Richard Grenell, i cili sot zyrtarisht ka marrë detyrën e emisarit për misione të posaçme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndal edhe një herë të shpenzimet që bën USAID, në Ballkanin Perendimor, për të cilat kanë thënë se janë alarmante.
Ai ka shkruar në X, se amerikanët e palodhur paguajnë taksa, kurse politikanët në Uashington DC i shpenzojnë ato para në mënyrë të pamatur.
Sipas tij, miliarda dollarë u janë dhënë OJQ-ve të krahut të majtë për të nxitur politika radikale në vende të tjera. Ja një fragment nga USAID.
“Shpenzimet e USAID-it në Ballkanin Perëndimor (2020-24). Kosovë: 537 milionë dollarë, Bosnja: 402 milionë dollarë, Maqedonia veriore: 290 milionë dollarë, Serbia: 209 milionë dollarë, Shqipëria: 189 milionë dollarë, Mali i Zi: 77 milionë dollarë. Totali i WB6: 1.7 miliardë dollarë.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio njoftoi se ka marrë postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Rubio tha se “funksionet e USAID-it” duhet të përputhen me politikën e jashtme të SHBA-së dhe se ajo është “një agjenci krejtësisht e papërgjegjshme”, raporton CNN.
Rubio tha se "ia ka deleguar autoritetin" dikujt tjetër me të cilin është në komunikim.
Ai pohoi se shumë funksione të USAID-it do të vazhdojnë por të njëjtat, theksoi ai, duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane.
Mediat e huaja kanë raportuar më herët se presidenti amerikan, Donald Trump, ka urdhëruar mbylljen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila është themeluar në vitin 1961 gjatë administratës së Presidentit John F. Kennedy dhe ka shërbyer si krahu humanitar i qeverisë amerikane.
Në Uashington, selia e USAID u mbyll ditën e hënë, me punonjësit që morën një email ku u njoftuan të qëndronin në shtëpi.
Rreth 60 punonjës të lartë të USAID u vendosën në pushim javën e kaluar nën akuzat se po tentonin të shmangnin një urdhër ekzekutiv të Trumpit që pezullon ndihmën e huaj për 90 ditë, duke çuar në konfuzion të gjerë dhe mbyllje të disa programeve të agjencisë.
Ky zhvillim vjen pas një urdhri ekzekutiv të Trump, i cili nisi pezullimin e të gjithë ndihmës së huaj për 90 ditë menjëherë pas betimit të tij muajin e kaluar.
Kjo ka shkaktuar një valë reagimesh dhe ndërprerje të punës për shumë punonjës të USAID.