Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Aktuale

Kuvendi miraton në lexim të parë buxhetin për vitin 2025

Më: 11 nëntor 2024 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 14:08 më 11.11.2024
Kuvendi i Kosovës

​Shala: Qeveria nuk ka prezantuar buxhet zhvillimor

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka deklaruar se qeveria nuk ka prezantuar buxhet zhvillimor.

Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet buxheti për vitin 2025, Shala ka kritikuar qeverinë për rezervat shtetërore dhe çmimin e grurit.

Shala: Qeveria nuk ka prezantuar buxhet zhvillimor

“Sot shpresova se kabineti qeveritar do të elaborojë në detaje projektbuxhetin por paska ardhur si gjithmonë praktikë të akuzojë dhe lavdëroje punën e vet. Ç’është e vërteta, gjithçka është por buxhet zhvillimor nuk është, sepse vet kategoria e parë e strukturës buxhetore ku 44.9 për qind është në subvencione, këtu nuk ka zhvillim, këtu ka ndihma sociale...U lavdëruan për pagën minimale të cilën e kanë arrit të miratojnë me strukturat më kriminale të mundshme dhe terroriste, me Radojicicin, dhe i kanë lënë jashtë kategoritë e të dala nga lufta. Ju lutem kryeministër, më trego nëse është kështu siç tha ministri se çmimi i grurit në BERZHE është që nga pandemia deri më sot i pandryshueshëm, 0.21 centë, si ka mundësi që ju gjatë mandatit tuaj në 2022, gjatë pandemisë keni blerë çmimin e grurit 0.48 centë minimalisht. Pra, më trego a është 0.21 centë, apo 0.48 centë çmimi i grurit, dhe nëse është kështu, pse atëherë keni blerë 0.48 cent çmimin e grurit dhe i cili kurrë nuk erdhi në Kosovë as në sasi e në cilësi, dhe nuk e dimë as sot si ka përfunduar kjo aferë”, ka thënë Shala.

Shala ka përmendur edhe rezervat shtetërore dhe problemin që po përballen disa nga banorët e kryeqytetit me ujë të pijshëm.

Shala: Gjysma e qytetarëve të Prishtinës nuk kanë ujë, asnjë reagim nga kryeministri

“Pse nuk erdhën rezervat as në 2023, as në 2024 nuk e ke blerë asnjë kilogram grurë, i ke paraparë në buxhet dhe je lavdëruar, pse nuk e ke blerë asnjë kilogram, pse nuk të ka ardhur vaji, sheqeri. Pse kryeministër rezervat shtetërore nuk të kanë ardhur asnjë, dhe nuk e përmende a e ke në linjë buxhetore për vitin 2025... Sot nuk e dëgjova asnjë fjalë, gjysma e qytetarëve të Prishtinës nuk kanë ujë të pijes nga Badovci i helmuar dhe ju sot nuk e keni paraparë asnjë centë, kryeministër je përgjegjës... nuk e kemi parë asnjë reagim tendin për ujërat, asnjë cent të ndarë. Nuk e dimë ku po furnizohen qytetaret, përveç që e dimë po furnizohen tek kompanitë që i ke subvencionuar dhe në fund ua ke falur borxhet”, ka shtuar Shala.

Ndërsa, ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka reaguar ndaj kritikave të opozitës lidhur me ndikimin e subvencioneve duke i quajtur ato të pavërteta.

Ai ka thënë se Kosova ka importuar 28 milionë kilogram më pak, apo në vlerë monetare 8.1 milionë euro

Peci: Kosova ka importuar 28 milionë kilogram më pak, apo në vlerë monetare 8.1 milionë euro

“Deputeti Hoti i cili deklaroi se ndikimi i subvencioneve edhe në procesin e ujitjes është zero nga qeveria dhe Ministria e Bujqësisë, e pavërtetë e madhe. Po flas për një artikull që po përmendet shumë, për grurin. Në periudhën kohore janar-tetor, 2023, në periudhën janar-tetor 2024, Kosova ka importuar 28 milionë kilogram më pak, apo në vlerë monetare 8.1 milionë euro. Kush janë ata që deklarojnë që efekti i përkrahjes në bujqësi është zero, kur vetëm për një produkt rënia e sasisë së importit në vlerë monetare i është kthyer Kosovës në 8.1 milionë euro”, ka thënë ai.

​Buxheti i vitit 2025, përplasë ministrin Murati me deputetët opozitarë

Projektligji për buxhetin e vitit 2025 ka përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati me deputetët opozitarë. Deputetët e opozitës reaguan pas fjalimit të ministrit Murati, duke e kualifikuar si propagandë dhe të poshtër.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se ministri Murati po flet për shifra të mëdha, ndërsa në realitet s’ka implementim të asnjë projekti.

Sipas tij, qeveria Kurti ka hapur dyert për mallrat serbe për pazare politike.

Lushtaku: Duhet t’iu vjen marre çka po flisni

“Duhet t’i vjen marre juve se po flisni për shifra të mëdha dhe në realitet s’ka implementim. Kush po vuan janë qytetarët. Është e vërtet se ka import të madh dhe deri dje ju keni rrotulluar edhe kamiona, ndërsa sot i hapni dyert për Serbinë. Tash po shihet qartë sa shumë importohen mallrat serbe. Këtë e keni bërë për pazare politike. Ju po tregoni për parimet e juaja. Është e turpshme sesi keni bërë kontrata njëburimore”, tha ai.

Ndërkaq, deputeti Avdullah Hoti, tha se ministri Murati po bën propagandë të poshtër dhe të ulët në Kuvendin e Kosovës.

Hoti: Murati po vazhdon propagandën e poshtër dhe të ulët

“Me debatu me këtë person është problematike pasi ky debaton me fanatizëm. Ky nuk është interesuar për të vërtetat dhe për të argumentuar mbi faktet dhe për të dalë te e vërteta. Ky me fanatizëm i mbron pozicionet e veta dhe vazhdon me propagandën e poshtër dhe të ulët. Me sa fytyrë del në foltore dhe u thua njerëzve se Kosova është shkatërruar qe 20 vite, me mbi 13 mijë njerëz të vrarë, shkolla dhe rrugë të shkatërruar dhe ti thua se është shkatërruar Kosova gjatë 20 viteve. Kur i shtron këto në foltore të Kuvendit, s’ka vend për debat aty mandej. Pasi humbet argumenti politik ose ekonomik”, theksoi Hoti.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se qeveria Kurti po i shpërndanë paratë e shtetit jo me indaktorin e barazisë, por po e bënë për efekte elektorale.

Tahiri: Ju i keni ç’kep paratë jo me indikatorin e barazisë por i keni bërë për efekte elektorale

“Ju i keni ç’kep paratë jo me indikatorin e barazisë por i keni bërë për efekte elektorale”, theksoi Tahiri.

Atyre, iu reagoi ministri Murati, i cili akuzoi deputetë opozitarë siç tha për shtrembërim të fjalimit të tij.

Ai tha se vitin e kaluar Serbia s’ka qenë as në top pesë vendet që Kosova ka importuar më shumë, për dallim siç tha në qeverisjen PDK-LDK ka qenë e para.

Murati akuzoi LDK-në që biznese të lidhura me ta iu kanë bërë kontrabandë, por që nuk përmendi emra të tyre.

Murati: Biznese të lidhura me LDK-në kanë bërë kontrabandë

“Në kohën kur keni qenë ju në qeveri bashkë me LDK-në, po i marrë top-pesë shtetet që ka importuar Kosova, vendi i parë ka qenë Serbia...Viti i kaluar, në top 1, pritni tash pse po ju vjen inati. Në vendin e parë është Turqia, vendin e dytë është Gjermania, Kina, Greqia dhe Shqipëria. As në top pesë nuk e keni Serbinë. Sa i përket asaj që tha deputeti Hoti është se ai u mundua me disa argumente të rrejshme të thotë fjalë që unë nuk i thash. Unë nuk thash që është shkatërruar Kosova por thash se keni shkatërruar fabrikat duke i privatizuar e as nuk thash që kanë bërë kontrabandë të gjitha bizneset. Përkundrazi dëmi ju ka bërë të gjitha bizneset, pasi disa biznese të lidhura me juve kanë bërë kontrabandë. Ky është problemi”, tha ai.

Bajrami e ashpër me Muratin: Qëndroj 24 orë në foltore e të demantoj me referenca e dokumente tua, mjaftë me propagandë

Deputetja e LDK’së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ashpër ministrit të Financave, Hekuran Murati, duke i thënë që autostradën nuk e ka marrë Qeveria me vete në shtëpi.

Qysh bre ministër mundesh me thënë përjashtonë autostradën, pse a e ka marrë qeveria nme veti në shpi autostradën a, qysh me përjashtu autostradën, a nuk i bjen ti në autostradë për Shkup kur të shkojsh, për Shqipëri a nuk i bjen nëpër autostradë”, tha Bajrami.

“A e din ku ke ngel, te ura e Badocit 34 metra, kush është tu t’pengu, cila Gjykatë Kushtetuese”, vazhdoi ajo.

“Inflacionin e kësaj qeverie po e shet si luftë kundër kontrabandës? A e dini që asnjëherë as ti as kryeministri nuk e përmendët ngritjen e çmimeve, 22 për qind ju kanë rrit çmimet qytetarëve në mesatare, po çmimi i bukës është rritë 50 për qind. A e din që ke ardhë në pushtet  tu prmetu që ke me i liru fgaturat e enerjgisë elektrike”, tha tutje Bajrami.

Keni dështu, nuk mundesh sot me shit propagandë”, tha ajo.

“Për secilin argument që e thu, qëndroj 24 orë në foltore me referenca e dokumente tua e të demantoj, por mjaftë propagandë”, tha në fund. 

Murati kundërpërgjigje opozitës: Nuk mund të ulet importi me ekonominë që trashëguam, fabrikat i shitet për skrap

Ministri i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur deputetit Mërgim Lushtaku rreth akuzave të këtij të fundit të bëra sot në Kuvend lidhur me buxhetin.

Murati tha se premtimet nga Qeveria Kurti se do të ulet importi, rritet eksporti, kurse taksat do të fillojnë e mblidhen brenda më shumë që “të mos varemi aq shumë nga dogana, i ka realizuar”.

Deputeti Lushtaku që asnjëra nga këto nuk është bërë. Pra, a është synim i qeverisë që të ulet importi, patjetër që po, për këtë kemi bërë mbështetjen për herë të parë të prodhuesve vendor duke subvencionuar kreditë investuese, gjithashtu kemi marrë edhe shumë masa tjera mbështetëse përmes ministrive të linjës duke i mbështetur.

Por, gjithsesi i nderuari deputet Lushtaku, nuk mund të ulet importi në një ekonomi të cilën e kemi trashëguar, ku gjitha fabrikat që kanë qenë prodhuese në këtë vend, ju i keni shit për skrap. Normalisht që merr kohë derisa të rindërtohet kapaciteti prodhues në mënyrë që të ulet importi, deri atëherë ne do të vazhdojmë të punojmë, mirëpo diçka që është shkatërruar për 20 vite nuk mund të rikuperohet brenda një mandati”, ka thënë ai.

​Muja tregon orientimet kryesore se ku pritet të kontribuojë buxheti për vitin 2025

Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, janë katër orientimet kryesore se ku pritet të kontribuojë buxheti për vitin 2025. Deputeti nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja derisa ka bërë prezantimin e projekt buxhetit ka deklaruar se në kuadër të buxhetit për shëndetësi për herë të parë përfshihen shpenzime mbi 100 milionë euro për barna esenciale.

Ndërsa, ka theksuar se gjykuar sipas një niveli të qeverisjes, projektligji parasheh që buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro, në ndërkohë që 788 milionë euro i dedikohen nivelit lokal, komunave.

Muja: Projektligji parasheh që buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro

“Shpenzimet e propozuara në kuadër të ligjit përfshinë vlerën prej 3 miliardë e 607 milionë euro. Këto shpenzime mbështetën në të hyra buxhetore në vlerë prej 3.3 miliardë euro, nevoja për financim përfshijnë një bilanc negativ prej 300 milionë euro, borxhi i përgjithshëm bazuar në propozimin e ligjit për ndarje buxhetore deri në fund të vitit 2025 parashihet të jetë 21.1 për qind në raport me GDP-në. Gjykuar sipas klasifikimit ekonomik, projektligji parasheh 1.2 miliardë euro shpenzime në kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. 916 milionë euro shpenzime në paga dhe mëditje, 930 milionë euro për investime kapitale dhe 536 milionë euro për mallra dhe shërbime. Gjykuar sipas një niveli të qeverisjes, projektligji parasheh që buxheti për nivelin qendror të jetë 2.8 miliardë euro, në ndërkohë që 788 milionë euro i dedikohen nivelit lokal, komunave. Projektligji për ndarje buxhetore i’u është dërguar deputeteve me kohë, qeveria po ashtu e ka proceduar në Kuvend me kohë, dhe ne si komision i’u kemi rekomanduar deputeteve që ta miratojnë këtë projektligj në parim në mënyrë që të hapen afatet për shqyrtim dhe trajtim të projektligjit”, ka thënë Muja.

Në emër të Grupit Parlamentar, Muja ka renditur prioritet që parashihen me buxhetin e vitit 2025.

Muja: Janë katër orientime kryesore se ku do të kontribuojë ky buxhet

“Sot po e paraqesim buxhetin e vitit 2025 dhe janë katër orientime kryesore se ku do të kontribuojë ky buxhet. E para është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe në fund qeverisja e mirë. Këto janë katër prioritete që ky buxhet i trajton në themel. Në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik do të shpenzohen mbi 500 milionë euro në kategori të ndryshme. Në kuadër të trajtimit të këtij prioriteti të rëndësishëm përfshihen investime thelbësore në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, por edhe përmirësimin e komunikimit me rrjetet pan evropiane të transportit. Autostrada Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan, lidhja Prizren-Tetovë, por edhe lidhjet Plavë-Deçan-Plavë, dhe Pejë-Rozhajë parashihen të jenë prioritete të rëndësishme në kuadër të investimeve infrastrukturore. Ajo që është po ashtu e rëndësishme, është që buxheti prioritizon energjinë e ripërtritshme dhe investimet për t’i bërë bizneset tona më konkurruese dhe për të përshpejtuar transformimin digjital si formë e rritjes së konkurruesmërisë së industrive të ndryshme në Kosovë”,nënvizoi Muja.

Ai ka shtuar se projektbuxheti parasheh 25 milionë euro për punësim të garantuar për ata që kyçen për herë të parë në tregun e punës.

Muja: Projektbuxheti parasheh 25 milionë euro për punësim të garantuar

“Projektbuxheti parasheh 25 milionë euro për punësim të garantuar për ata që kyçen për herë të parë në tregun e punës. Në kuadër të prioritetit për përmirësim të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale buxheti parasheh buxhet rekord për shëndetësinë, e tejkalon 370 milionë euro, që është rreth 160 milionë euro më shumë shpenzime në shëndetësi krahasuar me kohën kur ne nuk ishim në pushet. Në kuadër të buxhetit për shëndetësi për herë të parë përfshihen shpenzime mbi 100 milionë euro për barna esenciale”, tha ai.

Tahiri nga AAK-ja: Kjo qeveri nuk ka bërë asnjë projekt që do të mbahet mend

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria Kurti është qeveria më e dështuar në Kosovë.

Ai tha se kjo qeveri për mandatin katër vjeçar ka pasur në dispozicion 12 miliard euro, por që nuk ka bërë asnjë projekt që do të mbahet mend për këto vite.

Qeveria për katër vite ka pasur 12 miliard euro buxhet, në këto 12 miliard euro a ka ndonjë projekt që është nisur dhe është përfunduar, përveç urës së Saradranit.

Është ky kabinet qe ka dhënë premtim që do t’i rris pensionet, sa i ka rritur 20 euro. Po është rrit ekonomia, 240 milion euro ja keni dhënë dostave të juaj përmes tenderëve një burimor”, ka thënë ai.

​PDK me kritika për buxhetin e vitit 2025: Është i mbijetesës dhe jo zhvillimor

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një mori kritikash ndaj planifikimit qeveritar për buxhetin e vitit 2025. Sipas partisë më të madhe opozitare, ky buxhet është i mbijetesës dhe nuk është zhvillimor.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projektligjin për buxhetin për vitin 2025, tha se ky buxhet nuk i sjell asnjë investim kapital qytetarëve.

Lushtaku: Ky buxhet është i mbijetesës dhe jo zhvillimor

“Juve që po iu kalojnë katër vite që jeni në pushtet, deri më sot keni planifikuar 13 miliardë euro shpenzime, as edhe një projekt madhor dhe të rëndësishëm nuk mbahet mend për këtë kohë sa qeverisni...Sot ne flasim për një planifikim buxhetor që nuk ndikon asgjë, s ‘promovon asgjë dhe një planifikim që ky shtet dhe ky popull nuk sheh asnjë hajr. E kemi parë që nga fillimi i kësaj qeveri çdo planifikim shihet se është i dobët. Në realizueshmëri të çdo projekti s’ka sjell asnjë investim kapital që qytetarët të mbajnë mend”, tha ai.

Përndryshe, në PDK kanë thënë se nuk do ta votojë këtë buxhet.

Hoti: Qeveria Kurti, është qeveria me më së paku investime kapitale

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ia ka numëruar të gjitha premtimet që pushteti nuk i ka mbajtur.

Ai ka thënë se buxheti gjatë këtij mandati ka qenë 11 miliardë euro, ndikimi në shoqëri është 0.

“Analiza e këtij dokumenti duhet të bëhet në kontekst të premtimeve gjatë mandatit, jo vetëm si shifra. Në shëndetësi sigurimet shëndetësore, asnjëra prej këtyre projektve nuk është realizuar. Banim social i përnballueshëm, tek tash është miratuar. Tek privatizimi, dhe mbyllja e AKP-së. Fondi Sovran e Banka Zhvillimore asnjëra nuk janë në rrugë për t’u bërë. Caktimi i çmimit minimal për produkte bujqësore, këto kanë qenë premtimet. Në infrastrukturë: aeroporti i Gjakovës, rruga për Plavë, për Tetovë, hekurudha për Durës. Le ta analizojmë tani perfomancën buxhetore në konteskt të realizimit të këtyre premtimeve. Buxheti gjatë këtij mandati ka qenë 11 miliardë euro, ndikimi në shoqëri është 0”, tha Hoti në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti i LDK-së deklaroi se qeveria Kurti, është qeveria me më së paku investime kapitale.

