LIVE: ​Kuvendi sërish dështon të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, Konjufca ka një thirrje për deputetët e VV-së

Aktuale

LIVE: ​Kuvendi sërish dështon të votojë marrëveshjet ndërkombëtare, Konjufca ka një thirrje për deputetët e VV-së

Nga: Bota sot Më: 30 tetor 2024 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 12:36 më 30.10.2024
Kuvendi i Kosovës

Tahiri: Plani Kombëtar për Integrim ka ardhur në Kuvend pesë muaj me vonesë

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka hedhur kritika ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, për Planin Kombëtar të Integrimit.

Sipas tij, ky Plan ka ardhur në Kuvend pesë muaj me vonesë dhe se nuk janë adresuar me kohë detyrat.

“Ky dokument është themeluar në komisionin përkatës është themeluar më 19 qershor të Këtij viti. Dokumenti strategjik i cili është dashur të reflektojë në synimet dhe detyrat afatshkurta të zbatimit për këtë vit, vjen në Kuvend pesë muaj mbrapa”.

“Nëse e shohim te rekomandimi i cili u prezantua nga nënkryetarja e këtij Komisioni, shihet qartë referenca që duhet kryer disa punë që quhen veprime afatshkurtra të vitit 2024. Këto veprime ndërlidhen me akte nënligjore që ish dashtë Qeveria me i përfundua”, tha Tahiri.

Konjufca kërkon nga deputetët e VV-së të jenë “më të vëmendshëm” në seancë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të jenë më të vëmendshëm në seancë. Kërkesa e Konjufcës, ka ardhur gjatë miratimit të disa projektligjeve në Kuvend.

“Arsyeja përse kemi ardhur në seancë është për t’i miratuar këto projektligje”, ka deklaruar ai.

Për dy javë rresht, në seancat e Kuvendit të Kosovës kishte pasur mungesë të deputetëve të pushtetit, Lëvizjes Vetëvendosje, duke bllokuar kështu punën legjislative dhe debatin politik në vend.

Ky bojkot i përsëritur për shoqërinë civile kishte ngjallur shqetësime të thella për funksionalitetin e institucioneve demokratike.

Në seancën e së enjtes, s’ka pasur kuorum për votimin e rezolutës e cila u paraqit nga shefi i Grupi Parlamentar nga Lidhja Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, që përfshinte hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).

Në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit qeveritar, deputetët e partive opozitare kishin organizuar edhe javën e kaluar tri seanca të jashtëzakonshme – ku u debatua për aferën e ambalazhuesve të ujit dhe për keqpërdorimet milionëshe në Ministrinë e Infrastrukturës, bisedat e shefes së grupit parlamentar nga Lëvizja Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me kryeterroristin, Milan Radojiçiç dhe problemet me ushqimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Votimi për marrëveshjet ndërkombëtare shtyhet sërish

Tri marrëveshje ndërkombëtare janë shtyrë për një seancë tjetër.

Kjo për shkak të mungesës së deputetëve në seancën e sotme e cila ka nisur në orën 11:00.

Opozita nuk ka votuar as për praninë në seancë.

Deputetët mbështesin emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë mbështetur emërimin e 7 anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

Ndonëse opozita s’mori pjesë në votim, kjo pikë kaloi me 61 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër.

“Mandati i anëtarëve të Këshillit është tri vite.

Ju urojmë suksese”, tha kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Kuvendi miraton projektligjin për Këshillin e Sigurisë

Kuvendi e ka miratuar projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ky projektligj është shqyrtuar.

Ndonëse prezente në Kuvend, opozita s’voton për praninë në sallë

Kuvendi i Kosovës tashmë ka nisur.

Megjithatë, ndonëse opozita është e pranishme në Kuvend, nuk po merr pjesë në votimin për praninë në sallë.

Votimi është duke u përsëritur disa herë.

Votimi i fundit rezultoi me 61 deputetë.

Kuvendi sot mban vazhdimin e seancës plenare

Kuvendi i Kosovës sot pritet të mbaj vazhdimin e seancës plenare ku në rend dite janë disa pika të pa përfunduara nga seancat paraprake.

Kjo seancë është paralajmëruar për në orën 11:00.

Rendi i ditës

I. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 12, 26 shtator dhe 10 tetor 2024:

5. Votimi për emërimin e shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore,

6. Votimi i Projektligjit nr.08/L-309 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër”, në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim,

7. Votimi i Projektligjit nr.08/L-313 për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatat e grupit të Bankës Botërore,

8. Votimi i Projektligjit nr.08/L-314 për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin Energjia diellore fotovoltaike në KEK – Porta Globale,

9. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-212 për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor,

10. Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-197 për Zyrtarët Publikë,

11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-287 për Këshillin e Sigurisë të Republikës së Kosovës,

12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-275 për rrugët,

13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-290 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

14. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-266 për gjendjen civile,

15. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-300 për provimin e maturës shtetërore,

16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-306 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-132 për automjete,

17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-311 për menaxhimin e resurseve ujore,18. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për Integrim Evropian 2024-2028,

19. Votimi i Projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit-DASH,

20. Shqyrtimi i Projekt-Deklaratës për raportet e Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

21. Shqyrtimi i Projekt-rezolutës për adresimin e çështjes së emigrimit të qytetarëve nga Republika e Kosovës,

22. Shqyrtimi Projekt-Rezolutës për tërheqjen e tri (3) projektligjeve nga shqyrtimi në Kuvend,

23. Shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për arratisjen e personave të dënuar – degradimi i institucioneve të sigurisë,

24. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.05/L-090 për sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.06/L-116,

25. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për vlerësimin e punës së Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2022,

26. Shqyrtimi i Raportit të Performancës së ndërmarrjeve publike për vitin 2022,

27. Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin mbi zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe reflektimin e Agjendës Transformuese të Kosovës në buxhet dhe politika qeveritare,

28. Themelimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, prej tyre, një nga komuniteti shqiptar dhe një nga komuniteti serb.

II. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 11.10.2024:

1. Votimi i Projekt-Rezolutës nga Debati Parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari - Lila me Milan Radojiçiç.

III. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 14.10.2024:

1. Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati Parlamentar për mungesën e ushqimit në Ushtrinë e Republikës së Kosovës.

IV. Vazhdimi i Seancës së Jashtëzakonshme, të filluar më 16.10.2024:

1. Debat Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë

V. Pika e papërfunduar nga Seanca e Jashtëzakonshme, e mbajtur më 24.10.2024:

1. Votimi i Projekt-Rezolutës nga debati parlamentar për skandalet dhe keq menaxhimi në Korporatën Energjetike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat