës që po e afron ushtrinë afër kufirit e vetë bën fushatë në Gjermani edhe ushtrinë e ka pa ushqim. Nuk ka koment tjetër për situatën tragjikomike që është krijuar në këto ditë në Kosovë. Në të njëjtën kohë, presidentja nuk e ka asnjë reagim, e gjen momentin të premten a të shtunën me i thirr në një bisedë ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK’së, pa asnjë përgjegjësi institucionale”, ka shtuar ai.
Time Kadrijaj: Kurti flet çdo ditë për luftë, atëherë kush do të luftojë? deputetët e LVV-së?
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e akuzoi Qeverinë për “degradimin e insitucioneve të sigurisë”.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për situatën e furnizimit të FSK-së me ushqim, ajo tha se kryeministri Albin Kurti “po shkatërron gjithçka që është ndërtuar me mund për 25 vjet”.
Ajo pyeti se kush do të luftonte në rast të ndonjë lufte, “nëse jo Policia apo Ushtria”.
“Dhe merreni me mend, një kryeministër që çdo ditë thotë ‘do të ketë luftë’. Atëherë kush do të luftojë? Nëse jo Policia, nëse jo Ushtria, a mundemi ne me llogaritë që këta deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë me shku me e mbrojtë atdheun. Kjo nuk do të ndodhë”, tha Kadrijaj.
Reçica: Ka një dualizëm që është shkaku i përplasjeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Mehaj dha dorëheqje për këto arsye
Deputeti i PDK-së Elmi Reçica tha se “nuk është vetëm çështja e ushqimit” problem në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ai tha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit se “këtu kemi një dualizëm të qartë dhe për atë arsye ka përplasje brenda asaj ministrie dhe insitucioneve tjera”, duke iu referuar Ministrisë së Mbrojtjes.
Reçica tha se arsyeja e dorëheqjes së ministrit Armend Mehaj nga udhëheqja e kësaj ministrie erdhi “për këto arsye” dhe se ministri aktual i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci po përballet me probeleme “për këto arsye”.
“E ke Qeverinë e Albin Kurtit me ministrat e vetë, dhe e ke Dejona Mihalin me komitetet e Vetëvendosjes, që janë ministri paralele. A di çfarë thonë ata? I thonë zëvendësministrit ‘shko ti, por ti ke me qenë ministër’. Dhe pastaj atë e konsiderojnë si ministër. Dhe për këtë arsye atje ka rrahje, ka keqpërdorime, ka nxjerrje të vendimeve, dokumenteve, që nuk janë të ministrit. Pse iku ministri paraprak që me aq bujë e prezantuan? Për këto arsye. Pse ky ministër është në gjendje shumë të rëndë tash aktualisht? Për këtë arsye”, tha Reçica.
Ai tha se “oficerët më të mirë që ka kjo ushtri e kanë braktisur FSK-në”.
Sot, deputeti i PDK-së tha se “është e qartë” se “beteja për ushqimin e FSK-së ka qenë beteja kush do të vjedhë më shumë”.
Berisha për çështjen e ushqimit në FSK: Situata aktuale është shqetësuese
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha deklaroi se për çështjen e ushqimit në FSK duhet të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri e sekretari në Ministri të Mbrojtjes.
Në seancën e jashtëzakonshme të ftuar me kërkesë të AAK-së, Berisha u shpreh se situata aktuale është shqetësuese dhe se trajtimi i ushtarëve me neglizhencë paraqet shkelje të rëndë të përgjegjësisë nga ana e qeverisë.
Në seancën e jashtëzakonshme ku nuk po marrin pjesë deputetët e shumicës parlamentare, deputeti Bekë Berisha tha se çështja e ushqimit është me rëndësi dhe ndikon në funksionalitetin e FSK-së.
Berisha: Trajtimi i ushtarëve me neglizhencë është shkelje e rëndë e përgjegjësisë
“Ushtria jonë është krenaria e vendit tonë dhe është simbol i shpresës për një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme. Secili ushtar që shërben ka vendosur t’i shërbejë vendit deri në vetëflijim. Nuk janë aty as për privilegje por as për kushte. Ata janë djemtë e vajzat më të mirë të vendit tonë. Megjithatë, duhet të pranojmë që situata aktuale është tepër shqetësuese. Trajtimi i ushtarëve tanë me neglizhencë është një shkelje e rëndë e përgjegjësisë së udhëheqjes së kësaj qeverie. Kriza e furnizimit me produkte esenciale për FSK-në është një sinjal alarmant që kërkon zgjedhje të menjëhershme. Mos të harrojmë ne jemi në një kohë të rrezikshme për sigurinë në rajon dhe është thelbësore që sektori i sigurisë të trajtohet me prioritet dhe dinjitet”, deklaroi ai.
Në emër të deputetëve nënshkrues, Berisha shtoi se “nuk ka lojë me ushtri” dhe se duhet të plotësohen kushtet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Berisha: Kërkojmë përgjigje nga qeveria
“Si mund të jemi të sigurt nga kjo mazhorancë që do të avancojë planin 10-vjeçar të transformimit të FSK-së në përputhje me standardet e NATO-s nëse nuk arrin të menaxhojë as furnizimin me ushqim për ushtarët tanë. Prandaj ne sot kërkojmë një përgjigje të qartë nga qeveria, sot kërkojmë zgjedhje të menjëhershme dhe urgjente. Ushtarët nuk duhet të jenë të shqetësuar se a kanë ushqim gjatë ditës dhe se me çfarë kualiteti ju servohen shujtat. Ata duhet të jenë të preokupuar vetëm me pjesën e detyrave që i kanë. Një ushtar nuk duhet të ketë shqetësim ushqimin, uniformën, mungesën e veshmbathjeve. Nëse ju e quani vetën qeveri këto gjëra nuk lejohet të ndodhin, besa nuk kanë ndodhur në asnjë qeveri më herët”, shtoi Berisha në seancë plenare.
Berisha përmendi edhe Dejona Mihalin, e më tej kërkoi edhe dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes.
Berisha: Dejona Mihali i ka treguar të gjitha
“Këtë tender, këta tenderë, këta të ushqimit, këtu ish fitimi i madh. Nëse tenderi është 10 euro, me tri euro po u kryjshin obligimet, tjerat shkojnë nëpër xhepa të njerëzve që unë i di. Unë sot e kom një kallabllak dokumente e informacione. Plot aty. Edhe i di të gjitha, ashtu qysh i dimë plot ne. Mirëpo, që katër vjet mandat duke dashur me ruajt ushtrinë, plot gjëra që i kemi ditur nuk i kemi folur dhe i kemi mbrojtur dhe e dinë këta që janë në qeveri. Por tash shtrohet pyetja, nëse ka mbërri Dejona Mihali me hy në Ministri të Mbrojtjes, çka nuk dinë komshiu, tëra i di. Ne mundemi me ia mbajt të fshehtë njëri-tjetrit, ajo tëra i ka treguar. Se qëllimi i saj është që me i dit tjetër kush. Për tërë këtë neglizhencë, sot është dashur të jap dorëheqje ministri, zëvendësministri, sekretari i zgjedhur jashtëligjshëm, për këta deputetë që janë në klub ata që i organizojnë këto gjëra”, përfundoi Berisha.