“Pse ka ndodhur kështu? E para sepse është përkeqësuar struktura e buxhetit, ka ndërruar raporti mes subvencionit dhe investimeve kapitale. Me subvencione mbahen familjet në nevojë, por nuk zhvillohet ekonomia. 130 milionë euro subvencione janë dhënë për energjinë në veri. Edhe ato investime kapitale nuk janë realizuar. Unë po jap shifra nga buxheti. 21-24, kanë qenë të planifikuar 3 miliardë euro për investime kapitale, janë realizuar 1.2 miliardë. Janë 1.8 miliardë për investime kapitale që nuk kanë hyrë në ekonomi. Norma e realizimit në të gjitha qeveritë e kaluara ka qeë 60-65%, në këtë qeveri është 40%. Edhe këto investime kapitale nuk e di ku kanë shkuar, sepse kontrata njëburimore kanë shkuar në 240-250 milionë. Do të ketë auditim në të ardhmen”, ka thënë Hoti më tutje.

Hoti: Ky projekt-buxhet ka dy shkelje ligjore, e mira që është tranzitor

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë Kurti rreth hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2025.

Hoti ka thënë se ky projekt-buxhet ka së paku dy shkelje ligjore sidomos tek tatimi në pronë dhe ligji i pagave.

“Ky projekt-buxhet tregon abuzimin e qeverisë me autoritetet e veta ligjore duke lënë zëra të paspecifikuar në buxhet tek subvencionet. Po e mira është që ky buxhet është tranzitor”, tha Hoti.

Ai shtoi se qeveria e ardhshme do të ketë prioritet ndryshimin e këtij buxheti, fillimisht për të rrit pagat, pensionet dhe skemat sociale për normën e inflacionit

“Për të buxhetuar projektet kapitale dhe për ti shpërndarë nëpër sektorë dhe komuna sipas nevojës, për të buxhetuar skemën e sigurimeve shëndetësore, arsimin dhe shëndetësinë, kontratën kolektive që është bërë kaos, ushtrinë dhe institucionet tjera. Për të kthyer ligjshmërinë dhe për të mbledh buxhet që kthehet prapë tek qytetarët e Kosovës”, tha Hoti.

Kurti: Jemi qeveria me numrin më të madh të vendeve të punës të shtuara brenda mandatit

Kryeministri Albin Kurit ka bërë prezantimin e Projektligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025. Në  fillim ai ka thënë se është kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit për ta shënuar kështu qeverinë e parë që e qon mandatin deri në fund.

Gjatë fjalës së tij kryeministri foli për goditjen nga pandemia e nga shumë kriza të tjera sic ishte edhe ajo energjetike që goditi Evropën e që tha se nuk kishte se si të shpëtonte as Kosova, derisa tregoi për mbështetjen që Qeveria ka dhënë për familjet që të ulej konsumi i energjisë elektrike e kjo tha se po vazhdon edhe sot.

“Subvencionuam për të blerë pajisje efiçiente që faturat të peshonin sa më pak në arkën e familjes e mbështetem familje që kursyen energjinë. Ata që kursyen u shpërblyen. Kosova vazhdon të ketë çmimin më të lirë të energjisë elektrike në rajon sipas EUROSTAT-it dhe kjo është karakteristikë e rëndësishme për investimet e huaja në Kosovë”, tha kreu qeveritar.

Pjesë e fjalimit të tij ishin edhe çrregullimet e çmimeve mbi produktet bazë që tha se erdhën si pasojë e agresionit të Rusisë në Ukrainë. Tregoi se ndërmorën masat e nevojshme që miratuan pakon për përballje me inflacionin ku u mbështetën punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët  e studentët.

“Si pjesë e pakos miratuam edhe Ligjin për Pagën Minimale në sektorin privat e ligjin për çmimin tavan për ta ndaluar abuzimin nga tregtarët e papërgjegjshëm. Që të dy ligjet opozitarët i bllokuan duke i dërguar në kushtetuese, eventualisht gjykata që më shpesh bën bilanc politik sesa që bën drejtësi një ligj na rrëzoi atë për çmimet tavan kurse tjetrën e miratoj atë për pagën minimale. Dëm gjithsesi për të parin sepse nuk hyri kur në fuqi kurse për të dytin sepse u njoftua rreth një vit zbatimi i tij”, tha Kurti.

Sipas tij gjatë katër viteve numri i të punësuarve u rrit në mënyrë konsistente, çka tha se nuk ka ndodhur në asnjë ekzekutiv para tyre.

“Prandaj jemi qeveria me numrin më të madh të vendeve të punës të shtuara brenda mandatit që aktualisht ende pa e përfunduar po arrin në 78 mijë vende punë më shumë se sa kur e kemi marr mandatin katër vjet më parë”, tha ai.

Kryeministri tha se për katër vite me radhë rritja ekonomike mesatare ishte 6 për qind e asnjë vit të vetëm nuk ka rënë nën 4 për qind.

“Ani se u ballafaquam me kriza globale që ndodhin madje edhe vetëm një herë në shekull. Për katër vite me radhë rritëm të hyrat buxhetore e tani me buxhetin e vitit 2025 i dyfishuam në krahasim me të hyrat buxhetore që i gjetëm kur morëm mandatin, të hyrat buxhetore ashtu si edhe vitin e mëparshëm vazhduan performancën e tyre të kënaqshme dhe gjatë periudhës janar-shtator 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej më shumë se 7.1 për qind apo rritje me rreth 150 milion euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e punësimit, rritja e qëndrueshme e ekonomisë edhe përballë sfidave të rënda e rritja e të hyrave na ka mundësuar ta kemi këtë buxhet historik prej 3.6 miliard euro”.

Kurti e quajti buxhetin e vitit 2025 buxhet për familjen sepse tha se secila familje do të përfitojë.

“Në një familje të re që ka tre fëmijë nëna lehonë fiton për 6 muaj nga 170 euro apo 1020 euro gjithsej, ndërkaq për fëmijët i marrin nga 90 euro në muaj apo 1080 euro në vit, asnjë qeveri nuk ka mbështetur nënat e fëmijët, vazhdoi ai duke përmendur ndihmat e lehtësuar që kanë bërë edhe për studentët, familjet e dëshmorëve të në kategori të tjera.

 “Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme 2025 -2027 pritet të vijë nga konsumi investime publike e privati. Konsumi do të rritet nga 4 lloj rritje. Rritja e pensioneve në masën prej 20 për qind në të gjitha kategoritë e pensionit të moshës dhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, rritja për shtesat e fëmijëve, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit në sektorin publik si dhe rritja e pagës minimale që ndodhë pas më shumë se pas një dekadë stagnimi. Në këtë buxhet e kemi prioritet arsimin e shëndetësinë, por edhe infrastrukturën e mbrojtjen”, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti ka theksuar se buxheti për vitin 2025 është projektuar të jetë 3.6 miliard euro.

“Për të arritur deri këtu këto 4 vite kaluam nëpër shumë sfida globale e të brendshme, por për dallim nga të tjerat para nesh u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë, vit pas viti rritej edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore. Sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme. Buxheti i vitit 2025 është buxheti i katërt që po e prezantojmë si qeveri në këtë mandat. Miratimi në qeveri e prezantimin e buxhetit në kuvend çdo herë e kemi bërë sipas rregullave të përcaktuara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike. Buxheti për paga e shtesa: 13.85 për qind më i lartë se në vitin 2024 ose 111. 5 milion euro, buxheti për mallra dhe shërbime është 3.2 për qind më i lartë s enjë vit më parë, buxheti për subvnencione e transfere është 8. 75 për qind më i lartë s enë vitin 2024 e këtu luajnë rol masat e reja si pensionet shtesat për fëmijë rimëkëmbja ekonomike e të tjera dhe buxheti për investime kapitale ëhstë 8. 3 për qind më i lartë se në vitin 2024. Për këto vite të qeverisjes bruto produkti vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliard euro kurse vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliard euro”, ka theksuar Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat