“Keni vjedh me kravata”, “Pis”, Haxhiu dhe Basha shkëmbejnë fjalë të rënda mes vete në seancë

Aktuale

“Keni vjedh me kravata”, “Pis”, Haxhiu dhe Basha shkëmbejnë fjalë të rënda mes vete në seancë

Më: 2 dhjetor 2024 Në ora: 07:52 Përditësuar në ora: 14:17 më 02.12.2024
Basha, Haxhiu

Gashi i LDK-së thotë se Murati është “mashtruesi” më i madh i Parlamentit

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur ministrin e Financave, Hekuran Muratin, “mashtrues” dhe “rrenc”.

“Ky çuni që i thotë vetes ministër e që është mashtruesi më i madh në parlament, del rren dhe thotë supa puna”, tha Gashi.

“Sa të rinj hyn në tregun e punës çdo vit në Kosovë? 42 mijë.

Sa i ke punësuar për 4 vjet? 7 mijë, mashtruese”, ka thënë më tutje deputeti i LDK-së.

Ministrja Nagavci flet për ndërtimin e çerdheve, thotë se u tentua bojkotimi i ndërtimit të tyre

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka folur rreth ndërtimit të çerdheve në të gjithë territorin e Kosovës.

Ajo ka thënë se kryetarët e komunave e subjekte politike kanë tentuar të bojkotojnë ndërtimin e tyre.

“Në momentin që i kemi planifikuar 160 çerdhe, ndonëse ju kemi njohur, megjithatë ka qenë e vështirë e imagjinueshme që kryetarë të komunave, subjekte politike, do të bojkotojnë ndërtimin e këtyre çerdheve, vetëm për të thënë se Lëvizja nuk po e realizon premtimin e vet. Kemi vendosur gurthemelin te çerdhja te Medresjea, dhe kemi pritur për dy vjet për tu na lëshuar leja që të vazhdojmë me ndërtimin.

Kemi dërguar letër formale, ku kemi kërkuar të na sigurojë lejen e ndërtimit. Nuk ka pasur asnjë reagim”, tha ministrja.

E akuzoi qeverinë për djegien e IML-së, Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë për ta intervistuar këtë deputete

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u akuzua nga deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj se janë ata që kanë djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Ke premtuar që keni me e zbardh rastin e Astrit Deharit, pse nuk e keni zbardhur, i keni zhduk dhe i keni vjedh mostrat, e keni djeg Institutin e Mjekësisë Ligjore”, u shpreh Kadrijaj.

Lidhur me këtë, Haxhiu i ka bërë thirrje Prokurorisë për intervistimin dhe marrjen si dëshmitare të Kadrijajt, për të zbuluar se kush e ka djegur IML-në.

“Unë menjëherë i bëj thirrje Prokurorisë që menjëherë dhe pa vonesa, ta thërras si dëshmitare, deputeten Time Kadrijaj, për të treguar se kush e paska djegur Institutin e Mjekësisë Ligjore. Sepse ekspertët e zjarrit po thonë që ka qenë defekt elektrik në pajisje, ndërsa deputetja e Kuvendit të Kosovës po thotë se e keni djegur ju. Prandaj mendoj se është tejet e rëndësishme për drejtësinë që deputetja të ftohet për intervistë”, tha Haxhiu.

Replika mes Besnik Tahirit e Albin Kurtit për Shtëpinë e Bardhë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri, për Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin amerikan të Shtetit.

Kjo pasi Tahiri tha se Kurtit “nuk i ka shkelur këmba në Shtëpinë e Bardhë dhe Departamentin amerikan të Shtetit”.

“Kam vështirë të diskutoj sepse me gjithë respektin, deputeti Tahiri në fjalën tuaj hyrëse ju thatë kryeministrit nuk i ka shkelur këmba në Departamentin amerikan të Shtetit dhe Shtëpi të Bardhë.

Sekretarin Blinken ku e kam takuar? Jake Sullivan ku e kam takuar? Ne mund të diskutojmë për bindje dhe opinione të ndryshme, për mendime dhe qëllime të ndryshme, por nëse ju i mohoni faktet aty nuk ka debat më”, tha shefi i qeverisë.

Bajrami – Rrustemit: Korrupsionin s’e mbulojnë as sulmet terroriste në veri

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami i replikoi deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi i cili për pothuajse të njëjtat akuza të opozitës për Qeverinë, e akuzoi po opozitën.

“Korrupsionin potencial me 2123 kontrata që e keni bë pa shpallje të tenderit, me negocim të drejtpërdrejtë nuk e mbulojnë as sulmet terroriste në veri dhe nuk e mbulon me asnjë shpifje që po mundohesh me e bë tidhe të gjithë eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk mundesh me e bë. Janë 2123 kontrata”, tha Bajrami.

Nënkryetarja e LDK-së tha se nuk e ka nënshkruar asnjë kontratë njëburimore, ndërsa tha se deputetët e pushtetit kanë qenë kundër hetimit të të gjitha kontratave njëburimore.

“Mos shpif në tempullin e demokracisë, sepse, është e vërtetë, ti ke gjujtë gaz, por dikush ka dhënë jetë për me ardhë unë edhe ti edhe me e folë këtu të vërtetën”, tha ajo.

Rrustemi tha se paraqitja e Bajramit në foltoren e Kuvendit është “konfirmim i implikimit të saj”.

Ai tha se “nuk ka korrupsion në Vetëvendosje”.

Ushqimi në FSK, flet sërish ministri Maqedonci: Kosto më e ulët e shërbim më kualitativ

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka thënë se koncepti i ri i vetëqëndrueshmërisë më ushqim në FSK, jo vetëm që ka kosto më të ulët, por edhe është më kualitativ.

Kështu u shpreh ministri para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Mund të them me përgjegjësi të plotë, që koncepti i ri i vetqëndrueshmërisë me ushqim, përveç që ka një kosto jashtëzakonisht më të ulët të shpenzimeve, në krahasim me buxhetin e planifikuar me kontratë trevjeçare, ku ka qenë i planifikuar një buxhet prej 13 milionë eurove, për operatorët ekonomik për të shërbyer ushqim, dhe me konceptin që jemi duke zhvilluar, atë po e bëjmë me më pak se 4 milionë euro.

Gjithashtu po mundëson të shërbehet ushqim më kualitativ, dhe një vetëqëndrueshmëri të nevojës si në rastin e 29 nëntorit”, tha Maqedonci.

Kadrijaj me kritika të ashpra për qeverinë

Deputetja e AAK’së, Time Kadrijaj, ka thënë se kryeministri gjatë fjalimit të tij në Kuvend “tregoi përralla”.

“Kryeministri na tregoi përralla, jemi ngi përralla kryeministër, u dasht sot me dalë këtu em tregu cka ke bo konkretisht. Një kryeministër me fol edhe për shëndetësi, edhe për arsim, edhe për infrastrukturë tu i pasë ministrat këtu. Atëherë po del që ti ministrat i ki të paaftë se po duhet me raportu ti për ministra, dmth barrën e krejt qeverisë e ke marrë ti”, tha ajo.

Kadrijaj tha se Kurti ka thënë që nuk do të dialogojë me Serbinë “pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe pa kërku falje Serbia për krimet që janë kryer në Kosovë”.

Ajo ia përmendi edhe rastin e Astrit Deharit.

“Pse se zbardhët rastin për 4 vjet, plus 1 vit e gjysmë. Përkundrazi i keni zhdukë, i keni vjedhë mostrat, e keni ndjekë IML’në”, shtoi ajo.

“Sot ushtarët po hajnë bukë e pashtetë, policia e ushtarët nuk kanë uniforma. Ti i ke degradu secilin nivel të kësaj qeverisje. Keni vjedhë edhe në subvencione e në rezerva shtetërore. Keni vjedhë e keni sakatu. S’jeni kon në gjendje një rrugë me bo”, tha ajo.

Gashi – Kurtit: Mashtrove sa herë fole

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e nisi fjalën e tij në seancën e Kuvendit duke përmendur premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje të cilat Qeveria dështoi t’i realizonte.

“Deri më tani, ky kryeministër mund të kualifikohet: paaftësi, dështim, korrupsion, krim”, tha ai.

Gashi renditi ligjet dhe vendimet të cilat u shpallën kundërkushtetuese dhe disa nga skandalet që e karakterizuan qeverisjen e Albin Kurtit.

“Albin Kurti sot foli këtu një orë dhe asnjë sekond nuk ishte kryeministër. Ishte drejtor ndërmarrrjeje, ishte menaxher i ndërrimit në spital, isthe ofiqar në një komunë, por asnjëherë, në asnjë rrethanë, në asnjë moment, kryeministër i vendit”, tha ai.

Gashi tha se Kurti sot “mashtroi kur foli edhe për parlamentarlizmin, mashtroi edhe kur foli se sa ligje janë mirartu”.

“Mashtrove sa herë fole, mashtrove çka the, mashtrove sepse dështimi, mashtrimi, paaftësia, dobësia, krimi, korrupsioni, skandali, janë fjalët që e përshkruajnë qeverisjen tënde dhe qeverinë që ti e ke udhëheq. Pra, kryeministër, je i dobët, je i paaftë, je i korruptuar, je i dështum, je i zhytur në skandale. Qytetarët e Kosovës duhet me të ndëshku sepse nuk e meriton asnjë ditë të jesh kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Gashi.

Kurti tha se s’ka premtuar njohje, Tahiri: Kryeministri është përgjegjës edhe për diplomaci

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Abelard Tahiri, ka thënë se Kosova për katër vjet është zvogëluar në popullsi.

Ai tha se kjo ka ndodhur për arsye “kryekëput ekonomike”.

Tahiri e ka kritikuar Kurtin edhe për mungesën e anëtarësimeve të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pasi Kurti tha se nuk ka ardhë në pushtet duke premtuar njohje të reja, Tahiri tha se detyra e kryeministrit nuk është listë e dëshirave se me çka me u marrë e me çka jo.

“Kryeministri nuk mundet me zgjedh me çka me u marrë e me çka jo. Kryeministri është përgjegjës edhe për diplomaci, edhe për njohje, edhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare nuk është kjo një listë e dëshirave me çka po du me u marrë e me çka s’po du. Unë nuk kisha dasht me dëgju kryeministrin e vendit tim që realisht bëhet si prezantues i raporteve të policisë, prokurorisë, institucioneve ligjzbatuese, të referentave në ministri”, tha ai.

Ai tha se Kurtin e panë si prezantues të punëve të ministrive.

Rrustemi: Për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë sulmin në Ibër-Lepenc

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut duke akuzuar siç ka thënë “zëra opozitarë”, “për minimizim të rastit dhe manipulim të publiku” lidhur me të.

Ai ka thënë se në këtë mandat qeverisës kanë treguar vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në çdo cep të Kosovës

Ne si shumicë parlamentare e dënojmë këtë akt terrorist. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm … Është për keqardhje që disa zërë opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe ta manipulojnë opinionin publikë duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh”, është shprehur Rrustemi.

Në mandatin tonë kemi bërë zotimin që të mbrojmë sovranitetin, ne kemi arritur që këtë ta realizojmë… deri para tre vjetësh atje mund të shkoje vetëm me lejen e Raidoqiqit, madje edhe në vilën e tij, komunat paralele nuk ekzistojnë, targat janë konvertuar, e flamuri i Kosovës është vendosur në institucione komunale. Qeveria po ndërton stacione policore atje si asnjëherë më parë. E për shkak të kësaj jemi duke u përballur me sulme nga Serbia. Dikush mund të pyet pse më herët nuk ka pasur kësi sulme, pasi nuk ka pasur nevojë se Raidoqiqi ka pasur fuqi, i ka pasur strukturat ilegale”, ka deklaruar Rrustemi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat