Kryeministri Albin Kurti ka takuar drejtues e përfaqësues të kompanive me famë botërore si `Xabia Group`, `Levi` dhe `Microsoft and Baloise`, gjatë qëndrimit të tij në Cyrih të Zvicrës.
Sipas komunikatës për media të Kryeministrisë, Kurti u ka bërë thirrje kompanive botërore për investime në Kosovë.
“Me ftesën që të investojnë në vendin tonë, kryeministri Kurti i njoftoi ata me përparësitë, potencialin dhe fushat, në veçanti atë të teknologjisë së informacionit, për cilat Kosova paraqet një mundësi të mirë dhe të përshtatshme për zgjerimin e shërbimeve dhe operacioneve”, thuhet në njoftim.
Kurti ka përmendur disa nga veçoritë e vendit si pozita gjeografike, politikat fiskale dhe tatimore, infrastruktura digjitale, shërbimet elektronike, popullata e re e shumëgjuhëshe, qëndrueshmëria institucionale, progresi ekonomik e demokratik dhe sundimi i ligjit.
Në Cyrih, ndërkohë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu vizitoi hapësirat e kompanisë zvicerane Flux Mobility, ku u mirëprit nga drejtues dhe përfaqësues të kësaj kompanie.
E themeluar në vitin 2021, ajo këtë vit ka shënuar rreth 15 milionë euro të ardhura. Kjo kompani zhvillon dhe elektrifikon automjetet e lehta komerciale. Flux Mobility ka një bashkëpunim zhvillimor edhe me kompaninë MAN Trucks.
Gjatë kësaj vizite, kryeministri Kurti u njoftua nga afër me punën dhe punëtorinë e kësaj fabrike. Ai ndau me përfaqësuesit e saj mundësitë dhe përparësitë që ofron vendi ynë për të bërë biznes dhe për të tërhequr investime si dhe shprehu interesimin dhe theksoi potencialin që në të ardhmen në Kosovë të prodhohen pjesë të gatshme për industrinë e automobilave.