Avokati Ardian Bajraktari, tha se zbatimi i dispozitave për pezullimin e zyrtarëve publikë me rastin e ngritjes se aktakuzave që ndërlidhen me korrupsionin është në linjë me standardet nderkombëtare.
“Më përpara ka qenë një proces në agjendën evropiane të reformave që njihej si ERA, kanë qenë dy obligime në kuadër të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, që në kuadër të Kodit Penal ka qenë dënimi plotësues për kategorinë e kryerësve të veprave penale të korrupsioniit që krahas dënimit kryesor të shqiptohet edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë, detyrës e të ngjashme, në kohëzgjatje nga një deri në dhjetë vite, varësisht prej nivelit”, tha Bajraktari në “Tempus“ për "BetimipërDrejtësi".
Po ashtu, avokati shtoi se kemi edhe një kapitull edhe për pezullimin e zyrtarëve publikë, me rastin e ngritjes së aktakuzave për kategoritë e caktuara të veprave penale, veçanërisht të atyre që ndërlidhen me korrupsionin.
Sipas Bajraktarit, aplikimi i kësaj dispozite është në linjë me standardet ndërkombëtare, por që kjo dispozitë nuk po zbatohet thuajse fare, me theks të veçantë tek kategoritë e caktuara që ndërlidhen me pushtetin.