Kurti takohet me Verma, ankohet për mos zbatim të marrëveshjes bazë nga Serbia
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim zëvendës sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, me të cilin ka diskutuar mbi avancimin e raporteve ndërshtetërore dhe procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
I pari i qeverisë vuri theksin te shkeljet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Marrëveshjes bazike, që vijnë si rezultat edhe i mos nënshkrimit të saj dhe aneksit të zbatimit, si dhe mosdorëzimin e terroristit Milan Radoiçiq dhe grupit të tij përgjegjës për sulmin terrorist në Banjska.
Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të SHBA-së dhe partneritetin mes dy vendeve në etapat e shtet-ndërtimit si aleati kryesor dhe strategjik për Kosovën.
Në takim u diskutua edhe mbi veprimet e shpejta të ndërmarra nga Kosova për strehimin e refugjatëve afganë dhe rreshtimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian në dënimin dhe sanksionimin e agresionit ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës.
Kurti ka folur edhe mbi zhvillimin dhe progresin e Kosovës në katër vjetët e fundit, orientimin strategjik për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Me rritjen ekonomike në njërën anë dhe progresin demokratik në anën tjetër, Kosova ka dëshmuar që zhvillimi ekonomik dhe përparimi demokratik shkojnë krah për krah”, u shpreh ai.
Kujtojmë, gjatë ditës zëvendës sekretari i Shtetit amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma është pritur në takim edhe nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.