Me projektligjin për Prokurorinë Speciale dhe dhomat e veçanta gjyqësore për ndjekjen penale të të gjithë atyre që përndjekin popullsinë serbe në Kosovë, Qeveria e Serbisë zbaton vendimin e presidentit Aleksandër Vuçiq. Analistët në Serbi thonë se ky është vendim më shumë politik e medial sesa që ua rregullon mirëqenien në Kosovë.
Sipas Qeverisë serbe, prokuroritë dhe gjykatat e larta të Beogradit do të kenë kompetencën në rastet penale për krime të kryera në Kosovë. Megjithëse disa besojnë se me miratimin e projektligjit për Prokurorinë Speciale dhe Dhomat e Veçanta, këto masa mund të nxisin reagime ndërkombëtare, ekspertët argumentojnë se ato janë më shumë një strategji për përdorim të brendshëm dhe se nuk kanë kuptim ligjor.
"Në thelb, këto masa do të kenë më shumë efekt politik dhe medial, pasi të gjitha këto procedura do të zhvillohen në televizionet shtetërore, sepse organet shtetërore të Serbisë nuk kanë qasje në territorin e Kosovës, gjë që teknikisht dhe logjikisht është e pamundur", deklaron Alleksandar Ollenik, jurist.
Ollenik gjithashtu thekson se çështja e sistemit gjyqësor ishte në tavolinën e Brukselit.
"Publikut i dërgohet një mesazh i rremë propagandistik që Serbia dhe organet e saj ende kanë ndikim në territorin e Kosovës. Duhet ditur se çështja e drejtësisë është zgjidhur me marrëveshjen e Brukselit dhe kjo është përmbushur" thotë tutje ai.
Qeveria e Serbisë ka miratuar edhe projektligjin me të cilin Kosova shpallet zonë e mbrojtjes së veçantë sociale, që ofron mbështetje financiare për disa kategori në komunitetin serb në Kosovë. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, masat e Beogradit kanë për qëllim të qetësohet opinioni publik i brendshëm. Opozita i sheh ato si dështim të politikës së Vuçiqit dhe si pasojë e vendimit të gabuar për tërheqjen e serbëve nga institucionet e Kosovës.