​AAK: Nuk e mbështesim rritjen e pagave, është mashtrim

Aktuale

​AAK: Nuk e mbështesim rritjen e pagave, është mashtrim

Më: 29 tetor 2024 Në ora: 17:43
Besnik Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka thënë se rritja e pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, është e kundërligjshme me ligjin aktual për buxhetin.

Deputeti Tahiri ka thënë se rritja e pagave nga janari i vitit 2025 ‘është mashtrim’.

Tahiri: Kjo shpërfaq një mashtrim që në esencë nuk e rrite pagën

“Ajo çka keni pa sot në konferencën e Kryeministrit dhe Ministrit të financave, në esencë është skandaloze, në përmbajte është mashtrim dhe në kuptimin e plotë të komunikimit të një politike publike është dështim. Ajo çka ka ndodhur në këtë konferencë, shpërfaq një mashtrim që në esencë nuk e rrite pagën. Për shkak se rritja e njësive në formë hierarkie të koeficientit që gjendet në shtojcën e ligjit të pagave mundet të ndodhë vetëm në qoftë se ky ligj i nënshtrohet një procesim konsultimi dhe amandamentimi në Qeveri dhe pastaj në dy lexime në parlament”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, rritja e pagave për 80 mijë punëtorë në sektorin publik, ‘është blerje votash për zgjedhjet që do të mbahen në shkurt 2025’.

Tahiri: Kërkon me këtë qasje të bëhet një blerje votash

“Ajo çka ka ndodhur, është për momentin e kundërligjshme dhe për të hyrë në fuqi do të duhej të hy në një procedurë ligji i pagave. Me mashtrua një korpus prej 80 mijë njerëzve, prej të cilëve kërkon me këtë qasje, të bëhet një blerje votash”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga janari i vitit të ardhshëm të rris pagat për punonjësit e sektorit publikë për 55 euro në muaj, ndërsa nga korriku do të ketë rritje për 110 euro.

Nga kjo rritje do të përfitojnë, mësuesit, policët, infermierët, ushtarët dhe zjarrfikësit.

Sipas prezantimit të tabelës, mësuesit aktualisht kanë 616 euro pagën bazë, ndërkaq me rritje do të marrin 726 euro.

Policët nga 550 euro do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 do të marrin 715 euro, zjarrfikësit nga 550 euro do të marrin 660 euro dhe ushtarët nga 616 euro do të marrin 726 euro.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se buxheti i planifikuar për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat