Voton Ramush Haradinaj – dy fëmijët e tij hodhën votën për herë të parë
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka votuar me bashkëshortën e tij, Anitën, në shkollën “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Pas votimit, ai tregoi para mediave se sot për herë të parë votuan edhe dy fëmijët e tij, Hana dhe Gjini.
“Procesi ka filluar mirë, në përjashtim të votave me kusht me disa vonesa. Hana dhe Gjini votojnë për herë të parë. Nëna Rukë ka votuar në Gllogjan”.
“Dilni të votoni. Kosova ka nevojë për votën tuaj. Na priftë e mbara”, ka thënë Haradinaj.
E kërcënoi se do t’ia largonte vajzën nga puna nëse s’e voton një subjekt politik në veri, policia del me detaje
Policia e Kosovës ka njoftuar se dje është arrestuar një person në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për shantazhim.
Sipas njoftimit të Policisë thuhet, se i dyshuari i kishte thënë ankuesit që nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit.
Njoftimi i plotë:
Sheshi Car Llazar, Mitrovicë Veri / 08.02.2025 – NN. Është arrestuar i dyshuari/k, se i njëjti i kishte thënë ankuesit/k se nëse nuk e voton një subjekt të caktuar politik do ta largojë nga puna vajzën e ankuesit. Në cilësi të provave materiale gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar një llap-top dhe dy telefona. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Prokuroria në Mitrovicë ndalon 5 të dyshuar për “cenim të përcaktimit të lirë të votuesve”
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, ndërsa në rastin e parë një person, të dyshuar për veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Në njoftim thuhet se prokurorët e Shtetit, të cilët po kujdestarojnë sot, do të veprojnë me urgjencë në secilin rast që mund të paraqitet me qëllim të parandalimit të keqpërdorimeve të mundshme gjatë këtij procesi zgjedhor.
“Prokurori i Shtetit sërish i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”
Raportohet se një person në Gjilan ka tentuar të fotografojë votën, ndalohet nga policia
Një person ka tentuar të fotografojë votën në një qendër votimi në Gjilan.
Siç raportoi media, i njëjti është ndaluar nga policia dhe më pas i është lejuar të votojë.
Qytetarët e Kosovës sot do të votojnë në zgjedhjet parlamentare, nga ku do të zgjedhin 120 ligjvënës mes 28 subjekteve politike në garë, zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.
Votimi nis me vonesë në një qendër në Prishtinë
Në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik në Prishtinë procesi zgjedhor ka nisur me 20 minuta me vonesë.
Kjo për shkak të vonesave të komisionerëve në një pikë vendvotimi.
Këtë e ka konfirmuar menaxheri i kësaj pike, Valon Kurtaj, i cili nuk ka dashur të flas para kamerës.
Të drejtë vote në këtë qendër kanë 3336 votues, në katër vendvotime.
Qendrat e votimit në Shtërpcë janë hapur me kohë
Votimi në Komunën e Shtërpcës filloi në orën 7 të mëngjesit, kur u hapën të gjitha vendvotimet dhe votuesit e parë ushtruan të drejtën e votës.
Të drejtë vote në komunën e Shtërpcës në këto zgjedhje kanë 12.864 votues të regjistruar.
Votimi po zhvillohet në 10 qendra votimi në 18 vendvotime. Në shkollën e mesme “Jovan Cvijiq” në Shtërpcë po zhvillohet votimi me kusht.
Numërimi për subjektet politike do të bëhet në vendvotimet ndërsa numërimi i kandidatëve do të bëhet në qendrën komunale të numërimit, që është gjimnazi i shkollës fillore “Staja Markoviq” në Shtërpcë.
Interesim i madh i qytetarëve për të votuar në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë
Qendra e votimit në shkollën “7 Marsi” në Prishtinë është hapur me kohë dhe deri tani procesi po shkon në rregull.
Kështu ka thënë për KosovaPress kryesuesja e qendrës së votimit, Shpresa Gashi-Çitaku.
Ajo tha se i tërë materiali zgjedhor ka mbërritur me kohë.
KosovaPress ka qëndruar në këtë qendër votimi. Përkundër temperaturave të ulëta, kishte interesim të qytetarëve për të shfrytëzuar të drejtën e tyre demokratike.
Në këtë qendër votimi votojnë banorët e lagjes “Kalabria”.
Rregullohet problemi i sistemit në qendrën e votimit me kusht në Mitrovicë
Në gjimnazin “Frang Bardhi” në Mitrovicë, aty ku është qendra e votimit me kusht, kishte probleme në votim.
Sipas kryesuesit të kësaj qendre, Luan Mehmeti, sistemi dhe kodi nuk po pranoheshin.
“Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë, që nga ora 04:30. Edhe materialet janë sjell me kohë. Gjithçka është në rregull, por është një çështje kodi, që thuhet që vjen nga KQZ-ja, megjithëse ne i kemi informuar, por sipas gjasave ka një ngarkesë të madhe në kuadër të sistemit që nuk ka funksionuar”.
Ai shton se janë në bisedime me qendrat e tjera të votimit.
Por ai bëri të ditur se edhe ky problem është zgjidhur.
Elezi: Hapen me kohë të gjitha qendra e votimit në vend
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se janë janë hapur të gjitha qendra e votimit me kohë.
Elezi përmes një konference për mëdia ka bërë të ditur se në 903 qendra janë gjithsej 2,533 vendvotime.
“Në orët e hershme të mëngjesit dhe me kohë janë shpërndarë materialet në të gjitha qendrat e votimit. Ju njoftojmë në 903 qendra, me gjithsej 2,533 vendvotime ka filluar procesi i votimit për Kuvendin e Kosovës.
Përveç votimit të rregullt në këto qendra, KQZ ka caktuar edhe 38 qendra të votimi me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Sipas listës së votuesve, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote është 1.970,944 votues”, ka thënë Elezi.
Votuesi i parë në Fakultetin Filologjik vjen nga Gjermania
Xhemshir Haziri ka ardhur dje nga Gjermania për të ushtruar të drejtën e votës ne Kosovë.
Pak para hapjes së qendrës së votimit, në Fakultetin e Filologjisë, ai bashkë me bashkëshorten e tij kanë qenë votuesit e parë në këtë qendër.
Ai për KosovaPress, tregon se ka udhëtuar vetëm për një ditë dhe se do të kthehet sot për në vendin ku jeton.
Haziri: Erdha për të votuar nga Gjermania
"Nga Gjermania, për të votuar dhe për të zgjedhur më të mirin për udhëheqje të këtij vendi të Republikës tonë për katër vjet. Kam ardhur për të votuar sepse këto zgjedhje mund të themi se nuk janë vetëm zgjedhje... gjithçka ishte në rregull, votuam për më të mirin.. do të kthehem sot në orën 16:30 nga Aeroporti "Adem Jashari", thotë ai.
Ai shton se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, meqë sipas tij, zgjidhet udhëheqja e Kosovës për katër vite mandat.
Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime është 1 milion e 970 mijë e 944 votues.