Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Shefin e Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajorin Enrico Barduani.
Në kumtesën për media bëhet e ditur se në këtë takim të parë, Konjufca e falënderoi Barduanin për vizitën dhe e uroi për detyrën e tij të re në krye të KFOR-it.
Ai u shpreh i bindur se do të vazhdojë të thellohet bashkëpunimi midis misionit të NATO-s dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar se ky raport është shumë i rëndësishëm për një gjendje sa më të mirë të sigurisë në vendin tonë dhe stabilitet sa më të qëndrueshëm rajonal.
I pari i Kuvendit më tej tha se situata e sigurisë në vendin tonë paraqitet gjithnjë e më e mirë, por se qasja destabilizuese nga Serbia dhe përpjekjet ruse për ndërhyrje në rajon tregojnë për nevojën e angazhimit të përbashkët e të pandërprerë për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Ndërkaq Barduani e falënderoi Konjufcën për pritjen dhe shprehu gatishmërinë për angazhim në drejtim të thellimit të bashkëpunimit, në funksion të forcimit gjithnjë e më madh të stabilitetit, me të gjitha sfidat që gjenden përpara.