Haziri: Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Shqipërisë në pikën më të ulët

Aktuale

Haziri: Marrëdhëniet politike mes Kosovës dhe Shqipërisë në pikën më të ulët

Më: 28 nëntor 2024 Në ora: 08:23
Lutfi Haziri

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e theksoi si alarmante situatën e marrëdhënieve politike mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e quajtur atë në pikën më të ulët të mundshme. Ai u shpreh se, pavarësisht numrit të madh të marrëveshjeve të përbashkëta dhe aktiviteteve kulturore e ekonomike që lidhen me bashkëpunimin rajonal, koordinimi dhe konsensusi politik midis dy vendeve kanë degraduar ndjeshëm.

‘’Tash e 25 vite ka një numër të madh të marrëveshjeve të përbashkëta dhe një aktivitet të madh që përfshinë edhe kalendarin kulturor edhe në sektorin e ekonomisë edhe në çështjen e Doganave dhe çështje tjera. Por mardhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës janë në pikën më të ulët të mundshme. E kam fjalën për për ato politike dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për zbatimin e zotimeve të përbashkëta’’, u shpreh ai.

Haziri e theksoi fragmentizimin e marrëdhënieve mes shqiptarëve për shkak të ndërhyrjeve të papërshtatshme dhe strategjive të politikës së brendshme, duke përmendur ndërhyrjet e kryeministrit Albin Kurti në proceset zgjedhore në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai vuri në dukje se historikisht ka ekzistuar një bashkëpunim politik mes partive shqiptare, pavarësisht ideologjive, duke e filluar këtë traditë nga liderë si Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia deri te Sali Berisha e Fatos Nano gjatë viteve të vështira të luftës.

‘’Ka ekzistu një bashkëpunim politik mes partive politike pavarësisht ideologjive. Ibrahim Rugova dhe Ramiz Alia e kanë hapur kaptinën e parë të bashkëpunimit, masnej është vazhduar me Rugovën e Sali Berishën, që përfshinë edhe rolin e ministrave, në atë kohë Bukoshi e Fatos Nano apo në kohën e luftës Ilir Meta e Pandeli Majko’’, potencoi nënkryetari i LDK-së.

Lutfi Haziri, ka shprehur shqetësim mbi përpjekjet e Kryeministrit Albin Kurti për të ndikuar në proceset zgjedhore jashtë Kosovës, konkretisht në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.

“Kurti është i pari që ka ndërhyrë në zgjedhje jashtë Kosovës, duke u përpjekur të ndikojë në proceset politike në Shqipëri dhe Maqedoni. Por tani, ne kemi një situatë ku nuk ka dinamikë ashtu siç do të duhej të ishte”, u shpreh Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat