Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se qeveria aktuale i ka vënë në binarë financat publike.
Sipas Muratit, dëshmia për këtë stabilitet qëndron në rritjen e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, duke e mbajtur borxhin publik nën kontroll.
“Tash për tash e kemi qitë financat publike në binarë dhe shifrat domethënë janë dëshmia më e mirë për këtë. Ne kur e kemi marrë buxhetin e shtetit ka qenë me të hyra prej 1.9 miliardë euro, kurse tash kur po e përfundojmë mandatin, pra të hyrat e buxhetuara për vitin dy 2025 janë 3.3 miliardë euro, apo 74 për qind rritje, është një rritje enorme. Ngjashëm ka ndodhë edhe tek shpenzimet. Kur e kemi marrë buxhetin e vitit 2021 që ishte buxhetu nga qeverisja paraprake, ka qenë të buxhetuara 2.4 miliardë, kurse tash në fund të mandatit e kemi buxhetin 3.6 miliardë dhe e gjithë kjo pra është ba duke mbajte edhe borxhin publik nën kontroll, e madje në raport me bruto prodhimin vendor kemi rënie. Plani ka qenë prej qeverisë paraprake, që borxhi publik të shkojë në 35 për qind të bruto prodhimit vendor në fund të vitit 2023, kurse ne tash e kemi në 15”, tha Murati.
Ministri shtoi se mbetet sfidë reformimi i Ligjit të Prokurimit Publik, për të kaluar fokusin nga procedurat drejt rezultateve konkrete.
“Çka ka mbetë për t’u rregullu edhe më tutje, që e kemi pasë si sfidë gjatë këtij mandati, ka qenë Ligji i Prokurimit Publik. Reformimi sa i përket prokurimit publik, meqenëse në të kaluarën, në bazë të ligjit, në mënyrë ashtu është e rregullume, fokusi ka qenë më tepër në procedurë se sa në rezultat. Dmth. Sikur ajo thania që thuhet që ‘operacioni shkoi me sukses, por pacienti vdiq’. Edhe këtu ka qenë më tepër fokusi tek procedura, se a po ndiqen procedurat, por fare s’ka qenë problem se a po rezulton që ajo procedurë e prokurimit me rezultate konkrete”, theksoi Murati në Context.