​Vendi tronditet nga tragjedia në Jabllanicë, politikanët vazhdojnë fushatën

Aktuale

​Vendi tronditet nga tragjedia në Jabllanicë, politikanët vazhdojnë fushatën

Më: 3 shkurt 2025 Në ora: 16:12
​Vendi tronditet nga tragjedia në Jabllanicë, politikanët vazhdojnë fushatën

Partitë nuk e pezulluan asnjë tubim elektoral pas ngjarjes tragjike në Jabllanicë, ku humbën jetën tre fëmijë. Fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit vazhdoi me fjalimet e zakonshme dhe kjo u kritikua nga njohës të zhvillime dhe ata që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Një ditë pas ngjarjes tragjike, liderët institucionalë e partiakë ngushëlluan familjet dhe mbajtën nga një minutë heshtje në tubimet e tyre me qytetarë.

Ngjarja tragjike ka ndodhur më 1 shkurt, ku tre fëmijë – të moshave 13 dhe 16 vjeç - kanë vdekur si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar.

Presidentja e vendit nuk shpalli ditë zie, për çka u kritikua nga personalitete të ndryshme.

Nga Presidenca nuk i janë përgjigjur KosovaPress-it se pse nuk kanë ndërmarrë një veprim të tillë.

“Ne e kemi menduar si opsion por komunës nuk i lejohet të shpall ditë zie. Kjo është e drejtë ekskluzive e presidentes”, thanë nga Komuna e Gjakovës.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të hetohet ky rast.

“Avokati i Popullit i ka bërë thirrje autoriteteve të hetojnë shkaqet e humbjes së jetëve të tre fëmijëve në fshatin Shqiponjë [ish Jabllanicë] të komunës së Gjakovës, si pasojë e shembjes së pllakës së një objekti të pabanuar. Avokati i Popullit ka kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të marrin të gjitha masat e plota për zbardhjen e këtij rasti. Avokati i Popullit ka theksuar se të gjitha institucionet duhen të marrin masa që të parandalohen tragjedi të tilla, e në veçanti duke pasur në mendje sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve”, tha për KosovaPress institucioni i Avokatit të Popullit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka iniciuar rastin “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe ka deklaruar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behgjet Shala thotë se partitë politike është dashur të ndërpresin fushatën zgjedhore.

Shala: Partitë politike është dashur që të ndërpresin fushatën

“Vetëm ‘Koalicioni për Familjen’ e ka ndërprerë fushatën, ka bërë mirë. Mirëpo, ndërprerja apo mos-ndërprerja e fushatës në këtë kohë është thikë me dy teha. Në qoftë se dikush e ndërprenë atëherë i thonë që po e ndërprenë për të fituar ose nëse dikush nuk e ndërprenë do ta sulmojnë. Kështu që ne mendojmë që zgjidhja më e mirë ka qenë që të ulen të gjitha partitë politike të merreshin vesh që të gjitha ta ndërpresin fushatën së paku ditën kur është varrimi i tyre. Në të njëjtën kohë presidentja e cila ka përgjegjësi ligjore që mund të shpall ditë zie është dashur që sot ta shpall ditë zie”, deklaron Shala.

Kjo është një porosi jo e mirë për votuesit, shton Shala, teksa thekson se institucionet të cilat janë në pushtet duhet të ndërmarrin veprime.

Shala: Partitë politike jo serioze, do të ju kthehet boomerang

“Institucionet e Kosovës janë ende në pushtet, kanë detyrime ligjore, kanë mundësi por ato është dashur të ndërmarrin veprime. Ndërkaq subjektet politike mendoj që ka qenë momenti që të ulen të bisedojnë dhe të vendosin ose gjatë tërë ditës ose gjatë kohës sa është varrimi katër orë t’i ndërpresin aktivitetet dhe jo se do të humbin diçka sepse jo që po thonë diçka të jashtëzakonshme, të cilën nëse nuk e thonë sot nesër e humb vlerën por asgjë nuk janë duke bërë. Mirëpo kjo është jo serioze. Ata duhet të llogarisin se kjo mund të kthehet edhe si boomerang, sepse votuesit janë të indinjuar me këtë sjellje edhe me të pozitës në radhë të parë por edhe me të opozitës”, shton ai.

Analisti Imer Mushkolaj ka shkruar se “papërgjegjësia e mos ndjeshmëria e tyre triumfon mbi tragjeditë si kjo e Jabllanicës”.

“Tre fëmijë kanë vdekë në Jabllanicë të Gjakovës, por partitë politike vazhdojnë tubimet si të mos ketë ndodhë asgjë. Nëpër këto tubime premtojnë të ardhme të ndritshme për të rinjtë, tre nga të cilët nuk jetojnë sot. Pezullimi i aktiviteteve partiake për sot do të duhej të ishte veprimi më normal”, ka shkruar Mushkolaj.

Vitin e kaluar, presidentja Vjosa Osmani pati shpallur ditë zie në vend, pas vrasjes së dy grave brenda pak ditëve. Po ashtu, ditë zie u shpall edhe pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare.

Rast tjetër, kur pati ditë zie shtetërore ka qenë në nderim të policit të vrarë në veri të vendit, Afrim Bunjaku.

Ditë zie ishte shpallur edhe pas tërmetit në Turqi, më 2023. /

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat